Takim Kryetar i Bashkisë Fier me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në 3 Qershor 2021 për diskutim bashkëpunimi

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është angazhuar në mbështetje të fuqizimit të grupeve të margjinalizuara në shumë sektorë. Në qytetin e Fierit ky angazhim i fondacionit është përqendruar në aftësimin e katërmbëdhjetë familjeve Rome në bujqësi, përmes ngritjes së modelit të bashkëpunimit në një ferme me sipërfaqe 12.5 hektarë.

Më datë 3 Qershor 2021, Drejtori i Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Z. Andi Dobrushi zhvilloi një takim me Kryetarin e  Bashkisë së Fierit, Z. Armando Subashi me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpuniit për mbështetjen e projketeve të përbashkëta në këtë bashki.  

Fondacioni po mbështet aktualisht projektin ‘Angazhimi dhe fuqizimi i grupeve vulnerabël në sektorin e bujqësisë’ i zbatuar nga Shoqata e Resurseve Gjenetike të Bimëve (AGPR) përgjatë periudhës Korrik 2020 – Korrik 2021.

14 familje Rome në Baltëz, Fier, janë bërë bashkë duke mundësuar fuqizimin e tyre ekonomik nëpërmjet prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore. Projekti bëri të mundur krijimin e dy parcelave me sipërfaqe 12.5 ha që më parë ishin të copëzuara të bashkohen dhe të kultivohen duke mekanizuar proceset e punës dhe duke zbatuar një teknologji e lartë nëpërmjet këshillave të specializuara të AGPR. Përveç krijimit për herë të parë të një ferme të përbashkët, 14 familjet kanë bërë të mundur krijimin e një shoqate fermerësh dhe mbas marrjes së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, janë në proces për marrjen e çertifikasë së pronësisë.

Ky model organizimi dhe mbështetje i fermerëve në komunitetin e Baltëz ishte në fokus të diskutimeve me Bashkinë e Fierit për të parë mundësitë e mbështetjes së këtij modeli të suksesshëm i cili mund të zgjerohet dhe përsëritet edhe në fshatërat e tjera të Bashkisë Fier.

Në këtë takim të frytshëm u bisedua edhe për aktivitetet e të dy palëve, duke përfshirë këtu mundësitë për përmirësimin e gjendjes social-ekonomike të komunitetit rom, mbështetjen e fermerëve për çertifikimin dhe rritjen e prodhimeve bujqësore si dhe zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.

Z. Armando Subashi prezantoi ecurinë e punëve të kryera deri tani mbi përmirësimin e jetesës së komunitetit rom në Bashkinë e Fierit. Z. Subashi shprehu interesin dhe anagazhimin e Bashkisë Fier për të mbështetur projektet të përbashkëta me Fondacionin që mundësojnë përmirësimin e jetës, jo vetëm të komunitetit rom, por edhe të gjithë komuniteteve të tjera në Bashkinë e Fierit.

Po ashtu gjatë takimit u diskutuan projekte zhvillimi në të ardhmen ku parashikohet bashkëpunim edhe më i thellë me Bashkinë e Fierit.