Publikohen Gjetjet Përfundimtare të Sondazhit Social Europian

Për herë të parë Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) mundësoi që Shqipëria të bëhej pjesë e Sondazhit Social Evropian (European Social Survey - ESS). 

ESS është një vrojtim akademik që kryhet çdo dy vjet në të gjithë Evropën që nga 2001 për shtatë raunde. ESS ka për qëllim të monitorojë ndryshimet sociale dhe politike në Evropë duke përdorur standardet më të larta metodologjike. Deri sot 36 vende evropiane kanë marrë pjesë të paktën një herë në një raund dhe shumë prej tyre kanë marrë pjesë në të gjitha raundet. Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në raundin e gjashtë në 2012.

 Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1,208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave komjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor në kalimin e tyre nga letra në kompjuter, por edhe problematikat e njohura me ndershmërinë në intervistim. 

ESS në raundin e tij të gjashtë, u krye në mbi 30 vende të Evropës për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Pyetësori mbuloi çështje të lidhura me përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre.

Realizimi i Sondazhit Social Evropian koordinohet nga zyrat qëndrore në City University London. ESS siguron infrastrukturën më të madhe kërkimore që përmban rreth 300,000 intervista nga e gjithë Evropa. ESS tashmë është përdorur nga më shumë se 60,000 njerëz në mbarë botën në mijëra publikimeve. ESS me rezultatet e saj ka ndikuar politikbërjen dhe ka çuar përpara standardet më të larta të organizimit të vrojtimeve në nivel ndërkombëtar.

Do të inkurajonim të gjithë studiuesit të përdornin gjetjet e sondazhit mbi Shqipërinë që mund ti krahasojnë ato me rezultatet e 30 vendeve europiane që kanë qenë pjesë e ESS. 

 

Për të parë rezultatet e sondazhit ju lutem trokitni këtu.

Për më shumë informacion mbi aktivitetin e promovimit, gjetjet paraprake të sondazhit trokitni këtu.

Për pyetje dhe komente që mund të keni lutemi kontaktoni në adresën tonë të emailit info@osfa.al