Thirrje për aplikim për të rinj aktivistë për përmirësimin e qeverisjes në nivel vendor

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) në kuadër të projektit “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve shqiptarë drejt aktivizimit”, bën thirrje për aplikime nga të rinj aktivistë me qëllim përmirësimin e qeverisjes në nivel vendor

 

Ky projekt synon të angazhojë të rinj me potencial për ndryshim, të cilët do të luajnë një rol thelbësor në inkurajimin e aktivizimit qytetar për të ngritur zërin dhe vepruar në shumë prej problematikave të hasura në marrëdhëniet me institucionet në nivel vendor.

 

Të rinj të motivuar për të ndërtuar ndjenjën komunitare dhe ndihmën ndaj promovimit të vlerave të përbashkëta do të shërbejnë si nxitës të besimit dhe fuqisë për të ndryshuar gjendjen e tyre në bashkëpunim me komunitetin.

 

Ky forum është menduar si një proces i ndërtuar nga vetë pjesëmarrësit ku integrohen njohuritë e përfituara në auditor përmes bisedave me aktivistë me përvojë, diskutimeve në grup, njohurive praktike mbi mjetet që mund të përdoren në ndihmë të nismave konkrete përgjatë dhe pas zhvillimit të forumit.

 

Veprimtaria e aktivistëve do të organizohet sipas kësaj skeme:

1) Trajnim praktik dhe ngritje kapacitetesh në mbështetje të zhvillimit të fushatave kombëtare të advokimit.

2) Pjesëmarrje në takimet e forumit të aktivizimit ku zhvillohen diskutime mbi eksperienca të lektorëve aktivistë dhe reflektime për zgjidhje konkrete të problemeve të evidentuara në komunitet.

3) Ofrimi i mbështetjes për ndërmarrjen e iniciativave personale në funksion të rritjes së aktivizimit qytetar në shkallë më të gjerë.

Forumi do të shtrihet gjatë periudhës Qershor – Dhjetor 2015, me organizimin e trajnimeve dhe takimeve të paktën një herë në muaj. Projekti do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe të gjitha shpenzimet e pjesmarrjes, do të mbulohen nga projekti. Mund të aplikojnë individë nga mosha 20-30 vjeç nga të gjitha rrethet e Shqipërisë që besojnë se ndryshimi mund të vijë nga reagimi qytetar. Inkurajohen aplikimet nga kandidatë me banim jashtë qytetit të Tiranës.

 

Për të aplikuar ju lutem Klikoni Këtu.Gjithashtu aplikimet mund t’i sillni edhe dorazi pranë ambienteve të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Adresa: Rr. Qemal Stafa, Pallati 120/2, Tiranë, Shqipëri

 

Për çdo informacion ju lutem na kontaktoni në +355 4 22 34 621 ose na shkruani në adresëninfo@osfa.al 

 

Afati i dorëzimit të aplikimit është data 8 Qershor 2015.