- Shqip
- English
Hyn në fuqi ligji për kujdesin paliativ
Tematika:
Shkarko Dokumentat:
Ligji “Për kujdesin paliativ në Republikën e Shqipërisë”, një nismë tjetër ligjore e nisur në vitin 2012 nga Fondacioni Soros - OSFA, hyn sot në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë në datë 16 tetor të këtij viti.
Në hartimin dhe finalizimin e këtij ligji ka pasur një kontribut të shkëlqyer të të gjithë aktorëve të përfshirë duke nisur nga Ryder Albania, National Association for Palliative Care (NAPC), Mary Potter, Spitali Onkologjik pranë QSUT, Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, MMSR, International Palliative Care Initiative – OSF NY, etj.
Ky ligj përcakton rregullat për shërbimin e kujdesit paliativ, mënyrën e ofrimit të tij, si dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve shëndetësore e sociale që ofrojnë kujdes paliativ.
Saktëson kategoritë e shërbimeve shëndetësore, përmes të cilave ofrohet kujdes paliativ siç janë: shërbimi në kujdesin shëndetësor parësor, hospis në banesë, hospis ditor, hospis me shtretër, shërbime në institucionet spitalore, shërbimi i kujdesit paliativ pediatrik, shërbimi vullnetar në nivel komuniteti. Gjithashtu, shërbimet e kujdesit paliativ ofrohen edhe nëpërmjet nismave private, të licencuara sipas legjislacionit në fuqi, të organizatave jofitimprurëse, të familjarëve apo të palëve të treta. Në çdo rast, në këto nisma respektohen kriteret dhe normat e ofrimit të kujdesit paliativ dhe garantohet përdorimi etik e ligjor i të dhënave personale dhe konfidenciale. Në ligj, personat, që kanë nevojë për kujdes paliativ, konsiderohen kategori ekonomikisht joaktive dhe kontributet për ta paguhen nga Buxheti i Shtetit si edhe garanton mbështetje sociale për të sëmurët terminalë të cilët përfitojnë një pagesë, pavarësisht nga mosha dhe të ardhurat e tjera që përfitojnë nga shteti. Masa e pagesës dhe kriteret për përfitimin e kësaj pagese përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
Këshilli i Ministrave si edhe ministri përgjegjës, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ngarkohen të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve përkatëse të tij.
Fondacioni, gjatë viteve 2013-2015 do të vazhdojë përpjekjet për bërjen e ligjit të zbatueshëm përmes mbështetjes së National Association for Palliative Care NAPC dhe aktorëve të tjerë si partnerë kryesorë me Ministrinë e Shëndetësisë në draftimin e akteve nënligjore. Gjithashtu, Fondacioni, beson dhe shpreson se ky ligj do t’i shërbejë të gjithë personave dhe familjarëve në nevojë të një shërbimi cilësor të Kujdesit Paliativ në Shqipëri!