Opinion ligjor mbi ndryshimet e propozuara në Kodin Penal në kuadër të pandemisë globale COVID 19

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është vënë në dijeni përmes njoftimeve në media që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, po shqyrton disa propozime për ndryshimin e Kodit Penal. Këto ndryshime parashikojnë sanksione penale ndaj disa formave të mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1) si dhe disa forma të shkeljes së rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (242/2).

Duke mirëkuptuar plotësisht detyrën dhe misionin e ligjvënësit për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin dhe luftën ndaj pandemisë globale COVID 19, dëshirojmë të theksojmë se Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë mbështet të gjitha nismat ligjore të ndërmarra nga Kuvendi apo Qeveria për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të qytetarëve tanë. Vlerësojmë në tërësi masat e marra nga autoritetet shtetërore për parandalimin dhe luftën ndaj këtij infeksioni në vendin tonë, si rezultat i te cilave Shqipëria sot numëron një numër të ulët të shtetasve të infektuar e për rrjedhojë dhe të jetëve të humbura.

Ndaj këtyre masave shtrënguese ka patur një ndërgjegjësim në masë të qytetarëve, shumica dërrmuese e të cilëve po respekton rregullat e distancimit social dhe të izolimit, akt që vlen për t’u vlerësuar gjithashtu.

Në lidhje me dispozitat e propozuara për amendimin e Kodit Penal, Fondacioni i paraqiti Komisionit të Ligjeve disa opinione dhe propozime konkrete, të cilat synojnë përmirësimin e tyre me qëllim respektimin e një balance të drejtë, të qartë dhe propocionale ndërmjet nevojës për të marrë masa kufizuese, si mjet për mbrojtjen e interesit dhe shëndetit publik me të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Më konkretisht, si më poshtë:

1 – Respektimi i kritereve formale dhe materiale që vendos Kushtetuta, gjatë procedurës ligjvënëse përbën një domosdoshmëri në shtetin e së drejtës[1]. Kodi Penal bën pjesë në kategorinë e akteve që miratohen me shumicë të cilësuar në bazë të nenit 81/2 të Kushtetutës dhe ndryshimet e tij nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar. Ky përfundim mbështetet në nenin 83, pika 3 e Kushtetutës i cili ndalon shprehimisht zbatimin e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të ligjit për gjëndjen e jashtëzakonshme[2].

Sipas vendimit te Gjykatës Kushtetuese nr.1, 12.1.2011, legjislacioni penal: “ ....është një tregues kuptimplotë për çdo vend, në kuptimin se sa ai është në gjendje të balancojë të drejtën e shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror nga njëra anë, me të drejtat dhe liritë e individit nga ana tjetër. Në vlerësimin e Gjykatës kjo është gjithashtu, një arsye tjetër që e ka detyruar kushtetutëbërësin të kërkojë një konsensus më të gjerë nga forcat politike të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim që sanksionet penale të parashikohen vetëm për ato lloj veprimesh ose mosveprimesh, të cilat të jenë të krahasueshme për nga rëndësia me vlerat që mbrojnë.”

2 – Aktualisht, kuadri ligjor në fuqi nëpërmjet Ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve-infektive”, Akteve normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, ka parashikuar në mënyrë gjithëpërfshirëse sanksione administrative për rastet kur qytetarët shkelin urdhërat e organeve publike për masat e marra në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Në kushtet kur vlerësohet e domosdoshme rritja e metejshme e masave mbrojtëse kundër përhapjes së epidemise, sugjerojmë që të vijohet me zbatimin rigoroz të këtyre masave administrative dhe në rast të përsëritjes së veprimeve të paligjshme edhe pas marrjes së masave administrative, Kuvendi mund të parashikojë aplikimin e politikës penale përmes zbatimit të sanksioneve penale, të miratuar vetëm përmes një procedure të rregullt ligjore dhe në respekt të dinjitetit njerëzor dhe parimit të humanizmit.

3 - Shpeshherë vihet re se autoritetet shtetërore në pamundësi për të garantuar zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor në fuqi marrin gjithmonë nisma për forcimin e masave ndëshkimore, për të nxitur frikën si mjet për respektimin e ligjit, gjë e cila nuk ka rezultuar efikase. Mungesa e propocionalitetit dhe efikasitetit të sanksioneve penale është trajtuar gjerësisht në disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës: “(....) eksperienca ka treguar që ashpërsimi jo proporcional i sanksioneve penale nuk ka pasur gjithmonë ndikim pozitiv ose ndikimi ka qenë i papërfillshëm në arritjen e qëllimeve të legjislacionit penal. Si pasojë, gjatë përcaktimit të dënimit, organi legjislativ nuk duhet të ketë parasysh vetëm parimin e parashikimit me ligj të dënimit. Ai duhet që nëpërmjet formulimit të sanksionit t’i mundësojë gjyqtarit dhënien e një gjykimi të drejtë dhe proporcional në raste konkrete, në përputhje me kërkesat e parimit të  shtetit të së drejtës, sigurisë juridike dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit[3]”.

4 - Amendimet e propozuara në Kodin Penal për parashikimin e dënimeve me burgim në rast të mosbindjes ndaj autoriteteve apo shkeljes së rregullave të karantinës vijnë në kundërshtim me politikën penale të ndjekur nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet miratimit të Aktit Normativ Nr.7, datë 23.3.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”.  Ky akt kishte për qëllim marrjen e masave të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale duke garantuar kushtet për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve.

Këto amendime vijnë gjithashtu në kundërshtim me apelin ndërkombëtar që po bëjnë një numër i konsiderueshëm organizatash ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në mbarë globin për uljen e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar që kanë shtetasit e privuar nga liria në institucionet e mbyllura për t’u prekur nga Covid 19. Nisur nga kjo situatë emergjente në institucionet e vuajtjes së dënimit, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (KPT)[4] dhe Komisionerja për të Drejtat e Njeriut[5] kanë reaguar përmes disa deklaratave, ku publikojnë parimet kryesore që duhen respektuar për trajtimin e personave të privuar nga liria si dhe kanë kërkuar marrjen e hapave urgjent për mbrojtjen e të drejtave të tyre nga shtetet përkatëse. Duhet mbajtur në konsideratë se, parimet e KPT-së i referohen edhe nevojës për mbrojtjen e stafit që punon në këto institucione, i cili është gjithashtu i rrezikuar për t’u infektuar nga COVID 19. Këto reagime janë njëkohësisht të detyrueshme për t’u respektuar nga shteti shqiptar.

5 - Nisur nga gjendja e rënduar infrastrukturore e paraburgimeve dhe burgjeve në vendin tonë, mbipopullimit të tyre, qëndrimit tej kapaciteteve të lejuara të personave në një kubatorë të caktuar, vështirësive higjeno-sanitare, Fondacioni vlerëson se zbatimi i masave penale për këto raste do të shtonte akoma dhe më shumë rrezikun e përhapjes së infeksionit COVID 19 tek personat e privuar nga liria, stafi i këtyre institucioneve dhe familjarët e këtyre të fundit.

6 - Dënimi me burgim, duke konsistuar në një privim të lirisë, është konceptuar në të drejtën penale, edhe në kuptim të parimit të favor libertatitis, si extrema ratio. Pra, duke qenë se dënimi me burgim passjell sakrifikimin maksimal të lirisë personale të personit, kjo e fundit e  mbrojtur nga Kushtetuta, ai është konsideruar nga ligjvënësi si masa e fundit shtrënguese si dhe dënimi më i rëndë ndër dënimet kryesore[6].

Qëndrimi i mësipërm rekomandohet edhe nga Dokumenti informativ i Këshillit të Europës SG/Inf(2020)11 7 Prill 2020[7], i cili parashtron se: “Neni 5.1(e) i KEDNJ  specifikon se parandalimi

i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse është një prej arsyeve, për të cilat një person mund të privohet nga liria e tij. Para marrjes së kësaj mase, shtetet pritet të kontrollojnë nëse ekziston një bazë ligjore relevante dhe të shqyrtojnë nëse masat që çojnë në privimin e lirisë janë rreptësisht të nevojshme përkundrejt masave të tjera alternative më pak shtrënguese”.

7 – Propozimet ligjore parashikojnë dënime të ashpra dhe joporpocionale, në mungesë të një raporti të drejtë midis rrezikshmërisë së veprës penale dhe shkallës së fajit të autorit.  Vlerësojmë se duhet të realizohet një ndarje ndërmjet subjektit i cili nuk është mbartës i infeksionit, por ka detyrimin të zbatojë rregullat e përgjithshme kufizuese, dhe nga ana tjetër subjektit i cili është mbartës i infeksionit ose ka rrezik të jetë mbartës dhe për këtë shkak është vendosur në izolim ose karantinë. Ky diferencim do të garantojë që masat e dënimit të caktohen në proporcion me shkallën e fajësisë së subjektit, i cili konsumon veprën penale dhe pasojat që kanë ardhur si rrjedhojë e shkeljes marrëdhënies juridike të mbrojtur nga legjislacioni penal.

8 – Dipozitat e propozuara  parashikojnë në të njëjtën kohë dy dënime kryesore, dënimin me gjobë dhe dënimin me burgim. Zbatimi i dy dënimeve kryesore është trajtuar gjerësisht nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese[8], e cila e ka cilësuar si parashikim i cili nuk është në përputhje me Kushtetutën pasi bën që dënimi mos të jetë në proporcion me gjendjen që e ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit Për rrjedhojë, propozojmë që nëse procedohet me plotësimin e legjislacionit penal me dispozita të reja, në asnjë rast nuk duhet të parashikohet aplikimi i dy dënimeve kryesore për të njëjtën vepër penale.

9 – Pavarësisht nga sa më sipër, Fondacioni vlerëson se ka nevojë për plotësim të Kodit Penal me parashikime të sanksioneve penale në rastet kur personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve të kryera me dashje ose si pasojë e shkeljes së urdhrit të izolimit përhap sëmundje infektive që mund të shkaktojë epidemi tek personeli mjekësor ose/dhe tek njerëzit. Kjo ndërhyrje propozojmë që duhet bërë në seksionin e veprave penale kundër shëndetit.

10 – Në lidhje me dispozitat e propozuara, në kuadër të parimit të individualizimit të dënimit, vlerësojmë që cdo veprim dhe mosveprim duhet parashikuar nëpërmjet një rregullimi të posacëm për:

  • subjektin i cili nuk është mbartës i infeksionit, por shkel kufizimet e përcaktuara në rregullat, vendimet dhe urdhrat e organeve publike, pasi është dhënë më parë masë administrative;
  • subjektin i cili është në izolim ose karantinë dhe shkel legjislacionin parandalues në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore ose gjendjes së jashtëzakonshme;
  • rastet kur nga vepra ka ardhur dëmtimi i shëndetit të një ose disa personave;
  • rastet kur nga vepra ka ardhur vdekja e një ose më shumë personave.

 

Në përfundim, Fondacioni tërheq vëmendjen se ka nevojë për një rishikim të masës së dënimeve me burgim të propozuar për secilën nga veprat e mësipërme si dhe të marxheve të dënimit minimum dhe maksimum të tyre për të qenë sa më të drejta dhe propocionale gjithashtu dhe me kategoritë e tjera të veprave penale të parashikuara në Kodin Penal.

 


[1] Shih vendimet Gjykatës Kushtetuese nr.19, datë 03.05.2007, nr.9, datë 23.03.2010 dhe Vendimin nr.23, datë 08.06.2011.

[2] Shih Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 5, datë 05.02.2014.

[3] Shih vendimet nr.13, datë 29.05.1997, nr.65, datë 10.12.1999, nr.47, datë 27.06.2012 dhe nr. 9 datë 26.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese.

[6] Shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.19, datë 01.06.2011 dhe nr. 47 datë 26.07.2012

[8] Shih vendimet Gjykatës Kushtetuese nr. 47 datë 26.07.2012; nr. 12 datë 19.03.2015.