Thirrje për aplikim “Forumi i Aktivizmit Rom dhe Egjiptian”

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, fton të rinj të motivuar për të marrë pjesë në forumin e aktivizmit rom dhe egjiptian. 

Forumi i aktivizmit, është konceptuar si një mjedis i kultivimit të aktivizmit qytetar për çështje që prekin komunitetin rom dhe egjiptian. Ky forum është menduar si një proces i ndërtuar nga vetë pjesëmarrësit, ku integrohen njohuritë e përfituara në auditor përmes ligjërimit të aktivistëve me përvojë, lektorëve, diskutimeve në grup, njohurive praktike mbi mjetet që mund të përdoren në përpjekje advokuese si edhe ndërmarrjes së nismave konkrete përgjatë dhe pas zhvillimit të forumit.

Forumi do të mbahet në dy ditë gjatë një fundjave të çdo muaji (8 fundjava, të shtrira në 8 muaj) bazuar në dy linja kryesore: ligjërim dhe diskutime mbi aktivizmin dhe trajnim mbi disa aftësi bazë rreth komunikimit me publikun.

Disa prej temave të përgjithshme që do të trajtohen në forum:

  • Trajtim i problemeve me të cilat përballet komuniteti rom dhe egjiptian në  Shqipëri
  • Rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarit në demokraci
  • Shkaqet apo faktorët që kanë ndikuar në  krijimin e një kulture pasiviteti në shoqërinë shqiptare
  • Aktivizmi në Shqipëri dhe në Perëndim, ilustruar me raste konkrete
  • Ndërtimi dhe mbrojtja e kauzave të përbashkëta duke ju referuar iniciativave të  deritanishme mbi kauza të  ndryshme në  lidhje me komunitetin rom dhe egjiptian

 

Trajnim për zhvillimin e aftësive praktike:

  • Komunikimi publik dhe aftësitë argumentuese
  • Marrëdhënia me mediat sociale dhe mediat klasike
  • Ndërtimi i ligjërimit publik    

 

Lektorët janë pedagogë të Universitetit të Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të  fushave të ndryshme. Përgjatë kohështrirjes së forumit, pjesmarrësit do të ftohen për të paraqitur ide konkrete për të trajtuar probleme me të cilat përballen këto dy komunitete. Idetë më të mira do të mbështeten për t’u zbatuar.

Në fund pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë. Seancat e forumit zhvillohen në Tiranë dhe për pjesmarrësit nga rrethet do të mbulohet shpenzimi i transportit, ushqimi dhe akomodimi.

Afati për aplikimin është deri në datën 9 Prill 2017. Thirrja është e hapur për të gjithë, pavarësisht origjinës etnike.

Për të plotësuar aplikimin klikoni këtu,

Për pyetje të mundshme shkruani në aktivizmi@osfa.al