Fondacionet për Shoqërinë e Hapur mbështesin projektin rajonal 0.7 milion USD për tu përballur me ndikimet e COVID-19 mbi grupet vulnerabël në Ballkanin Perëndimor

Fondacionet për Shoqërinë e Hapur japin 0.7 milion dollarë si përgjigje ndaj pasojave social-ekonomike të shkaktuar nga COVID-19 duke mbështetur grupet vulnerabël, punonjësit me paga të ulëta, ata informal dhe sezonal në Ballkanin Perëndimor. Projekti është pjesë e një investimi 133.7 milion dollarë nga Fondacionet për Shoqërinë e Hapur për tu përballur me pasojat e COVID-19 në të gjithë globin, me fokus ofrimin e ndihmës së menjëhershme për komunitetet vulnerabël.

Projekti rajonal zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Fondi për Shoqërinë e Hapur për Bosnje & Hercegovinën (OSFBiH), Fondacioni Shoqëria e Hapur për Kosovën (KFOS), Fondacioni për Shoqërinë e Hapur – Maqedoni (FOSM), Fondacioni Shoqëria e Hapur për Serbinë (OSFS) dhe do të mbështesë drejtpërdrejtë financiarisht punonjësit me paga të ulëta, punonjësit informal dhe ata sezonal.

Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një krizë të paprecedentë shëndetësore e cila po shoqërohet me masa kufizuese të rënda që prekin të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë situatën sociale dhe ekonomike të të gjitha komuniteteve, veçanërisht ato më të pambrojtura Qeveritë janë të përqendruara në menaxhimin e urgjencës shëndetësore, duke i kushtuar kështu më pak vëmendje masave të menjëhershme pas Covid19 për të mbështetur rimëkëmbjen socio-ekonomike të segmenteve më të rrezikuara të shoqërisë.

Projekti do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për të lehtësuar pasojat socio-ekonomike nga ndikimi i COVID-19 në rajon për grupet më të rrezikuara. Projekti, në partneritet me aktorët vendas, do të promovojë masat afatgjata për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të krizës së koronavirusit e testimin dhe ndërtimin e modeleve e nismave të reja zhvillimore në rajon dhe konkretisht për punësimin e grupeve vulnerabël.

Projekti do të ndihmojë në krijimin e një platforme rajonale bashkëpunimi midis biznesit të vogël të prekur nga pasojat, punëtorëve të vetëpunësuar dhe informal mbi rolin e qeverisë në menaxhimin e krizës ekonomike. Platforma do të lejojë që grupet e prekura të propozojnë ide të mirëargumentuara mbi masat efektive të qeverisë për t'iu përgjigjur krizës dhe të organizohen për të shtyrë qeverinë të mobilizojë në mënyrë efektive fondet publike dhe mbështetjen ndërkombëtare në përputhje me nevojat në terren.

Për më tepër, për të përforcuar advokimin, disa organizata do të mbështeten me grante për të pilotuar skemat e propozuara të rimëkëmbjes nga platforma, në një shkallë të vogël duke u treguar qeverive se skemat e propozuara janë të realizueshme dhe efektive. Pritshmëritë tona janë që qeveritë të reagojnë pozitivisht duke miratuar masat mbështetëse që i përgjigjen nevojave të menjëhershme të Covid19 për kategoritë e synuara, duke ndihmuar kështu rimëkëmbjen e tyre ekonomike.

Paketa e reagimit emergjent e Fondacioneve për Shoqëri të Hapur po investon gjithashtu globalisht në mbështetjen e punëtorëve me paga të ulëta dhe komuniteteve të tjera vulnerabël; mbrojtjen e refugjatëve, emigrantëve dhe azilkërkuesve; duke siguruar që trajtimet dhe vaksinat për pandeminë janë të arritshme nga të gjithë.

“Ky financim emergjent është një hap i parë,” tha Presidenti i Fondacioneve për Shoqërinë e Hapur Z. Patrick Gaspard gjatë prezantimit të nismës. “Kjo është pjesë e asaj që do të jetë një përpjekje e gjerë dhe e vazhdueshme e Fondacioneve në muajt në vazhdim për t'iu përgjigjur ndikimit ekonomik, shoqëror dhe politik të pandemisë”.