Fondacioni “Së Bashku” mbyll me sukses projektin: “Jetesa e pavarur: mbёshtetja e kauzës duke afruar Shqipërinë më pranё standardeve tё Bashkimit Evropian”

Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ‘Fondacioni Së Bashku’ zbatoi me sukses përgjatë 2019 projektin që synon promovimin e të drejtës për Jetesë të Pavarur për personat me aftësi të kufizuar dhe advokimin për masat që duhet të ndërmerren në mënyrë që Jetesa e Pavarur të bëhet realitet në Shqipëri.

Kjo nismë u shtri në tre qytete të rëndësishme të vendit siç janë Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Një ndër komponentët e rëndësishëm të kësaj nisme ishte përkthimi dhe botimi në gjuhën shqipe i disa materialeve të Rrjetit Evropian për Jetesë të Pavarur (ENIL) mbi Jetesën e Pavarur, Ndihmësin Personal dhe Mite dhe Fakte mbi Jetesën e Pavarur.

Aktivitet kyç i kësaj nisme ishte organizimi i tryezës së rrumbullakët në kuadër të Ditës Evropiane për Jetesë të Pavarur më datë 7 maj 2019. Në këtë tryezë ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues të Bashkive Tiranë dhe Elbasan, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në vend, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të aftësisë së kufizuar. Kjo tryezë nxori në pah sfidat që hasin personat me aftësi të kufizuar për të jetuar në komunitet si gjithë të tjerët duke filluar që nga mungesa e aksesueshmërisë, ndihmësit personal, mjeteve ndihmëse etj.

Komponenti i tretë ishte ai i edukimit dhe informimit nëpërmjet trajnimeve të organizatave të aftësisë së kufizuar në 6 Qershor Elbasan, 13 Qershor Durrës, dhe 27 Qershor Tiranë mbi Jetesën e Pavarur si koncept dhe parashikimet ligjore që e garantojnë atë në vendin tonë si psh. Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, ligji 93/2014 ‘Për përfshirjen sociale dhe aksesueshmёrinё e personave me aftësi të kufizuara’.

Një takim pune pranë Ministrisë për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, me ZëvendësMinistren, Znj. Bardhylka Kospiri, e përfaqësues të tjerë kontribuoi në diskutimin e hapave që ministria po ndjek për garantimin e Jetesës së Pavarur për personat me aftësi të kufizuar. Znj. Kospiri premtoi se brenda 2019 do të hartohen VKM-të mbi ndihmësin personal dhe vendimmarrjen e mbështetur. Ministria ka vazhduar procesin e konsultimit duke përfshirë znj.Suela Lala, dhe Fondacionin ‘Së Bashku’ në procesin e hartimit të VKM që lidhet me ndihmësin personal.

Nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj vizive, jemi përpjekur të sjellim në vëmendjen e publikut të gjerë sfidat që hasin personat me aftësi të kufizuar për të jetuar në komunitet si gjithë qytetarët e tjerë. Projekti bëri të mundur disa dalje në media dhe komunikim me publikun të cilat mund ti aksesoni këtu 1, 2, 3, 4, 5, 6 .

 

Projekti kontribuoi në lëvizjen për Jetesё tё Pavarur për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri dhe Znj. Suela Lala është zgjedhur rishtas anëtare bordi e Rrjetit Evropian për Jetesë të Pavarur dhe është i pari person me aftësi të kufizuar nga Shqipëria që bëhet pjesë e strukturave drejtuese të organizatave të aftësisë së kufizuar në Evropë.

Për të mësuar më shumë mbi projektin mund të kontaktoni në fondacionisebashku@gmail.com  ose info@osfa.al