Inclusive EduJobs - Programi i Praktikave për Nxënësit Romë & Egjiptianë

FondacioniShoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Organizatën Greke “Qendra për Veprim dhe Inovacion Social” (KMOP), po zbaton projektin “Inclusive EduJobs” me financimin e Bashkimit Evropian.

Projekti synon gjithëpërfshirjen e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri në fushën e punësimit dhe arsimit, nëpërmjet tri shtyllave kryesore: Rritjen e aksesit në tregun e punës; Përmirësimin e arritjeve shkollore të nxënsve romë dhe egjiptianë; dhe Rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe organizatave. 

Thirrja për shprehje interesi për praktika profesionale për nxënësit romë dhe egjiptianë ka si qëllim mbështetjen e nxënësve romë dhe egjiptianë në shkollat e mesme profesionale për të përmirësuar aftësitë profesionale dhe punësimin e tyre përmes përfshirjes në praktika profesionale në kompanitë e përzgjedhura të biznesit.

Projekti do të ofrojë mentorim dhe mbështetje teknike për nxënësit romë dhe egjiptianë që kanë mbaruar shkollat profesionale, duke i ndihmuar ata në trajnimin dhe formimin profesional sipas kërkesave të tregut të punës. Praktikantët do të mbështeten nga një mentor i cili do t’i udhëzojë përgjatë praktikës duke i ndihmuar në zhvillimin e aftësive dhe njohurive në lidhje me marrëdhëniet e punës, por edhe duke lehtësuar marrëdhënien e tyre me kompanitë.

Kështu, Inclusive EduJobs synon të identifikojë 20 nxënës të pakicave rome dhe egjiptianë të diplomuar në shkollat e mesme profesionale në Tiranë për të përfituar nga praktikat profesionale në kompanitë e biznesit të zgjedhura sipas profileve të tyre të studimit profesional. Secili nga praktikantët do të pajiset me pajisje/vegla profesionale bazuar në fushën përkatëse të studimit për të lehtësuar praktikën e tyre në kompanitë e përzgjedhura.

Kriteret e përzgjedhjes

Për të përfituar nga praktika profesionale, nxënësit duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

  1. Të kenë mbaruar shkollën e mesme profesionale dhe të kenë marrë diplomën përkatëse të viteve akademike 2021-2022 dhe 2022-2023;
  2. Të jenë nxënës me përkatësi të vetëdeklaruar etnike Rome ose Egjiptiane;
  3. Të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar procesin e aplikimit, duke dërguar me email vetëdeklarimin e përkatësisë së tyre etnike dhe një letër motivimi me arsyet për përfshirjen e tyre në këtë program.

Të gjitha aplikimet do të vlerësohen nga stafi zbatues i projektit dhe aplikimet më të suksesshme do të kalojnë në fazën e intervistimit. 20 nxënës të diplomuar nga shkollat e mesme profesionale në Tiranë do të përzgjidhen bazuar në përkatësinë e tyre etnike dhe letrën e motivimit.

Si të aplikoni?

Nxënësit e diplomuar të shkollave të mesme që i përkasin pakicës kombëtare Rome dhe Egjiptiane mund të dërgojnë aplikimet e tyre  në adresën e mëposhtme të emailit: procurement.inclusive_edujobs@osfa.al.

Afati për shprehjen e interesit është 22/04/2024, ora 17:00. Lutem specifikoni në subjektin e emailit: Inclusive EduJobs – Shprehje interesi për praktikë profesionale – Emër Mbiemër