Përfundon mes entuziazmit, dialektikës dhe komunikimit pro aktiv Re-Debate 5.0 - Kampionati Kombëtar i Debatit

Falë kërkesës në rritje nga nxënësit, edicioni i sivjetshëm i projekti Re-Debate filloi tejet ambicioz për nga shtrirja gjeografike dhe numrit të shkollave të përfshira. Ishin plot 50 Shkollat e Mesme (publike, profesionale dhe jo-publike) të përfshira këtë vit, me një shtrirje gjeografike nga veriu në jug të vendit në 17 qytete.

Kampionati nisi në tetor 2019 dhe deri në shkurt 2020 hapësirë iu la trajnimit dhe ndërtimit të skuadrave të debatit, punës së tyre përgatitore dhe hulumtimit mbi temat e debatit. Gjatë kësaj periudhe një hapësirë e veçantë iu dedikua edhe një aspekti shume interesant, përfshirjes së të debatuarit edhe në shkollën 9 vjeçare. Në këtë drejtim Liburnetik Elbasan organizoi një aktivitet me nxënësit e shkollës “Qamil Guranjaku”, ku në qendër u vendos edukimi mbi mendimin kritik duke filluar që në shkollën 9 vjeçare.

Të gjendurit krejt papritur në një situatë pandemie globale si Covid-19 e vuri në sprovë zbatimin e projektit. Nisur nga vështirësitë e hasura u realizuan dy anketime on-line për të gjithë pjesëmarrësit për 500 nxënësit dhe 50 mësuesit e përfshirë. Rezultatet ishin shumë interesante dhe ndihmuese për vijueshmërinë e kampionatit, i cili pas një mirë peshimi të situatës në tërësi, u vendos të vazhdohet on-line përmes platformës Zoom. Pas këtij vendimi, të gjitha skuadrat u angazhuan në mënyrë aktive të vazhdonin përgatitjet, por edhe të ishin pjesë të një sërë aktivitetesh e fushatash ndërgjegjësuese që u organizuan nga LIBURNETIK, si: Photo Caousel – Info graphics; Fushata #UnëRriNëShtëpi; Re-Debate talks.

Maratona e fazave të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Debatit zgjati për një periudhë 4 javore plot energji dhe emocione. Pjesëmarrësit shpalosën strategjitë e tyre, argumente origjinalë dhe i ofruan njëri-tjetrit dhe të gjithë ndjekësve të Re-Debate shprehje të qarta të një qytetarie aktive dhe një fair-play të admirueshëm. Re-Debate përfundoi me sukses Edicionin e III në 11 Korrik 2020 me shpalljen fitues të Gjimnazit ‘Ibrahim Rugova’, Kamëz.

Vlen për tu theksuar se nëse nga njëra anë me realizimin on-line u venitën deri diku disa aspekte të të debatuarit, nga ana tjetër të rinjtë, tifozeritë e shkollave dhe një numër i madh ndjekësish i dhanë projektit më shumë jehonë dhe ndikim. ‘Re-Debate 5.0 – Kampionati Kombëtar i Debatit’ përmbylli misionin e tij me Finalen e Madhe që u transmetua live përmes kanaleve të organizatës Liburnetik. Promovimi i kulturës së debatit arriti të përçohej edhe përmes teknologjisë pa u ndalur nga kushtet e vështira të këtij realiteti të ri, duke theksuar edhe njëherë dëshirën dhe nevojën që të rinjtë e shkollave të mesme shfaqën për të debatuar. Respektimi i ideve, etika në komunikim, bashkëpunimi dhe toleranca në grup, thyerja e tabuve sociale dhe paragjykimeve ishin përbërësit e këtij formati që sollën modelin e mirëfilltë të një debati konstruktiv.

Finalja e këtij e edicioni do të konsiderohet edhe surpriza e Kampionatit Kombëtar të Debatit. Për herë të parë në tre vite qyteti i Tiranës ishte pjesë e finales, dhe përfaqësohej nga një shkollë jo-publike, Shkolla e Mesme ‘New York’ në përballje në finale me Shkollën e Mesme ‘Ibrahim Rugova’, Kamëz. Të dyja skuadrat u vlerësuan nga juria për cilësinë e debatit, etikën dhe qytetarinë e treguar në respektimin e njëri-tjetrit. Edhe pse, tematikat që iu takuan të diskutonin ishin sfiduese për moshën dhe përvojën e tyre, debati në skuadër, ashtu edhe në përballjen mes liderëve arriti dhe tejkaloi nivelin e pritshëm.

Edhe ky edicion u bë i mundur falë mbështetjes së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) si dhe partneritetit të Kongresit Rinor Kombëtar, Bukinist.al dhe Tibo TV.

Për më shumë informacion ju ftojmë të vizitoni faqen e internetit të dedikuar për projektin, kanalin e Youtube dhe faqen e Facebook