Përfundon projekti ‘Laboratori i debatit mbi integrimin Europian në auditorët universitarë’

Projekti “Laboratori i debatit mbi integrimin europian në auditorët universitare”, u zbatua nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) përgjatë muajve Tetor 2019 – Qershor 2020 në qytetet Tiranë dhe Durrës.

Në përfundim të projektit, 104 të rinj (13 skuadra debatuese), studentë të shkencave sociale, ekonomike, juridike dhe humane janë përfitues direkt. Ata kanë marrë përvojën e debatit të strukturuar përmes mentorimit, debatit, kërimit dhe publikimit të artikujve së bashku me 13 pedagogë të trajnuar në 13 universitetet e Tiranës dhe Durrësit. Universitetet më të mëdha përjetuan ringjalljen e një kulture debati të munguar në auditorët universitare duke vënë theksin tek aftësitë kërkuese, analizuese dhe komunikuese të studentëve. Projekti i dha hapësirë dhe peshë perspektivave dhe zërave të studentëve si instrumente fuqizues të rinisë. Ndërkohë, në përfitim të shoqërisë, projekti përmirësoi debatin publik mbi Integrimin Europian duke mundësuar rini të mirë-informuar dhe të angazhuar lidhur me ndikimin shumë-dimensional të integrimit në vend, por edhe më gjerë në Europë si edhe duke nxitur studentët të reflektojnë rreth sfidave aktuale të shoqërise shqiptare si pasojë e COVID19.

Projekti u zhvillua në dy faza: Faza e parë përkoi me Trajnimin e 13 Trajnerëve (mentorëve) lidhur me formatin dhe strukturën e debatit dhjetori 2019 – shkurt 2020. Trajnimet janë fokusuar në formatin dhe tematikën e debatit. U prezantua formati i debatit si një ndërthurje midis Cross-Examination and Karl Popper duke i ofruar studentëve mundësinë të përdorin analizë kritike dhe logjikë të fortë pro dhe kundra për tematika me rëndësi. Tematikat dhe paketa kërkimore u përgatitën me një proces të hapur dhe me pjesëmarrjen e 13 mentorëve dhe sugjerime nga ekspertë të fushës të rrjetit SCiDEV, studentët dhe OSFA. Faza e dytë ishte ajo e përgatitjes së skuadrave dhe debateve në 13 fakultetet përkatëse. Në kushtet e pandemisë COVID-19, me qëllim që të përgatiteshin për mundësinë e zhvillimit të debateve online dhe për të marrë mendimet e studentëve dhe pedagogëve në mënyrë të strukturuar, SCiDEV ndërmori një pyetësor për të vlerësuar kapacitetet dhe mundësitë e studentëve pjesëmarrës për të arritur rezultatet e projektit online. Gjetjet e pyetësorit shërbyen për të informuar vendimmarrjen e SCiDEV lidhur me realizimin e debateve online. SCiDEV publikoi një raport të plotë lidhur me analizën e gjetjeve duke përfshirë edhe rekomandimet përkatëse për masat për të bërë të mundur përfundimin me sukses të projektit. SCiDEV realizoi përshtatjen e formatit të debatit dhe paketës kërkimore duke vendosur edhe burime për ndikimin e COVID19. Trajnimi për formatin dhe tematikat e rishikuara të debatit u realizua online.

Finalizimi i projektit u zhvillua përmes debateve të strukturuara (videot) me 13 skuadrat pjesëmarrëse dhe me moderim të mentorëve dhe ekspertëve të SCiDEV. Përgatitja e të rinjve mbi temat e BE-së nuk përfundoi me debatin, por një hapësirë në formë Blog ju dedikua artikujve nga kërkues të rinj, studentëve të përfshirë dhe palëve të interesuara për të shkruar mbi këtë temë, duke shërbyer si fillesë për diskutime publike me analizë, evidenca dhe reflektime ndryshe nga qasja e deritanishme në Shqipëri. SCiDEV realizoi edhe një botim të plotë përmbledhës të artikujve për të dokumentuar perspektivat e të rinjve dhe për t’i ndarë ato me audienca të tjera.

Studentët morrën pjesë aktive dhe prezantuan arritjet e tyre edhe në konferencën finale të projektit: Debating Europe me pjesëmarrjen e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe Bullgarisë në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë (Programi). Në këtë event virtual, mentorja e projektit Dorina Gjipali prezantoi arritjet e projektit duke u ndaluar më shumë në  rolin e të rinjve në integrimin europian. Gjithashtu studentët përgatitën një raport të ideve dhe argumenteve kryesorë gjatë debatit, mbi bazën e të cilës SCiDEV ka hartuar një dokument përmbledhës me rekomandime për hapat e mëtejshëm. Për më tepër është publikuar edhe një artikull blog për arritjet e projektit dhe rekomandimet.

Pjesa më e madhe e projektit u zhvillua në kushtet e pandemisë dhe është dëshmi e aftësisë së studentëve për tu përshtatur dhe ecur përpara, për tu treguar solidarë dhe për të mbështetur njëri tjetrin si edhe për të dhënë mesazhe ndërgjegjësuse për të tjerët duke paraqitur edhe ide dhe zgjidhje krijuese. Si për shembull nisma ‘#QëndronëShtëpi #QëndroAktiv’ apo përgatitja e video mesazhe për të rritur ndërgjegjësimin për situatën. Projekti gjithashtu tregoi që studentët dëshirojnë të angazhohen, të dëgjohen e të jenë pjesëmarrës, por kanë nevojë për mbështetje për akses, burime dhe zhvillim aftësie. Me rëndësi është zhvillimi i mëtejshëm i mendimit kritik, aftësive kërkuese dhe analizuese si edhe përforcimi i etikës së komunikimit dhe tolerimit për mendimin ndryshe. Për ecurinë e demokracisë në vend, nevojiten të rinj të mirë-informuar dhe të angazhuar, ky projekti dha një kontribut, por ka edhe shumë nevoja në këtë drejtim.

Rekomandime nga projekti për politikëbërësit: 

  • të realizojnë bashkë-dizenjim të politikave me të rinjtë;
  • të vazhdojnë dhe përforcojnë dialogun e strukturuar me të rinjtë sidomos për integrimin europian;
  • të zbusin hendekun e botës digjitale mes të rinjve në situata të ndryshme social-ekonomike;
  • të krijojnë hapësira pjesëmarrjeje dhe angazhimi për të rinjtë;
  • të mbështesin iniciativat dhe nxisin punësimin dhe sipërmarrjen e të rinjve.

 

Për më shumë informacion mbi realizimin e projektit mund të klikoni këtu, dhe mund të ndiqni videon prezantuese dhe një video përmbyllëse. Për më shumë informacion rreth debatit në universitete na ndiqni nëpërmjet faqes së internetit, faqen e Facebook dhe Twitter dhe/ose kontaktoni tek info@scidevcenter.org.