Përfundon projekti ‘Rinia udhëheq aktivizmin dhe ndryshimin 2017’

Projekti ‘Rinia udhëheq aktivizmin dhe ndryshimin 2017’ ka nisur në vitin 2015 dhe është zbatuar për të tretin vit rradhazi me synim fuqizimin dhe aftësimin e të rinjve shqiptarë drejt aktivizmit. Projekti kërkon të përmirësojë pushtetin vendor përmes rritjes së pjesëmarrjes qytetare duke u fokusuar në katër fusha: transparenca, mjedisi, konsumatori dhe trashëgimia kulturore.

Në muajin shkurt 2017 u publikua në median sociale dhe në faqen e Fondacionit thirrja për aplikime për aktivistë nga e gjithë Shqipëria nga ku u përgjodhën 20 të rinj të moshës 20-30 vjeç nga Kopliku, Tropoja, Lushnja, Lezha, Fieri, Kamza, Pogradeci dhe Petrela. Në përzgjedhjen e aktivistëve edhe këtë vit u ndoq kriteri i përfshirjes së aktivistëve nga qytete më të vogla.

Në pjesën e parë, projekti trajnoi aktivistët me informacionin e nevojshëm mbi a) aktivizmin dhe teknikat e angazhimit në komunitet, dhe b) njohuri për ligjin e vetëqeverisjes vendore. Përmes ekspertësh të fushave të ndryshme, u ndanë njohuri mbi pushtetin vendor, shkrime investigative, risitë që solli ligji i ri për vetëqeverisjen vendore, dokumentarë të aktivistëve të viteve të kaluara si një forme aktivizmi përmes artit të angazhuar, mbrojtja ligjore dhe institucionale e konsumatorit shqiptar, ngritja e bordeve rinore këshillimore, dokumentimi i kauzave dhe përdorimi i mjeteve audioviziale, çështjet e trashëgimisë kulturore, transparenca dhe e drejta e informimit në institucionet e qeverisjes vendore.

Pas mbylljes së ciklit të trajnimeve, çdo aktivist hartoi planin e tij të punës dhe e vuri në zbatim përmes aktiviteteve të ndryshme në terren për periudhën Qershor-Dhjetor 2017. Ҫështjet mbi të cilat u ngritën këto aktivitete ishin: e drejta e informimit për përmirësimin e biblitotekës së shkollës në Zallmer, nxitja e aktivizmit mjedisor në fshatin Zogaj, djaloshi i “Dimalit” për transparencë, rininë dhe kulturën në Urën Vajgurore,  mbetjet urbane të Urës Vajgurore, përfshirja kulturore e të rinjve përmes Fushatës Kombëtare të leximit, transparenca e Këshillit Bashkiak etj.

Ndër aktivitetet që karakterizuan këto fushata përmendim:

  • Projekti nisi aktivitetin këtë vit me ekspozitën instalacion “Është Gjanica” në datat 10-17 Mars 2017. Kjo ekspozitë me 30 fotografi të bëra përgjatë lumit dhe 42 kavanozë të mbushur me ujin e lumit, synoi të thyejë heshtjen e komuniteteve ndaj papërgjegjësisë së pushtetit qendror dhe vendor për ndotjen e lumit Gjanica. Lajmi u transmentua në News 24, Wake Up në Top Channel, si dhe u publikua përmes disa shkrimeve në portalet online. Ekspozita u rikonceptua në formë debati te Reja në kuadër të Ditës së Tokës me ambjentalistin Lavdosh Ferruni.
  • Fushatë advokimi duke përdorur të drejtën për informim: a) bashkisë Lezhë në lidhje me politikat rinore të ndërmarra në dy vitet e fundit; b) bashkisë së Urës Vajgurore në lidhje me planin e pastrimit që ka për mbetjet urbane; c) bashkisë së Tiranës në lidhje me rikonstruksionin e shkollës së mesme ne Kllojkë dhe rehabilitimit të rrugës së fshatit; d) bashkisë së Tiranës në lidhje me buxhetin për rininë 2018 etj.
  • Pas trajnimit të aktivistëve, ata vetë kanë realizuar një sërë trajnimesh për të drejtën e informimit për çështje të ndryshme me të rinjtë në Kamëz, Kllojkë, Ibë, Baldushk, Farkë dhe për çëshjet mjedisore, format e aktivizmit mjedisor dhe lidershipin në fshatin Zogaj në Tropojë.
  • Ditë informimi dhe pastrim i zonave të ndotura në Urë Vajgurore dhe fshatin Zogaj në Tropojë.
  • Dy broshura të rëndësishme janë dizenjuar dhe shpërndarë gjatë këtij viti nga aktivistët e Urës Vajgurore dhe Vorës. Djaloshi i Dimalit, një simbol i përzgjedhur për transparencën dhe rininë në Urën Vajgurore, shpjegon shkurtimisht për qytetarët veprimet që duhet të ndërmarrin për të kërkuar informacion publik dhe të dhënat e kordinatorit të së drejtës për informim në bashkinë e tyre. Ndërsa aktivistët e Vorës kanë përpiluar një broshurë me 6 të drejtat thelbësore që u jep ligji qytetarëve në vendimarrje. Broshurat janë shpërndarë në shtëpitë e banorëve në qytetet përkatëse.
  • Ura Vajgurore si rezidencë aktivizmi ka patur një vit të pasur me aktivitete advokuese dhe janë angazhuar në një sërë projektesh për përmirësimin e shërbimeve publike në qytetin e tyre. Ata shërbejnë si një urë informimi dhe trajnimi për të rinj të tjerë të zonës duke marrë edhe vëmendjen e Ambasadorëve të ndryshëm të akredituar në Shqipëri. Në një dalje mediatike, Vilson Shehu, themelues i Youth of Ura Vajgurore flet për aktivizmin e grupit të tij në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.
  • Vora si një rezidencë aktivizmi ka angazhuar fëmijët e komunitetit Marqinet në Vorë në përgatitjen e një instalacioni “Përtej Lumit”, një punim me dorë për t’i treguar bashkisë Vorë sesi fëmijët e shohin dhe e duan lagjen e tyre. Instalacioni ka për qëllim të ndërgjegjësojë të rinjtë dhe qytetarët për problemet që ka qyteti i Vorës dhe ti nxisë ata që të reagojnë për këto probleme. Gjithashtu gjatë këtij viti ata kanë realizuar një cikël trajnimesh për rritjen e angazhimit rinor në demokracinë vendore dhe një fushatë sensibilizuese ‘Bëj një foto për Vorën’ për të raportuar problematikat e komunitetit.
  • Një pjesë e rezidencave të aktivizmit me kauzat e tyre të lindura dhe të mbështetura më parë nga ekipi i projektit, kanë realizuar me ndihmën e programit të medias, dokumentarë të shkurtër, kandidat për çmime në edicionin Rrathë IV. Aktivist Arlis Alikaj, ‘Unë jam Shkumbini’, aktiviste  Xhentiana Muskaj, ‘Nën Kujtesë’, aktivist Ervin Kurti, ‘Topi i baltës’, aktiviste Iris Canaj, ’Ju flet Tirana’.
  • Në kuadër të aksit të mbrojtjes së konsumatorit, projekti ka shpallur dy konkurse gjatë këtij viti. Fituesit e konkursit të parë mund ti gjeni këtu, ndërsa produket e konkursit të realizuar me të rinjtë e Bulqizës në bashkëpunim me bashkinë e qytetit mund t’i gjeni në faqen Konsumatori Shqiptar.

 

Për më shumë informacion mbi aktivizimin e të rinjve përgjatë këtij projekti na ndiqni në faqen e Facebook dhe në Youtube.