Përmbyllet Edicioni i Tretë i Debatit Universitar 2021-2022

Debati rinor për modelin e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë

Kohët po i diktojnë Shqipërisë përballjen me sfida gjithnjë e më të shumëllojshme, me karakteristika dhe prejardhjeve të ndryshme. Stresi dhe pasiguria nga konflikti në Ukrainë që i mori vendin asaj të shkaktuar nga pandemia, gjendja e rënduar ekonomike prej të dyjave, ecuria e avashtë në procesin e integrimit janë më kryesoret nga problemet globale që prekin edhe vendin tonë. Megjithatë, sfida e kurdohershme e Shqipërisë është lokale dhe lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik. Përfshirja e të rinjve në këtë proces është një vlerë e shtuar e paçmueshme, por që duhet shoqëruar me kultivimin e mendimit kritik rreth mundësive dhe metodave për të arritur objektivin madhor. Për këtë arsye dhe duke u bazuar në një traditë të konsoliduar në organizimin e programeve të debateve, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) mbështeti Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) në rrugëtimin për organizimin e edicionit të tretë të debatit universitar mes 14 institucioneve të arsimit të lartë në pesë qytete universitare, përkatësisht Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër dhe Vlorë përgjatë vitit shkollor studentor 2022-2022.

Organizimi

Data 21 qershor 2022 shënoi aktivitetin përmbyllës, që përveçse kurorëzoi një rrugëtim dhe bashkëpunim të suksesshëm, pikë kulminante kishte pikërisht debatin përfundimtar mes dy grupeve më të mira të edicionit të tretë. Dy ekipet e studentëve nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit të Vlorës, i dolën në krye një gare që përfshiu 150 studentë të mentoruar nga 14 pedagogë të dedikuar.

 

Qëllimet e Programit Kombëtar të Debatit Rinor

Në funksion të të krijuarit qytetarë proaktivë, të mirë-informuar dhe të përgjegjshëm për rolin e tyre në hapësirën publike, programi synon të kultivojë mendimin kritik, etikën në komunikim, tolerancën  për të vepruar në jetën publike të studentëve përmes aktivizimit offline dhe online si edhe zhvillimit të aftësive analizuese, kritike dhe komunikuese përmes debatit mbi modelin e zhvillimit social-ekonomik për të ardhmen.

 

Bashkëpunimi për Edicionin e Tretë të Debatit Universitar

SCiDEV punoi me studentët për të zhvilluar aftësitë e tyre kërkimore dhe advokimin e bazuar tek evidencat dhe të dhënat përmes debatit për të kaluar ‘nga fjala tek veprimi’ si një instrument për aktivizimin dhe nxitjen e të rinjve për tu angazhuar në sferën publike. Rezultatet e projektit mund të përmblidhen si më poshtë:

  • Konsolidimi i kulturës së debatit në 14 universitete, duke nxitur përdorimin e analizave dhe të menduarit kritik, etikë të lartë në komunikim, tolerancë dhe vlera të qytetarisë aktive dhe nxitjen e debatit mbi një nga politikat kryesore zhvillimore siç është arsimi.
  • Aftësimin e 150 studentëve dhe kërkuesve të rinj nëpërmjet organizimit të: i) 1 set trajnimi online për 150 studentët e organizuar online për formatin e debatit; ii) Program Zhvillimi për aftësitë kritike, digjitale, aktivizimi, veprimi dhe jeta publike, njohja e të drejtave dhe detyrimeve si studentë; si të ndikojnë drejtimin e universitetit, si të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese, aktivizmi online, përdorimi i mjeteve digjitale për të ndërmarrë veprime konkrete si qytetarë të angazhuar në jetën publike.
  • Organizimi i 14 debateve të brendshme në fazën e parë, 14 debate mes universiteteve dhe 1 debat final kombëtar.

 

Në përfundim të programit të debatit, SCiDEV nisi edhe zbatimin e projektit për pjesën “Nga fjala tek veprimi” duke mbështetur 12 studentë që kanë spikatur gjatë zhvillimit të debateve, të cilëve po i ofrohet mbështetje për të vënë në jetë nismat e tyre. Duke u fokusuar në sfidat e sektorit të arsimit të lartë, SCiDEV mblodhi propozimet e tyre dhe ofroi mentorim për realizimin e tyre, zbatimin dhe konkretizimin për të kaluar më pas tek advokimi dhe promovimi publik i produkteve.

Përfshirja në program

  • 14 pedagogë si koordinatorë universitarë dhe mentor për funksionimin e skuadrave të debatit dhe lehtësimin e realizimit të debateve;
  • 150 studentë dhe kërkues të rinj nga universitetet publike dhe private si pjesëmarrës në skuadrat e debatit dhe përfitues direkt të programit të zhvillimit të kapaciteteve;
  • 12 studentë prej tyre përfitues të programit ‘Nga Fjala tek Veprimi’;
  • 14 institucione të arsimit të lartë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë
  • Këshillat studentorë, klubet studentore dhe organizime të tjera të studentëve në universitet apo komunitet.

 

Për më shumë informacion mund të kontaktoni në info@osfa.al dhe/ose klikoni në faqet e internetit të projektit DebateLab, si dhe ndiqni publikimet në Facebook SCiDEV dhe Twitter SCiDEV Center.

Debati përfundimtar