Përfundon Projekti “Rritja e efikasitetit të buxhetit të shtetit përmes zbatimit të konsultimit publik në sektorët prioritarë të buxhetit: nga planifikimi deri në monitorimin e zbatimit të tij.”

Katër organizatat e shoqërisë civile: Qendra për Arsim CilësorTogether for LifeLëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome dhe Qendra Europiane, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, zbatuan projektin ‘Rritja e efikasitetit të buxhetit të shtetit përmes zbatimit të konsultimit publik në sektorët prioritarë të buxhetit: nga planifikimi deri në monitorimin e zbatimit të tij’ përgjatë periudhës Janar-Dhjetor 2020. Projekti synoi të mobilizojë organizatat, grupet e interesit dhe komunitetet që operojnë ose preken nga ecuria e sektorëve të caktuar që të angazhohen në një proces konsultimi efektiv të ndërthurur me një fushatë advokimi me qëllim përmirësimin e financimit të sektorëve apo komponentëve të caktuar me rëndësi të veçantë për ta.

Projekti synoi përmirësimin e zbatimit të plotë të ligjit për konsultimin publik dhe përgatitjen e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2021. Kjo u bë e mundur përmes ndërthurjes së analizës teknike të strukturës dhe nivelit të financimit për sektorët në fokus, shfrytëzimit të detyrimit ligjor të institucioneve publike për të kryer konsultime dhe leximit të nevojave të sektorëve përmes komunikimit me organizatat dhe komunitetit si dhe shfrytëzimit të mjeteve të advokimit. Projekti përzgjodhi: shëndetësinë, mbrojtjen sociale, arsimin, drejtësinë, të cilat janë edhe fushat prioritare të punës së Fondacionit ku dhe operojnë dhe organizata apo komunitete me të cilët fondacioni ka një lidhje të fortë. Nisma u shfrytëzua edhe si një mundësi për rritjen e ekspertizës teknike të organizatave të angazhuara si dhe fuqizimin e tyre përmes ndërtimit të një lidhje më funksionale me komunitetet përkatëse.

Objektivat kryesorë të projektit ishin rritja e bashkëunimit dhe vijimi i punës nëpërmjet platformës së përbashkët të veprimit me organizatat dhe komunitetet në fokus të nismës, përcaktimi i prioriteteve sektoriale dhe hartimi i propozimeve konkrete nga organizatat, për përballimin e situatës së emergjencës COVID-19 dhe përfshirja e tyre në prioritetet që do të buxhetohen për tre vitet në vijim. Gjithashut projekti pati objektiv edhe aftësimin e organizatave për përdorimin e të dhënave nga monitorimi i realizimit të buxhetit dhe të dhëna të tjera nga terreni, për të ndikuar në fazat pasardhëse të procesit të buxhetit si dhe ndjekjen e procesit të buxhetit nga planifikimi deri në monitorimin e zbatimit të tij, duke bashkëvepruar me aktorët kryesorë nga ministritë e linjës deri tek Parlamenti i Shqipërisë.

Puna filloi me analizën e problematikave dhe arritjeve të kaluara me qëllim përmirësimin e ndërhyrjes dhe vijoi me përcaktimin e prioriteteve sektoriale dhe hartimin e propozimeve konkrete nga organizatat, për përballimin e situatës së emergjencës COVID-19.

Bashkëpunimi me Ministritë e Linjës ishte i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe karantina e zgjatur. Megjithatë organizatat nuk e ndërprenë punën, duke kërkuar jo vetëm informacion për mënyrën se si po zhvillohej puna për hartimin e PBA 2021-2023, por edhe duke dhënë informacione të rëndësishme nga terreni, sidomos për sektorët e shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe arsimit. Duke qenë se Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosi të shtynte Fazën Strategjike të përgatitjes së PBA 2021-2023 dhe ta bashkonte atë me Fazën Teknike, u vështirësua edhe më tej ndërhyrja direkte e organizatave për të ofruar ndihmën e tyre me propozime konkrete për ndryshime në buxhet për sektorët e mësipërm. Gjithsesi, organizimi i takimeve online të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Arsimit dhe takimet direkte te organizatave rome dhe egjiptiane me drejtues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe pjesëmarrja shumë aktive e organizatave në seancat dëgjimore në grupet parlamentare, solli rezultatet e mëposhtme:

  • Përfshirja për herë të parë në buxhetin e arsimit profesional të zërit të shpenzimeve që do të mundësojë pagesën e mësuesve ndihmës edhe në këtë arsim.
  • Dhënia e rëndësisë së veçantë të trajnimit të mësuesve në të gjitha ciklet, duke i dhënë prioritet trajnimit të mësuesve ndihmës.
  • Shtimi i vëmendjes për fëmijët në nevojë që vijnë nga familjet rome dhe egjiptiane për të mundësuar ndjekjen e mësimit online në rast të një karantine të dytë.
  • Përfshirja në PBA 2021-2023 të MSHMS e produktit për implantet kokleare.
  • Rritjen në vlerën 100 milionë ALL të buxhetit për strehimin social.
  • Parashikimi i masave specifike që do tu vinë në ndihmë grupeve vulnerabël për të përballuar periudhën e pandemisë, nëpërmjet programeve të punësimit (skemat janë ende në diskutim me shoqërinë civile).

 

Një tjetër arritje e projektit është edhe sinergjia e krijuar ndërmjet organizatave dhe bashkëpunimi në hartimin e ndërhyrjeve konkrete në sektorë si arsimi. Bashkëpunimi me institucionet e pavarura, konkretisht me Komisionerin Kundër Diskriminimit ka qenë një risi sidomos për ndërhyrjet në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit.

Për të mësuar më shumë mbi arritjet e projektit mund të ndiqni faqen e Facebook të projektit duke klikuar këtu. Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e projektit mund të kontaktoni në info@osfa.al.