Porta Vendore: Thirrje per shkrime investigative

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Porta Vendore, një platformë multifunksionale online – projekt i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, financuar nga LevizAlbania, shpall Thirrjen për shkrime investigative në fushën e qeverisjes vendore dhe demokracisë në nivel lokal.

Objektivi është evidentimi dhe ekspozimi i shkeljeve, parregullsive, mos-përmbushjes së detyrimeve ligjore, korrupsionit dhe cënimit të të drejtave social-ekonomike nga vendimmarrja apo veprimtaria e organeve dhe zyrtarëve të qeverisjes vendore.

Prioritet do t’i kushtohet propozimeve që do të trajtojnë një apo disa nga çështjet e mëposhtme : 

  • Raste korrupsioni ose abuzimi me postin publik në administratën vendore;
  • Favorizim, nepotizëm ose mungesë transparence në marrëdhënie të ndryshme kontraktuale; Kontratat me negocim ose tenderat me vetëm një konkurrent efektiv;
  • Ekzekutim i punëve publike para bërjes së tenderit dhe zhvillimi i proceseve tenderuse në formë fiktive;
  • Keqmenaxhim i burimeve natyrore ose pronave publike;
  • Ndryshime jo transparente/pa procedurë në administratën lokale ose në emërime;
  • Emërimet e Kryepleqve (Këshill vs Kryetar/e);
  • Mungesë aktesh normative dhe rregullative në nivel vendor (çfarë krijon terren për mungesë transparence dhe korrupsion në ofrim shërbimi);
  • Mungesë raportimi në Këshillin Bashkiak për buxhetet faktike (kërkesë ligjore);
  • Rasti i vlerësimit të aseteve pa emër eksperti në fund;
  • Transferim vote ndërmjet anëtareve të forcave të ndryshme politike në Këshillin Bashkiak për qëllime përfitimi apo nepotizmi;
  • Mungesë taksimi për zënie të hapësirës publike;
  • Lidhje kontrate ofrim-shërbimi pa një akt rregullativ për shërbimin në fjalë;
  • Abuzim, mos veprim apo cënim të drejtash në sektorin e shërbimeve sociale

 

Aplikimi është i hapur për të gjithë gazetarët profesionistë në Shqipëri, të punësuar pranë një media apo në profesion të lirë.

Nëpërmjet kësaj Thirrje, 3 (tre) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikujt investigativë në fushën e pushtetit vendor,  që do të publikohen te  www.portavendore.al. 

Fituesit, të cilët do të përzgjidhen nga një juri e pavarur gazetarësh dhe ekspertë të fushës, do të përfitojnë një pagesë prej 500 CHF për të realizuar punën hulumtuese,  dhe do të kenë një kohë 2- 3 mujore për të përfunduar investigimin e tyre.

Gazetarët duhet të dërgojnë propozimet e tyre sipas këtij formulari aplikimi, një CV dhe disa shembuj të punëve së tyre me e-mail ne adresën : info@portavendore.al

Afati i Aplikimit: 16 korrik, 2018