Fuqizimi social-ekonomik i grupeve vulnerabël nëpërmjet bujqësisë

Bujqësia përfaqëson një peshë të rëndësishme në ekonominë kombëtare, e cila, edhe pse ka nevojë të modernizohet, të luftojë copëzimin e lartë të tokës dhe mungesën e lartë të produktivitetit, zë përafërsisht 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë studimet kanë treguar se sektori i bujqësisë së bashku me turizmin kanë potencialin më të madh për rritje dhe zhvillim.

Vitet e fundit ka një rikthim të ngadaltë drejt bujqësisë, por mbetet problem i madh mbështetja e strukturuar dhe konsistente për këtë sektor, sidomos për grupet vulnerabël të cilët nuk kanë njohuritë, trajnimin dhe mundësitë financiare të nevojshme. Kjo ka sjellë ndër vite pasoja të shumëfishta mbi këto grupe duke rritur papunësinë dhe migrimin e tyre. Për të mos mjaftuar pandemia COVID-19 i ka thelluar edhe më shumë këto fenomene.

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është fokusuar në mbështetjen e nismave që targetojnë pikërisht sektorin e bujqësisë e ku aktorë kryesore të angazhimit janë grupet vulnerabël. Projekti pilot “Fuqizimi social-ekonomik i grupeve vulnerabël nëpërmjet bujqësisë” do të ofrojë një model praktik për fuqizimin social-ekonomik të grupeve vulnerabël nëpërmjet sektorit të bujqësisë. Qëllimi i projektit është angazhimi në bujqësi i grupit vulnerabël rom në fshatin Baltëz, Bashkia Fier, duke i fuqizuar ekonomikisht nëpërmjet shtimit të ardhurave nga kultivimi i tokave të tyre dhe ngritja e një modeli ferme me zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.

Pse është i rëndësishëm projekti?

Komuniteti rom përbën grupin kryesor vulnerabël në Baltëz, ku bujqësia përbën mundësinë kryesore për gjenerimin e të ardhurave. Ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe mundësi financiare për tu angazhuar në sektorin e bujqësisë. Pavarësisht një toke shumë të përshtatshme për kultivim, zona e Baltëzës karakterizohet nga copëzimi i tokës, migrimi dhe mungesa e investimeve, informaliteti i pronësisë, etj. 

Nisur nga kjo gjendje, përgjatë vitit 2021 u zbatua faza e parë e pilotimit të projektit falë mbështetjes së Fondacionit dhe angazhimit të Shoqatës së Resurseve Gjenetike të Bimëve (AGPR) ku 14 familje fermerë bashkuan tokat e tyre në një sipërfaqe prej 11.6 ha. Nga zbatimi i projektit u arrit:

  1. Fuqizimi ekonomik i 14 familjeve rome dhe zhvillimi i aspektit social të komunitetit duke ndërtuar besimin midis tyre.
  2. Mbjellja e plotë dhe e njëhershme e parcelave krijoi mundësinë të mekanizohen të gjitha proceset e punimeve duke bërë të mundur prodhimin e 564 kv grurë.
  3. Projekti mundësoi zbatimin e teknologjisë bashkëkohore të kultivimit duke përdorur farëra cilësore, plehra, pesticide, etj.
  4. Shitja e menjëhershme e prodhimit, duke shmangur mundimet dhe shpenzimet për ruajtjen, përpunimin dhe shitjen individuale të prodhimit. Kjo i mundësoi fermerët që të gjeneronin 15,000 $ të ardhura për familjet e tyre.
  5. Fermerët në projekt u pajisën në fillim me planimetritë e parcelave dhe më pas me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Me mbështetjen e projektit kemi përfunduar procedurat për pajisjen për herë të parë të fermerëve me çertifikatat e pronësisë.
  6. Projekti ndihmoi komunitetin rom në Baltëz të krijojë një fermë të përbashkët për ta dhe familjet e tyre.

Përgjatë vitit 2022 projekti do të vazhdojë fazën e dytë duke zgjeruar numrin e familjeve pjesëmarrëse në projekt dhe sipërfaqen e tokave të mbjella. Falë studimeve të kryera nga ekspertët e fushës po shikohet mundësia për bashkimin e fermerëve duke ngritur një Shoqëri për Bashkëpunimin Bujqësor.

Pilotimi synon të promovohet dhe përsëritet në zona të tjera ku jetojnë komunitetet vulnerabël. Projekti mund të shërbejë si një alternativë për të ndikuar politikat qeveritare për të hartuar programe mbështetje financiare për ndërtimin e modeleve të qëndrueshme dhe të reja të zhvillimit social-ekonomik.

Për më shumë informacion mbi projektin mund të ndiqni videon dhe/ose të kontaktoni në info@osfa.al