HAPET THIRRJA PËR APLIKIME PËR INVESTIME NË KABINETET PSIKO-SOCIALE TË SHKOLLAVE

Përzgjedhja e 320 shkollave publike për të kryer investime në kabinetet e psikologëve dhe punonjësve socialë 

 

Projekti ‘EU 4 Inclusive Teaching’ hap thirrjen për përzgjedhjen e 320 shkollave publike të sistemit para-universitar për të kryer investime në kabinetet e psikologëve dhe punonjësve socialë.

Qëllimi i investimet në kabinete është që të përmirësojë kushtet në ambientet e punës për psikologët dhe punonjësit socialë, duke ndikuar kështu në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve ndaj nxënësve. Pas një vlerësimi paraprak të kryer me psikologë dhe punonjës socialë pranë shkollave publike të sistemit para-universitar në Shqipëri, rezultoi që nevojat më të shumta për investime janë në pajisje të teknologjisë së informacionit si dhe mobiljeve. Investimet në përmirësimin e kushteve të kabineteve do të ofrohen vetëm nëpërmjet njërës prej dy paketave të mëposhtme: 

  1. paketa me mobilje (tryeza pune, karrige dhe dollapë); ose
  2. paketa me pajisje IT-je (kompjuter pune dhe printer).  

 

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere (TAMK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Njësinë Qendrore të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU) nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), IInstitutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe Institutin e Nxënësve që Nuk DëgjojnëGjithashtu, investimi në kabinetet e 320 shkollave publike do të kryhet në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP) në të gjitha fazat e tij, nga procesi i aplikimeve dhe vlerësimeve të tyre, deri në shpërndarjen e paketave në shkolla. Projekti ka nisur zbatimin në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2024.

Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsimin para-universitar në Shqipëri, përmes përfshirjes së metodave moderne të mësimdhënies të bazuara në kompetenca dhe gjithëpërfshirje. Projekti parashikon përgatitjen e kurrikulave të reja, trajnim për mësuesit dhe mbështetje ndaj shërbimeve psiko-sociale në shkollat publike. Gjithashtu, projekti do të ofrojë mbështetje për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, me qëllim kthimin e tyre në qendra burimore kombëtare. 

Për plotësimin e pyetësorit ftohen psikologët dhe punonjësit socialë të shkollave publike në arsimin parauniversitar. Pyetësori do të ketë për qëllim vlerësimin e nevojave dhe gjendjes së kabineteve në shkolla publike, me synim përcaktimin e  ndërhyrjes për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara për nxënësit.

I gjithë informacioni që ju do të përcillni gjatë plotësimit të këtij pyetësori do të jetë konfidencial, duke garantuar privatësinë tuaj. Ju bëjmë me dije se të dhënat e mbledhura nga ky pyetësor do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm të projektit dhe nuk do të bëhen publike. Duke plotësuar këtë pyetësor, ju zotoheni se përgjigjet tuaja reflektojnë me vërtetësi të plotë kushtet në të cilat jepni shërbimet tuaja. 

Afati për të aplikuar për këtë thirrje është data 28 Dhjetor në orën 17:00

Aplikimin mund ta plotësoni duke klikuar këtu.