OSFA PREZANTON PLATFORMËN E ANGAZHIMIT KONSTRUKTIV PËR ARSIMMIIN DHE PUNËSIMIN E KOMUNITETIT ROM DHE EGJIPTIAN

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në kuadër të projektit “Inclusive EduJobs – Për më shumë mundësi arsimimi dhe punësimi për Romët dhe Egjiptianët në Shqipëri” i cili financohet nga Bashkimi Evropian, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi Platformën e Angazhimit Konstruktiv. Platforma e Angazhimit Konstruktiv është një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes strukturave të qeverisjes lokale dhe atyre qendrore dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, ka për qëllim hartimin dhe zbatimin e politikave dhe shërbimeve në funksion të rritjes së punësimit dhe cilësisë së arsimit për pakicat rome dhe egjiptiane në Shqipëri.

Në prani të përfituesve të drejtpërdrejtë nga komuniteti rom dhe egjiptian, organizatave të shoqërisë civile, autoriteteve politik-bërëse dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri, Platforma nisi punën konkretisht duke synuar të kthehet në një katalizator të ndërveprimit midis komuniteti rom dhe egjiptian dhe institucioneve përmes ndërveprimit të palëve të përfshira.

Drejtori i Fondacioneve për Shoqëri të Hapur për Ballkanin Perëndimor, Z. Andi Dobrushi u shpreh se platforma përpos të gjithave risive që sjell në realizimin e objektivave dedikuar garantimit të një jetë cilësore për komunitetin rom dhe egjiptian, do të thjeshtojë jetën për këtë komunitet në Shqipëri. “Kjo Platformë do të shërbejë si një model i bashkëpunimit në Shqipëri por edhe më gjerë në rajon. Ajo i mundëson komunitetit të flasë me zërin e vetë individëve. Unë besoj se ajo do të kthejë në realitet projektet dhe politikat për të krijuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik, arsimor, identitar dhe politik” tha ai.

Platforma e Dialogut Konstruktiv e financuar nga Bashkimi Europian në Shqipëri në kuadër të projektit projektit “Inclusive EduJobs – Për më shumë mundësi arsimimi dhe punësimi për Romët dhe Egjiptianët në Shqipëri”, për Kreun e Bashkëpunimit në Delegaciinin e BE-së në Shqipëri, Z. Hubert Perr ecën në të njëjtën linjë me vlerat e vetë familjes europiane. “Bashkimi Evropian është krijuar si një bashkim ekonomik, por në të njëjtën kohë edhe si një organizatë e vlerave të përbashkëta për mundësi dhe të drejta të barabarta, elemente të cilat pasqyrohen në këtë projekt dhe gjithashtu në Platformën e Bashkëpunimit Konstruktiv. Ne e vlerësojmë partneritetin mes qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile në ndërtimin e këtyre vlerave, vlerave të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Denada Seferi, e vlerësoi prezantimin e platformës si një instrument shumë të rëndësishëm në forcimin e dialogut të hapur dhe gjithpërfshirës midis autoriteteve politik-bërëse dhe komunitetit rom dhe egjiptian në vend. “Ne garantojmë partneritet aktiv dhe të vazhdueshëm për këtë Platformë, me plane konkrete për ta replikuar këtë model me grupe të tjera. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të mikpresë Platformën duke koordinuar përpjekjet dhe punën mes aktorëve qëndrorë dhe lokalë, me organizatat e shoqërisë civile të cilat do të luajnë një rol kyç në këtë hapësirë dialogu”.

Platforma e Angazhimit Konstruktiv do të zhvillojë 12 workshop-e dhe 6 seminare, gjatë të cilave do të diskutohet konkretisht mbi hartimin dhe zbatimin e politikave të cilat lidhen drejtpërdrejtë me komunitetin rom dhe egjiptian në Shqipëri. Në fokus të punës do të jetë qasja e individëve nga këto komunitete në skemat e mbështetjes për arsimin dhe punësimin në nivel qendror dhe lokal.

Inclusive EduJobs është një projekt që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkia Tiranë dhe Qendra për Veprim dhe Inovacion Social (KMOP).