Miratohet ligji “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”

Pas një përpjekje të gjatë advokuese dhe lobuese të aktorëve të shoqërisë civile me mbështetjen e Fondacionit, në korrik 2019, Kuvendi miratoi projektligjin “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”, i cili u propozua si një nismë deputetësh. Ky ligj rregullon procedurat për ushtrimin e nismës ligjvënëse të zgjedhësve, të sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe synon përfshirjen e shtetasve në proceset vendimmarrëse, nëpërmjet propozimit të projektligjeve përpara Kuvendit.

Me ndihmën e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe të ODHIR-it, ligji e përafron legjislacionin shqiptar me atë për nismën ligjvënëse të qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe përqafon standardet më të reja ndërkombëtare në këtë fushë. Ai krijon mundësi e mjete për të gjithë individët që gëzojnë të drejtën për të zgjedhur, si dhe për organizatat e shoqërisë civile, që të propozojnë projektligje. Ai ka parashikuar lehtësi të nevojshme që nisma të bëhet publike e të mblidhen firmat e 20 000 qytetarëve zgjedhës, për t’i paraqitur ato në Kuvend. Mbledhja e nënshkrimeve elektronikisht është një risi tjetër që sjell ligji. Ligji ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të verifikuar listën e firmëtarëve përpara depozitimit të nismës në Kuvend. Kjo garantohet përmes procedurave të rregulluara në ligj dhe nuk ka më vend për praktika të ndjekura më parë, kur në mënyrë të paarsyeshme listat e firmëtarëve verifikoheshin përmes ekspertizës në laboratorët e kriminalistikës së Ministrisë së Brendshme.

Fondacioni falënderon të gjithë partnerët që ndihmuan në hartimin dhe diskutimin e këtij ligji, e në mënyrë të veçantë Qendrën për Nisma Ligjvënëse e Qytetare, organizata që kryesoi këtë proces të gjatë në bashkëpunim me organizatat e tjera të shoqërisë civile, Universitetin e Tiranës, Shkodrës e Vlorës si dhe të gjithë institucionet shtëterore që kontribuan për përmirësimin e tij.