Nis zbatimi i projektit: ‘Energjia e gjelbër si instrument për fuqizimin ekonomik të komuniteteve’

Tranzicioni nga energjia tradicionale drejt energjisë së pastër është një hap thelbësor për të arritur realizimin e ekonomisë së gjelbër, me qëllim zbutjen e pasojave në ndryshimet klimatike. Prodhimi i energjisë përmes paneleve fotovoltaik ose sikundër njihet panelet diellore, ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të shpërndarë pronësinë dhe peshën e prodhimit të energjisë drejt komuniteteve lokale, institucioneve publike sociale dhe familjeve individuale. Kjo qasje do të sjellë zgjerimin e bazës së prodhimit të energjisë së pastër, do të ulë kostot e energjisë dhe çfarë është më e rëndësishme do të mund të adresojë problemin e varfërisë së shkaktuar nga energjia duke përmirësuar ekonominë lokale e rritjen e autonomisë.

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka nisur zbatimin e projektit pilot i cili do të ofrojë një model praktik për prodhimin e energjisë së pastër dhe do të mundësojë gjenerimin e të ardhurave për shkollat e disavantazhuara. Projekti do të vendosë infrastrukturën fotovoltaik mbi dy godina publike, në çatinë e shkollës 9-vjeçare ‘Trifon Prifti’ Hamil dhe mbi godinën e  Njësisë Administrative Dërmenas. Nëpërmjet këtij investimi do të prodhohet energji elektrike për nevojat e dy ndërtesave, ndërsa synohet që mbiprodhimi prej sistemit do të orientohet për të mbuluar nevojën për energji elektrike të ndriçimit publik në këtë zonë.

Modeli i aplikuar nëpërmjet këtij projekti pilot të zbatuar nga Fondacioni është novator në të gjithë aspektet. Në saj të kësaj qasje do të synohet që kosto financiare e kursyer nga buxheti i Bashkisë Fier i parashikuar për pagesën e energjisë për këto dy godina/institucione publike do ti rishpërndahet për menaxhim nga shkolla 9-vjeçare ‘Trifon Prifti’ Hamil për tu përdorur për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

E gjithë kjo sipërmarrje novatore e Fondacionit do të përfshijë gjithashtu rolin e qytetarëve, të cilët do të jenë pjesë e diskutimeve publike, konsultimeve dhe vendimmarrjes me Shkollën “Trifon Prifti” për të përcaktuar prioritetet për investimin e fondit të rimbursuar nga Bashkia Fier.

Orientimi drejt energjisë së pastër kërkon gjithashtu investime konkrete në “shtrimin” e rrugës me të gjithë komponentët e nevojshëm për rritjen e efiçencës së energjisë. Për këtë arsye, vetë Fondacioni do të mundësojë paralelisht një investim konkret në sistemin e ngrohjes dhe ndriçimit në këtë shkollë, me qëllim krijimin e infrastrukturës së nevojshme për përdorimin maksimal të energjisë së pastër dhe shmangien e humbjeve prej sistemeve të amortizuara.

Shkolla “Trifon Prifti” është potencialisht shkolla e duhur për pilotimin e një nisme të kësaj natyre. Ne synojmë të forcojmë demokracinë e brendshme të shkollës duke përshirë në proceset e parashikuara: Bordin e Shkollës i cili do të menaxhojë të ardhurat e gjeneruara; banorët; prindërit; dhe komunitetin e nxënësve të cilat prej nga hera kanë treguar vullnetin dhe angazhimin për të mirëmbajtur mjediset e shkollës së tyre.

Pilotimi synon të promovohet dhe replikohet në shkollat e tjera të këtij rajoni, si dhe në institucionet publike. Projekti mund të shërbejë si një alternativë për të ndikuar politikat qeveritare për të hartuar programe investimesh publike në mbështetje të një modeli të tranzicionit të energjisë që shpërndan pronësinë e prodhimit të energjisë drejt institucioneve sociale dhe komuniteteve lokale. Projekti mund të kontribuojë në pjesëmarrjen aktive të komuniteteve të mëdha shoqërore në veprimet klimatike dhe për një model të ri zhvillimi ekonomik dhe social.

Për më shumë informacion mbi projektin mund të kontaktoni info@osfa.al