Përfundon projekti Nxitja e punësimit përmes ndërtimit të biznesit social Ustai

Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome (LRER), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, zbatoi projektin “Nxitja e punësimit përmes ndërtimit të biznesit social Ustai”, përgjatë periudhës Korrik 2020 – Maj 2021. Projekti synoi krijimin dhe rritjen e mundësive për punësim të anëtarëve të minoriteteve Rom dhe Egjiptian, të cilët përballen çdo ditë me vështirësi dhe sfida të tregut të punës.

Përmes projektit, LRER u investua në krijimin dhe zhvillimin e një biznesi social të quajtur Ustai, i cili shërbeu si një mjedis që nxiti dhe ofroi mundësi punësimi për këto grupet shoqërore vulnerabël. LRER ndërtoi një skuadër me 4 ustallarë, të cilët ofruan shërbime profesionale në fushën e ndërtimit dhe kopshtarisë për qytetarët e Elbasanit. Menaxhimi i biznesit social, organizimi, mbikëqyrja e punës dhe marrëdhënia me klientin u mundësua përmes kontraktimit të një personi (në të njëjtën kohë dhe usta) që kishte përvojë dhe aftësi në këtë profil pune. LRER me qëllim zhvillimin dhe shtrirjen në treg të biznesit social zhvilloi disa aktivitete promovuese si realizimi i spoteve publicitare 1 dhe 2, prodhimi dhe shpërndarja e fletëpalosjeve dhe posterave, ndërtimi i një fanpage me emrin “Ustai im”, si dhe organizimi i takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë dhe biznese të qytetit. Fokusi primar i biznesit ishte korrektësia, thjeshtësia, dhe garancia e ofrimit të shërbimeve ndaj klientëve.

Gjithashtu biznesi social u konceptua si një mjedis për t’u ardhur në ndihmë edhe të rinjve që vazhdojnë apo kanë mbaruar kurset/shkollën profesionale për të zhvilluar praktikat mësimore dhe për të rritur aftësitë profesionale. Në këtë kontekst u zhvilluan disa takime me të rinj ku ustallarët e Ustait diskutuan me ta, i motivuan dhe i shprehën gatishmërinë e tyre për t’i ofruar mundësinë e ushtrimit të praktikës gjatë punëve që ata do kryenin në vazhdim.

Ky projekt rezultoi i suksesshëm sepse së pari ndikoi në nxitjen dhe punësimin e 4 persona, ndikoi në rritjen e aftësive të ustallarëve sa i takon aspektit të komunikimit dhe marrëdhënieve me qytetarët, zgjerimit të kontakteve dhe menaxhimit të ofertave të punësimit. Gjithashtu, Ustai u vlerësua si një model pozitiv dhe inkurajues edhe për anëtarët e tjerë të komunitetit.

Në vijim, LRER do të synojë marrjen e statusit të Ndërmarrjes Sociale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe përfitimin prej fondeve të saj, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin më tej të biznesit social.

Për më shumë informacion rreth projektit mund të ndiqni nëpërmjet faqes së internetit, faqen e Facebook  dhe/ose kontaktoni tek lrerelbasan@gmail.com.