Merr udhë Shkolla e Integrimit Europian 2022

Iu deshën Këshillit të Bashkimit Europian tre vite të gjata deri në 19 Korrik 2022 për t’u bindur nga rekomandimet e njëpasnjëshme të Komisionit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por më në fund ... habemus negociata! Kjo është padyshim arsye për të festuar, por edhe për të marrë përgjegjësitë për hapin e radhës në të cilin për Shqipërinë fillon pjesa më komplekse e teknike e rrugëtimit, ajo e të përafruarit të legjislacionit vendas me jurisprudencën, sa voluminoze, po aq edhe skrupuloze të Bashkimit Europian.

Pritja për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare dhe nisjen de facto të negociatave nuk e ka lënë Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) në vend. Përkundrazi, së bashku me partnerët nga Friedrich-Ebert-Stiftung në Tiranë (FES) dhe Delegacioni i Bashkimit Europian (EUD) kanë mbështetur Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për të organizuar Shkollën e Integrimit Europian 2022. Mbështetja për shkollën, e cila vjen për vitin e shtatë me radhë, i dedikohet pikërisht përgatitjeve e ngritjes së kapaciteteve për procesin teknik të negociatave, të cilat do të jenë shumëplanëshe dhe do të kërkojnë një përpjekje të gjithanshme nga të gjithë aktorët publikë në vend.

Qëllimi kryesor i organizimit të Shkollës së Integrimit Europian është avancimi drejt sfidave të reja të procesit dhe gjithëpërfshirja në realizimin e reformave transformuese, që përgatisin vendin për anëtarësim në BE. Për këtë arsye, ekspertë dhe punonjës nga institucione publike, organizata të shoqërisë civile apo grupe të tjera interesi të përfshirë në procesin e integrimit do të marrin trajnime të thelluara për aspekte të ndryshme të procesit të negociatave, duke përfshirë strukturën, rolin e institucioneve dhe të shoqërisë civile e mediave, pritshmërinë dhe mësimet duke vlerësuar eksperiencat shteteve pararendëse në këtë udhë.  Ngritja e kapaciteteve është e një rëndësie të madhe për ngarkesën dhe sfidat që sjell negocimi i kapitujve të EU acquis dhe adoptimi në legjislacionin vendas, e për të cilën do të nevojitet kontributi i të gjithë aktorëve institucionale e civilë.

Kështu, lektorët e përzgjedhur janë emra të rëndësishëm në fushën e integrimit europian, përfaqësues nga Komisioni Evropian, njohës të rajonit dhe ekspertë të proceseve integruese. Kurrikula e trajnimit po ashtu është e përshtatur për situatën ku ndodhet Shqipëria dhe gjithashtu për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme tek audienca heterogjene prej 40 vetave. Gjithashtu në këtë vit, do të organizohen tryeza të ndryshme të rrumbullakëta me pjesëmarrësit e Shkollës Europiane ndër vite dhe aktorët kryesorë në proces, me qëllim nxitjen e dialogut dhe përfaqësimit në sfidat e anëtarësimit.

Programi i Shkollës do të zhvillohet intensivisht përgjatë pesë ditëve në datat 24 deri më 28 Tetor 2022, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Europe House në Tiranë.

Për të mësuar më shumë lidhur me Thirrjen për Aplikime për Shkollën e Integrimit Europian 2022, mund të aksesoni këtu. Për të mësuar më shumë mbi edicionin e gjashtë të Shkollës së Integrimit Europian të organizuar në 2021 mund të aksesoni këtu