Përfundon Re-Debate 5.1: Shkolla “Protagonistët” fitues të këtij edicioni

Përfundoi me sukses edicioni i katërt i Kampionatit Kombëtar të Debatit, Re-Debate 5.1 me shpalljen e shkollës së mesme fituese. Në 30 Qershor 2021, në ambientet e Hotel Rogner u zhvillua Finalja e Vogël dhe e Madhe dhe për herë të parë një shkollë jo-publike fitoi vendin e parë në këtë kampionat.

Ky edicion ishte më i veçanti që nga fillimi i projektit, pasi shënoi për herë të parë shtrirjen më të gjerë, në 61 Bashki të vendit me një përfshirje prej 100 shkollash të mesme.

Eksperienca që ekipi i organizatës LIBURNETIK mori gjatë Re-Debate 5.0 shërbeu si një mundësi shumë e mirë për të përmirësuar por gjithashtu dhe për të aftësuar nxënësit debatues jo vetëm në kulturën e debatit, mendimit kritik dhe vlerat e bashkëpunimit në grup por dhe në përdorimin e teknologjisë dhe infrastrukturës së programeve të komunikimit virtual.

Respektimi i ideve, etika në komunikim, bashkëpunimi dhe toleranca në grup, thyerja e tabuve sociale dhe paragjykimeve ishin përbërësit e këtij formati që sollën modelin e mirëfilltë të një debati konstruktiv nga ku duhet të marrin shembull të gjithë. Një mësim për të cilin shoqëria jonë shqiptare ka nevojë dhe padyshim të rinjtë e Re-Debate 5.1 arritën ta servirin shkëlqyer duke hedhur kështu bazat për ngritjen e një shoqërie demokratike me themele të sigurta për të ardhmen.

Ndërsa debatet e fazave të këtij kampionati u zhvilluan tërësisht “online”,  aktiviteti i debateve të finales u zhvillua për herë të parë pas një shkëputje prej afro dy edicionesh si pasojë e pandemisë, me praninë fizike të nxënësve finalistë.

Re-Debate 5.1 u bë i vetmi projekt rinor aktualisht në Shqipëri me shtrirjen më të gjerë territoriale në vend ku përfshiu afro 1,500 të rinj dhe 100 mësues, të cilët patën mundësinë të aftësoheshin dhe të rriteshin me vlerat e mendimit kritik përmes kulturës së debatit.

Aktiviteti u hap me Finalen e Vogël që përcakton vendin III dhe IV, midis Shkollave “Flatrat e Dijes”, Fier dhe Gjimnazit Rrëshen ku Shkolla “Flatrat e Dijes”, Fier u shpall fituese. Finalja e Madhe u zhvillua midis dy shkollave të Tiranës, “Sami Frashëri” dhe “Protagonistët” me Shkollën e Mesme Jo-Publike “Protagonisët” që zuri vendin e parë në Re-Debate 5.1.

Finalja e Kampionatit Kombëtar të Debatit përmbylli projektin Re-Debate 5.1 – “Rigjallërimi i Kulturës së Ndërveprimit dhe Aktivizmit”, i cili zbatohet nga Organizata LIBURNETIK në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkinë Tiranë, United Nations Albania, UNFPA Albania dhe UNICEF Albania (nga SDG FUND nëpërmjet financimit të qeverisë Hollandeze).

Për më shumë informacion ju ftojmë të vizitoni faqen e internetit të dedikuar për projektin, kanalin e Youtube dhe faqen e Facebook. Për të ndjekur videon e plotë të debatit final mund të klikoni këtu.