Prezantohen gjetjet e Studimit “Pandëshkueshmëria - Opinioni publik mbi kuptimin, arsyet dhe rolin e institucioneve", realizuar nga IDRA në bashkëpunim me OSFA

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Studimi “Pandëshkueshmëria si Perceptim dhe Eksperiencë e Qytetarëve Shqiptare” u krye nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) në periudhën kohore Tetor 2016 - Janar 2017. Studimi u mbështet si teknikisht, ashtu edhe financiarisht nga  “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Ky studim bazohet në një Anketë Kombëtare me 1200 persona me moshë 16 vjeç e lart (nga të cilat 200 vetëm  për të rinjtë nga 16 - 24 vjeç).

Qëllimi i valës së dytë të studimit është të krahasojë ndryshimet e perceptimeve të qytetarëve përsa i përket fenomenit në vend, si rrjedhojë e reformave të ndërmarra nga qeveria, apo edhe zhvillime social-politike në vend në këtë periudhë.

Ashtu si në valën e parë të studimit në 2014, studimi këtë vit, synon të hulumtojë përmes një sondazhi përfaqësues kombëtar, shkallën e perceptimit të fenomenit të “Pandëshkueshmërisë”, kuptimin e këtij fenomeni nga popullsia e gjerë, ndikimin e institucioneve të ndryshme në përhapjen apo ndalimin e këtij fenomeni dhe faktorët (kulturorë, social apo ekonomik) që ndikojnë në ekzistencën e këtij fenomeni.

 

GJETJET KRYESORE

Interesi i shqiptarëve ndaj çëshjteve problematike me të cilat vendi po përballet, ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit. Fokusi kryesor mbeten çështjet politike, sociale si dhe ekonomike, ku mbi 71% e të anketuarve deklarojnë të jenë të paktën deri diku të interesuar (43%), si dhe shumë të interesuar (28%) për këto çështje. Megjithëse rritja e interesit të publikut të gjerë rreth problematikave në Shqipëri ka qenë graduale gjatë dy viteve të fundit, është e rëndësishme të përmendet që interesi specifikisht i femrave ka pësuar një rritje të konsiderueshme (+4% shumë të interesuara dhe +5% deri diku të interesuara), ndërkohë që numri i femrave që deklaruan se nuk janë aspak të interesuara ndaj këtyre çështjeve ka rënë në 18% (nga 26% në vitin 2014).

Ekonomia dhe Korrupsioni / Keqqeverisja figurojnë sërish si dy dimensionet më problematike në Shqipëri, por me një rënie të lehtë përsa i përket frekuencës së natyrës së tyre problematike. Ekonomia vazhdon të jetë problem kryesor (82%) me të cilin përballen Shqiptarët, por me zbutje të lehtë (-7%) në radarin e tyre të problemeve, krahasuar me dy vite më parë. Ngjashëm edhe në rastin e Korrupsionit dhe Keqqeverisjes i cili gjithashtu duket se është zbutur me 5%, krahasuar me vitin 2014. Ndërkohë publiku ka shtuar një pjesë të vëmendjes në problematika të konsideruara si më dytësore në të kaluarën, si Shëndetësia (69% shumë problem), Arsimi (60% shumë problem) dhe Ndotja e Mjedisit (59% shumë problem).

Megjithëse “Televizioni” rezulton sërish si burimi kryesor i informacionit lidhur me lajmet, “Interneti” dhe më në veçanti  “Rrjetet Sociale” po kthehen në një medium të rëndësishëm informimi për publikun shqiptar. Një numër i konsiderueshëm të anketuarish deklarojnë se tashmë përdorin Internetin dhe më specifikisht faqet e agjencive të lajmeve (44%) si dhe Rrjetet Sociale (56%) për tu informuar. Ndërkohë ndryshe nga viti 2014, Biseda me Familje, Të Afërm për tu informuar rreth lajmeve ka një rënie tepër të konsiderueshme nga 44%, në më pak se 1% në vitin 2016, një indikator që tregon se interneti dhe rrjetet sociale janë kthyer në një qasje të drejtpërdrejtë drejt informacionit, duke paraprirë kështu, dimensionin e kontaktit ndërnjerëzor.

Media vazhdon të qëndrojë aktori më i suksesshëm përsa i përket hetimit dhe raportimit të shkeljeve të ligjit, nga zyrtarët e lartë në Shqipëri. Media gjithashtu konsiderohet se bën një punë të mirë në këtë aspekt, pavarësisht se shpesh e sheh veten si të kufizuar nga interesa politike dhe ekonomike të cilat e pengojnë në punën e saj të përditshme. Sipas të anketuarve me rritjen e presionit ndaj Medias ditët e sotshme, si nga zyrtarët e lartë, ashtu dhe nga persona të implikuar në interesa politike dhe ekonomike, po bëhet gjithmonë edhe më e vështirë që ato të vijojnë me punën e tyre investigative, si dhe të mbajnë një qasje përgjithësisht kritike ndaj qeverisë. Kjo është edhe më evidente duke marrë parasysh që mbi 78% të publikut të gjerë (krahasuar me 70% në vitin 2014) mendojnë se Mediat pranë qeverisë në Shqipëri janë përgjithësisht më të privilegjuara nga kjo e fundit, duke marrë kështu favore të ndryshme ekonomike dhe politike gjatë aktivitetit të tyre.

Shumë pak të anketuar deklarojnë të kenë kryer aktivitete të ndryshme përsa i përket denoncimit të shkeljeve të ligjit, abuzimeve, ose ndonjë shpërdorimi detyre të mundshëm, si gjatë 12 muajve të fundit, ashtu edhe më herët. Pavarësisht frekuencës së ulët të dukurisë, pjesëmarrja në protesta apo marshime figuron si mënyra më e pëlqyer për të reaguar ndaj një shkeljeje ligji, abuzimi ose shpërdorimi detyre, ndërkohë aktiviteti ka qenë minimal për të gjitha format e tjera të reagimit qytetar. Sidoqoftë, të pyetur hipotetikisht, rreth 1 në 2 të intervistuar deklarojnë se janë të gatshëm të bëjnë diçka të tillë në të ardhmen, sidomos në rastin e kontaktimit në mënyre direkte të një zyrtari publik të çdo niveli të qeverisë (51%), ose telefonimit të një programi televiziv / shkrimit në gazetë ose revistë ose dërgimit të një mesazhi te ndonjë media apo zyrtari (49% për të dyja rastet).

Fenomeni i pandëshkueshmërisë lidhet ngushtësisht me dimensionin e ligjit, moszbatimin e tij në plan të parë, mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë në plan të dytë, si dhe korrupsionit, si një lehtësues i kushteve për prevalencën e fenomenit. Pak pjesëmarrës mendojnë se ligjet mungojnë, ose cilësia e tyre është e dobët (21%). Ligjet sipas të anketuarve, ekzistojnë, janë përgjithësisht të sakta, por nuk zbatohen, për faj të korrupsionit (sipas 96% faktori kryesor i përhapjes së fenomenit) i cili e bën të pamundur funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend. Gjithashtu mbi 70% e të anketuarve mendojnë se fenomeni i pandëshkueshmërisë është Shumë i Përhapur në Shqipëri, ndjekur nga 26% që mendojnë se ky fenomen është Deri Diku i Përhapur, një indikator i pastër i unanimitetit të perceptimit të popullit shqiptar rreth këtij fenomeni.

Ligji në Shqipëri, vazhdon të veprojë ndryshe për qytetarët e thjeshtë dhe ndryshe për zyrtarët e lartë. Kontrasti midis asaj çfarë mendojnë qytetarët përsa i përket mundësisë që ata vetë të ndëshkohen për shkelje ligjore dhe asaj që ata mendojnë se ndodh me një zyrtar të lartë për të njëjtat shkelje, vazhdon të jetë i konsiderueshëm. Të vendosur përpara disa skenarëve hipotetikë për shkelje të ndryshme ligjore, të anketuarit kanë dhënë përgjigje se sa mundësi ka që ata të kapen dhe të ndëshkohen për to. Indeksi i Pandëshkueshmërisë Personale shënon 70 pikë në shkallën 0 deri në 100, kurse Indeksi i Pandëshkueshmërisë së Zyrtarëve të Lartë shënon vetëm 29 pikë, në po të njëjtën shkallë dhe për të njëjtat shkelje. Krahasuar me studimin e vitit 2014, mundësia për tu ndëshkuar për shkelje ligjore është rritur si për qytetarët (+8 pikë), ashtu edhe për zyrtarët e lartë (+4 pikë).

Për të matur perceptimin e publikut mbi nivelin e ndëshkueshmërisë/ pandëshkueshmërinë si dhe për të vlerësuar në një farë mënyre “tolerancën publike” ndaj shkeljeve të ndryshme ligjore u ndërtuan skenare të ndryshme që ju paraqitën të anketuarve. Për çdo skenar, të intervistuarve u është kërkuar të japin një vlerësim mbi: i) nevojën për të ndëshkuar palët e përfshira në shkelje/ skenare dhe ii) ndëshkueshmërinë “reale” të secilës shkelje, pra sa mundesi ka që ky ndëshkim të ndodhë.

Një mesatare e përgjithshme prej 48 pikësh është arritur në bazë të opinionit të publikut të gjërë, shumë afër vijës së mesme të ndëshkueshmërisë, përkthyer ndryshe edhe si “për çdo shkelje, zakonisht hapet një hetim, por nuk arrin në konkluzion”. Të anketuarit u përgjigjën për 10 skenarët që synonin të masnin nivelin e tolerancës përsa i përket shkeljeve të ndryshme dhe perceptimin lidhur me nivelin e ndëshkueshmërise / pandëshkueshmërisë së këtyre shkeljeve (në rastin kur informacioni merret nga Media dhe bëhet publik). Pothuajse asnjë skenar nuk ka tejkaluar vijën e mesme të ndëshkimit dhe diferencat midis skenarëve të ndryshme janë përgjithësisht jo të konsiderueshme, krahasuar me vitin 2014. Ndërkohë ndryshe nga skenarët e tjerë, rasti i “Akuzave për krime në parlament”, arriti të shënontë 69 pikë në shkallën prej 100 pikësh. Sipas opinionit publik, në rastin e akuzave për krime në parlament, është e mundshme që përgjegjësi kësaj here të kapet dhe dënohet, sipas ligjit, një rezultat shumë ndryshe, krahasuar me dy vite më parë, ku i njëjti dimension figuronte me vetëm 26 pikë. Ky është një tregues që proçedimet e disa parlamentarëve gjatë dy viteve të fundit, kanë ndikuar pozitivisht në opinionin e publikut.

Publiku i gjerë tregohet pesimist, gjatë vlerësimit të punës së gjyqësorit, gjatë vitit të fundit. Më shumë se 1 në 3 të anketuar (37%) zgjedhin të jenë neutralë (si pasojë e mungesës së përvojës për të dhënë një vlerësim specifik), ndërkohë që rreth 40% zgjedhin të përgjigjen negativisht duke e vlerësuar atë si “Keq” (20%) ose “Shumë Keq” (20%). Gjithashtu, kur vlerësohet paanshmëria e gjyqtarëve gjatë dhënies së drejtësisë, vetëm 11% e publikut mendon së gjyqtarët janë të drejtë, ndërkohë që shumica dërrmuese e të anketuarve (87%) deklarojnë së gjyqtarët nuk janë të paanshëm, por të influencuar gjatë dhënies së drejtësisë.

Populli shqiptar duket se është mesatarisht i informuar rreth reformës në drejtësi. Informacioni që publiku i gjerë ka rreth reformës në drejtësi, të sapo miratuar në Shqipëri, duket se ndodhet në nivele mesatare, me 2.6 pikë, në një shkallë me një maksimum prej 5 pikësh.

Pritshmëritë e shqiptarëve lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi janë të dyzuara. Duke marrë parasysh aprovimin me konsensus të paketës së ndryshimeve kushtetuese, afërsisht 42% e të anketuarve shprehen optimistë për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërkohë që po aq (41%), deklarojnë që reforma nuk do të zbatohet gjithsesi.

Publiku i gjerë shpreh pesimizëm, edhe përsa i përket ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me më shumë se 2 në 3 të anketuar, të cilët deklarojnë se ky ligj nuk do jetë aspak i suksesshëm (27%) ose deri diku jo i suksesshëm (37%).

Shqiptarët përgjithësisht nuk mendojnë se rritja e rrogës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do ndikojë në uljen e korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë. Më shumë se 2 në 3 të anketuar (72%) shprehen kundër rritjes së rrogës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një ndër masat e propozuara për të luftuar korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë.

Të anketuarit zgjedhin të vlerësojnë pozitivisht punën e Policisë së Shtetit, por mendojnë se ligji nuk zbatohet njësoj për te gjithe edhe nga ky institucion. Megjithëse figuron si institucioni publik më i vlerësuar përsa i përket dimensionit të besimit, ka një serë problemesh të brendshme si dhe të jashtme, që e bëjnë të vështirë ushtrimin e detyrës dhe kompetencave, sipas standardit të kërkuar.

Publiku i gjerë e vlerëson më së shumti negativisht punën e prokurorisë së përgjithshme gjatë vitit të fundit (22% Keq dhe 18% Shumë Keq) ose zgjedhin të mos bëjnë një vlerësim specifik, duke deklaruar “As Mirë, As Keq” (35%), që vjen si pasojë e mungesës së informacionit, ose përvojës direkte me punën e prokurorisë. Të anketuarit gjithashtu shprehen në një masë të madhe (87%) shumë të qartë se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, nga ky institucion.

 

Mostra e anketës

Numri i intervistave

Periudha e terrenit

Toleranca e gabimit

Publik i gjerë,

1000+200

Tetor-Dhjetor 2016

± 3.2%

Përfaqësues kombëtar

(kampion shtesë me të rinj)

 

95% Interval Besueshmërie