Franca dhe anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor – Webinar organizuar nga OSFA në 23 Mars 2021

Tematika:
Shkarko Dokumentat:
Më 23 Mars 2021, Shoqëria e Hapur për Shqipërinë organizoi një webinar mbi rolin e Francës në procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, ku panelistë të shquar ndanë pikëpamjet dhe njohuritë e tyre mbi këtë temë të rëndësishme.
Një rrugë në dukje e pafund drejt anëtarësimit në Bashkim, është bërë edhe më e dyshimtë në vitet e fundit, veçanërisht mbas Tetor 2019 kur disa shtete anëtare të BE bllokuan hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Zëri i Parisit zyrtar ishte ndër më të fuqishmit në bllokimin e dy vendeve për të shkuar përpara me ofertat e tyre të anëtarësimit dhe Presidenti Macron ka hedhur poshtë pa mëdyshje idenë e zgjerimit të BE-së në një të ardhme të parashikueshme. Me Francën që do të mbajë presidencën e Këshillit të Evropës në gjysmën e parë të vitit 2022, dhe me të dy zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm, muajt e ardhshëm mund të jenë momenti më kryesor për të rishikuar dhe rindërtuar rolin francez në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Duke hapur panelin, Z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i OSFA, theksoi se opinioni publik në rajon vazhdon të jetë me shumicë në favor të anëtarësimit në BE – mesatarisht në favor 82.5%. Shkallët e miratimit janë të larta, me 95% në Kosovë dhe 90% në Shqipëri. Edhe tek vendi më skeptik në rajon, Serbia, miratimi varion midis 60%- 65%. Gjithësesi, pakënaqësia në rritje me ritmin e procesit dhe tejzgjatja ka filluar gjithashtu të gjenerojë lodhje në rajon, me 21% të popullsisë (së mbarë rajonit) që besojnë se vendet e tyre nuk do ti bashkohen kurrë BE-së. Për më tepër, përçarjet e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në nivel global, kombinuar me realitetet e brendshme politike e social – ekonomike, i kanë dhënë hapësirë një gare një-vjeçare të aktorëve kryesorë globalë për pushtet dhe ndikim në rajon. Këto zhvillime rrezikojnë ta shtyjnë Ballkanin Perëndimor në paqëndrueshmëri. Në këtë kontekst, ndikimi ankorues dhe stabilizues i BE-së bëhet vendimtar.
Duke adresuar metodologjinë e re për zgjerimin, ShSZ. Elisabeth Barsacq, Ambasadore e Francës në Shqipëri, deklaroi se qëllimi nuk ishte të bllokohej zgjerimi, por më tepër për të reflektuar mbi vizionin e BE-së në të ardhmen. Ajo beson se metodologjia e re është e mirë pranuar dhe e kuptuar mirë nga politikanët dhe institucionet. Në të njëjtën kohë ekziston një vullnet i fortë për të mbështetur Shqipërinë në procesin e saj të anëtarësimit. Ambasadorja gjithashtu shtjelloi disa nga arsyet e mundshme të lodhjes dhe skepticizmit mbi zgjerimin të qytetarëve francezë, duke listuar perceptimin e tyre për Ballkanin Perëndimor si një zonë në konflikt, mungesën e informacionit mbi kulturën dhe gjeografinë e rajonit, dhe mungesën e një premtimi publik të vendeve të Ballkanit Perëndimor ku të shpjegojnë se pse do të dëshironin ti bashkohen BE-së. Së fundmi, Ambasadorja shprehu simpatinë për lodhjen e përjetuar nga popujt në Ballkanin Perëndimor në procesin e gjatë dhe kompleks të pranimit. Kapërcimi i sfidave të zbatimit të tij do të kërkojë besim në pikat e forta të vendit për të përfunduar me sukses procesin.
Në vazhdim, Z. Srdjan Cvijic, Analist i Lartë i Politikave në Institutin e Politikave Evropiane të Shoqërisë së Hapur, prezantoi gjetjet e studimit “Është BE, jo zgjerimi në Ballkanin Perëndimor… opinioni publik francez mbi anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”. Duke kontekstualizuar çfarë e motivoi studimin, ai vuri në dukje se kundërshtimi i Francës për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 2019, duket se buronte nga frika e disa zyrtarëve se mbështetja e zgjerimit do të dëmtonte shanset e tyre në zgjedhjet Evropiane, që sugjeroi se çështja e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor ishte bërë më e politizuar. Kjo udhëhoqi një ekip studiuesish në analizën e qëndrimeve të qytetarëve francezë mbi çështjen – duke shkuar përtej sondazheve përgjithësuese që pyesin nëse të anketuarit janë në favor apo kundër zgjerimit. Studimi zbuloi se, çështja nuk është një çështje e spikatur/me interes për opinionin publik francez. Pikat kryesore nga gjetjet e studimit:
- Vetëm 22% e të anketuarve nuk janë dakord me hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe mendonin se çështja ishte e rëndësishme.
- 36% të tjerë gjithashtu nuk janë dakord me hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE, por për ta çështja nuk ishtë e rëndësishme.
- 53% e të anketuarve thanë së pranimi i mundshëm i Ballkanit Perëndimor nuk do të ndikonte shumë në jetët e tyre.
- Qëndrimet ndaj pranimit të Ballkanit Perëndimor nuk pasqyrojnë pikëpamjet mbi rajonin, por më tepër pikëpamjet rreth BE-së. Në fakt, të anketuarit që ishin në favor ndaj BE-së, ishin gjithashtu më në favor të zgjerimit.
- Qytetarët francezë kanë pak njohuri se si funksionon procesi i zgjerimit. Ata gjithashtu kanë pak njohuri mbi rajonin. Për ata që kanë udhëtuar në rajon ose që njohin dikë nga rajoni, ka mundësi me të mëdha për të qenë në favor të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
- Disa pjesëmarrës në fokus grupe pranuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të sillte një avantazh gjeopolitik për Francën.
Këto gjetje tregojnë se mbështetja – ose thjesht mos bllokimi – i zgjerimit nuk do të penalizonte aktorët politikë francezë. Përkundrazi, do tu shërbente për të forcuar prestigjin e tyre përballë shteteve të tjera anëtarë që janë pozitivë ndaj zgjerimit.
Duke u mbështetur në këto gjetje, Z. Yves Bertoncini, Ekspert i Çështjeve të BE-së dhe Profesor i çështjeve evropiane, shprehu besimin se frenimi i Francës ndaj zgjerimit ka të bëjë me vizionin e saj për BE-në dhe skepticizmin e saj të BE-së, si dhe me politikën e saj të brendshme. Lodhja e Francës me zgjerimin i përkon zhgënjimit të saj ndaj thellimit të BE-së. Ai arsyetoi se zgjerimi dhe thellimi janë dy anë të së njëjtës monedhe: thellimi më tej do ti bënte më pak të mprehta kundërshtitë e supozuara me zgjerimin. Në fakt, thellimi institucional do të ishte i nevojshëm që BE të punonte siç duhet me më shumë sesa 30 anëtarë. Përtej skepticizmit të BE-së, Z. Bertoncini argumentoi se Franca është gjithashtu duke përjetuar franko–skepticizmin, duke e perceptuar veten në rënie dhe të paaftë të mirëpresë 6 vende të tjera në BE. Për të shpërndarë skepticizmin, Ballkani Perëndimor gjithashtu nevojitet të punojë jo vetëm në aspektet diplomatike dhe teknokratike të bisedimeve për anëtarësimin, por gjithashtu në dhënien e ndikimit real nga reformat që lidhen me anëtarësimin dhe përmirësimin e imazhit të vendeve të veçanta. Në fund, Z. Bertoncini paralajmëroi mbi implikimin e ndikimit në rritje të partive të krahut të djathtë në pengimin e përpjekjeve për zgjerim në të ardhmen dhe detyrimin kushtetues të Francës për të mbajtur një referendum mbi anëtarësimet e reja, veç nëse sigurohet mbështetja me 2/3 nga çdo shtet anëtar. Kjo e bën të domosdoshëm ndryshimin e debatit mbi zgjerimin, duke inkuadruar pranimin e Ballkanit Perëndimor në kushtet e një konsolidimi të një Evrope më të pavarur, sesa të një pranimi duke formësuar kështu opinionin publik francez në favor të rajonit.
Znj. Natasha Wunsch, Asistente Profesore e Shkencave Politike / Integrimit Evropian në Sciences Po, i bëri jehonë argumentit të Z. Bertoncini mbi shqetësimin e Francës mbi balancën midis zgjerimit dhe thellimit të BE-së dhe preferencës së saj për këtë të fundit. Kjo është përkthyer në theks mbi ‘zgjerimin e kontrolluar’ që kërkon një vlerësim rigoroz të gadishmërisë së vendeve kandidate për anëtarësim. Ballkani perëndimor ka mbajtur barrën e këtij theksi të shtuar mbi kushtëzimin dhe pajtueshmërinë. Kjo është veçanërisht e vërtetë me metodologjinë e re të zgjerimit që parashikon kthimin mbrapa me negociatat, nëse vendet kandidate do të zbrapsen me angazhimet e tyre reformuese. Sidoqoftë, opinioni publik francez negativ mbi zgjerimin ka të bëjë më pak me kundërshtimin dhe më shumë me indiferencën. Ndërsa gjetjet e studimit treguan se të anketuarit francezë presin një ndikim relativisht të ulët në jetën e tyre të përditshme nga pranimi eventual i Ballkanit Perëndimor, ekziston gjithashtu një kuptim i përgjithëshëm se pranimi i tyre, nuk do të sillte as edhe përfitime të prekshme. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me rëndësinë e ulët politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit për Francën. Duke parë në një të ardhme të afërt, Znj. Wunsch beson se pranimi i Ballkanit Perëndimor nuk do të luante ndonjë rol domethënës në zgjedhjet e ardhshme, e as ajo nuk pret të shohë mobilizim të fortë rreth tyre. Si e tillë, këshilla e saj është që mbrojtësit e anëtarësimit të mos mbiangazhohen, sepse rritja e interesimit për çështjen e zgjerimit në Francë, mund të rezultojë në një reagim të ashpër. Përkundrazi, do të ishte e preferueshme që çështja e zgjerimit të mbetej poshtë radarit, të paktën derisa progresi i reformës në Ballkanin Perëndimor të mund të lejojë mbrojtësit të bëjnë një rast më bindës për pranimin e tyre disa vite më pas.
Gjetjet kryesore nga seanca e pyetje-përgjigjeve:
- Pjesëmarrja dhe interesi mbi eventin nxitën reflektim mbi rolin e grupeve të tjera, veçanërisht organizatave të shoqërisë civile, në debatin rreth zgjerimit dhe se si ato mund të angazhohen në pregatitjen e vendit për procesin e anëtarësimit.
- Studimi tregon qartë se anëtarësimi po shpaloset në një realitet tjetër krahasuar me 5 apo 10 vite më parë: duhet të përshtasim mjetet dhe taktikat për t’iu përgjigjur ndryshimeve.
- Një kërkesë thelbësore për investimet franceze në Shqipëri është një sistem i qëndrueshëm ligjor. Diçka tjetër për tu marrë parasysh është se ekziston një farë konkurrence midis vendeve të Ballkanit Perëndimor për të tërhequr investimet franceze.
- Interesimi i ulët për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor midis publikut francez e bën shumë të vështirë për njerëzit në Ballkanin Perëndimor të ndryshojnë perceptimet e tyre. Ajo që politikanët francezë mund të bënin, është që të heqin dorë nga strategjia e bllokimit të zgjerimit prej frikës së humbjes së votave. Në mënyrë të ngjashme, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se strategjia e bllokimit të zgjerimit për të fituar mbështetjen e krahut të djathtë do tu sjellë përfitime të pakta. Një fillim i mirë për të faktorizuar perspektivën në Ballkanin Perendimor është të përfshihen përfaqësuesit dhe udhëheqësit e shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor në debatet e ardhshme mbi të ardhmen e BE-së. Të marrin pjesë si të barabartë, dhe të dëgjohet zëri i tyre.
- Ka vend për një rol të turizmit në normalizimin/përmiresimin e imazhit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Francë dhe gjetkë në BE.
- Nëse shtetet tashmë anëtare në BE vlerësohen mbi kriteret e metodologjisë së re të zgjerimit, disa prej tyre nuk do ta kalonin testin. Kështu, ky perceptimi i padrejtësisë ose standartit të dyfishtë, është i kuptueshëm. Sidoqoftë, dikush mund të argumentojë se, pikërisht sepse kemi parë këto dobësi, është logjike, mbase e padrejtë, të rritet kushtëzimi edhe më tej. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme të ekzistojnë ligjet dhe institucionet në vend; ato gjithashtu nevojitet të funksionojnë në një perspektivë afatgjatë. Ky është një mësim për BE-në, i mësuar në një mënyrë të vështirë.
- Ideja se “jemi të fortë së bashku” është pranuar mirë në Francë. Qytetarët franceze gjithmonë dëshironin të krijonin BE-në si një fuqi, jo si një treg. Dhe në ketë kontekst, Ballkani Perëndimor bëhet i rëndëishëm në nivel diplomatik (pavarësisht opinionit publik që mbetet ende indiferent). Në fakt, zgjerimi është një nga mjetet më të rëndësishme të politikës së jashtme evropiane, sepse ka fuqi transformuese. Sfida afatshkurtër është të kemi Evropën në Ballkan, dhe më vonë, vendet e Ballkanit në BE. Vendet e Ballkanit duhet të tregohen si aleate të rëndësishme në fushat kryesore të politikave të tilla si mjedisi dhe ndryshimi klimatik, migrimi, lufta kundër terrorizmit, etj. Bëhet fjalë për gjeopolitikën në përgjithësi dhe synimin për një Evropë sovrane, të cilat të gjitha favorizojnë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.
Për më shumë informacion mbi ngjarjen, mund të konsulton ftesën dhe axhendën këtu, biot e folësve dhe prezantimin e Z. Srdjan Cvijic këtu. Përmbledhja Ekzekutive e studimit dhe gjetjet e studimit të plotë mund të konsultohen në gjuhën angleze, frënge dhe shqipe. Për më shumë informacion, mund të kontaktoni info@osfa.al.