- Shqip
- English
Përfundon Shkolla e Integrimit Europian 2021

Tematika:
Shkarko Dokumentat:
Pas dy javësh trajnimi intensiv dhe të suksesshëm të organizuar online përgjatë datave 1-15 Nëntor 2021 u mbyll sot edicioni i gjashtë i Shkollës së Integrimit Europian 2021. Shkolla organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian (BE) në Tiranë, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES).
Shkolla e Integrimit Europian është një aktivitet i rëndësishëm në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Këtë vit janë zgjedhur si fitues të kësaj shkolle, 39 nga 132 përfaqësues në total nga kategori të ndryshme. Kështu këtë vit u çertifikuan si pjesëmarrës: 5 përfaqësues nga Organizatat e Shoqërisë Civile, 2 përfaqësues nga sektori privat, 5 lektorë nga universitetet publike dhe private, 18 përfaqësues nga institucionet qendrore, institucionet e varësisë dhe të ato të pavarura, 1 përfaqësues nga media, 6 përfaqësues nga bashkitë, 1 përfaqësues nga partitë politike, 1 përfaqësues nga sindikatat.
Në këtë edicion të pestë të saj, pavarësisht vështirësive të krijuar nga pandemia, kemi vijuar me ndarjen e eksperiencës profesionale në çështjet e integrimit me lektorë nga Komisioni Europian, Drejtoria e Zgjerimit; nga Universiteti Westminister i Londrës, nga Kolegji i Europës, nga Universiteti i Grazit, nga Universiteti i Strasburgut, Selanikut dhe ai Zagrebit si edhe me ekspertë ndërkombëtar në çështjet e negociatave nga vende që e kanë kaluar atë fazë siç është Kroacia, ose që po e kalojnë aktualisht këtë fazë si Serbia dhe Mali i Zi.
Për qëllim të organizimit të kësaj shkolle, ekipi i Sekretariatit Teknik të KKIE, në bashkëpunim me partnerët kanë përgatitur dy broshura: njëra për përmbledhjen e akteve ligjore në fushën e integrimit europian si dhe tjetra që tregon pse është organizuar kjo shkollë, duke përfshirë në të dhe biografitë e lektorëve të saj, në këtë edicion të gjashtë.
Një nga dokumentet më interesantë, i përgatitur si material mbështetës për Shkollën e Integrimit Europian dhe që mund ti vijë në ndihmë të gjithë publikut është Përmbledhja e Bazës Ligjore për Integrimin Europian që mund ta gjeni këtu.
Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës e Integrimit Europian 2021 ju ftojmë të lexoni broshurën e shkollës, axhendën e shkollës për 2021 të cilat paraqesin informacion më të detajuar mbi temat, lektorët. Gjithashtu mund të konsultoni thirrjen për pjesëmarrje dhe listën e pjesëmarrësve. Për më shumë informacion mund të kontaktoni Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në adresën e e-mailit: info.kkie@parlament.al.