Thirrje për Aplikim Forumi i Aktivizmit Rom dhe Egjiptian

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) përmes konceptit të Romëve do të zhvillojë për herë të dytë forumin e aktivizmit rom dhe egjiptian i cili është konceptuar si një mjedis i kultivimit të aktivizmit qytetar për cështje që prekin komunitetin Rom e Egjiptian si edhe shumë prej shtresave në nevojë.

Ky forum është menduar si një proces i ndërtuar nga vetë pjesëmarrësit ku integrohen njohuritë e përftuara në auditor përmes bisedave të aktivistëve me përvojë, diskutimeve në grup, njohurive praktike mbi mjetet që mund të përdoren në ndihmë të nismave konkrete përgjatë dhe pas zhvillimit të forumit.

Ideja për organizimin e një veprimtarie të kësaj natyre nuk është rastësore por qëndron në vazhdën e përpjekjeve të ndërmarra prej kohësh përmes organizimit të Akademisë Politike Rome, Akademisë së Identitetit Rom dhe zhvillimit të Forumit të Aktivizmit Rom dhe Egjiptian gjatë vitit 2014. Synimi i forumit të këtij viti është gërshetimi i ligjërimit me praktikën, në përpjekje për të kaluar nga debati i ideve në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në të mirë të interesave të komunitetit Rom, Egjiptian dhe më gjerë. 

Më konkretisht programi i forumit do të strukturohet sipas kësaj skeme: 

1) Lektorë të ndryshëm të cilët janë kryesisht aktivistë rom dhe jo-rom; 

2) Trajnim praktik mbi mjete dhe metodologji që mund të përdoren në funksion të advokimit dhe aktivizmit për cështje të ndryshme. 

3) Diskutim/debat mbi problemet e komunitetit Rom, Egjiptian e më gjerë dhe strategji të mundshme ndërhyrjeje.

4) Strukturimi, ndërmarrja dhe reflektimi mbi nisma konkrete që do të realizojnë anëtarët e forumit. 

Të gjithë të rinjtë e moshës 16-30 vjec që janë të motivuar për të marrë pjesë në forumin e aktivizmit janë të ftuar të aplikojnë.

Forumi do te mblidhet ditën e Shtunë, dy herë në muaj, nga ora 9:00 – 16:00. Kohëzgjatja e forumit do të jetë 10 javë. Forumi do të organizohet në Tiranë dhe do të rimbursohet udhëtimi për ata që do të udhëtojne nga jashtë Tiranës. Seanca e parë e Forumit të Aktivizmit Rom do të zhvillohet në dt 8 Maj 2015.

Për të aplikuar ju lutem Klikoni Këtu.

Afati i dorëzimit të aplikimit është data 28 Prill 2015. Mund të aplikojë cdokush që është i motivuar për të kontribuar për komunitetin rom dhe egjiptian pavarësisht nivelit të arsimit. 

Gjithashtu aplikimet mund t’i sillni edhe dorazi pranë ambienteve të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Adresa: Rr. Qemal Stafa, Pallati 120/2, Tiranë, Shqipëri

Për cdo paqartësi ju lutem na shkruani në adresën aktivizmi@gmail.com