Thirrje për aplikime

Thirrje për paraqitjen e koncepteve kërkimore në fushën e arsimit mbështetur në rezultatet e PISA 2015 për Shqipërinë

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë synon të financojë dy punë kërkimore në fushën e arsimit duke shfrytëzuar kryesisht të dhënat e mbledhura nga vlerësimi në kuadër të PISA 2015. Nisma ka për qëllim të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve të kërkuesve vendas dhe të formulojë rekomandime për përmirësimin e politikave në këtë sektor. Kërkuesit e përzgjedhur do të punojnë ngushtësisht me specialistë të Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe një kërkues ndërkombëtar.

Koncepti kërkimor duhet të paraqesë shkurtimisht problemin, pyetjet kryesore të studimit, metodologjinë e propozuar, kohëzgjatjen e kërkimit si dhe burimet e nevojshme. Inkurajohet metodologjia që ndërthur kërkimin cilësor me atë sasior. Materiali do të zhvillohet në formën e tij përfundimtare pas përfundimit të fazës së parë për përzgjedhjen e koncepteve fituese. Koncepti kërkimor duhet të paraqitet në gjuhën angleze. Gjithashtu, kandidati duhet ta zotërojë këtë gjuhë në nivel të avancuar.

Më poshtë paraqiten disa prej temave me interes për thirrjen por pa kufizuar interesa të tjerë kërkimor:

  • Faktorët që ndikojnë në performancën e nxënësve sipas ndarjes së vendit në rajone, mbështetur në performancën e nxënësve PISA 2015/Shqipëri.
  • Studim rasti, tipologjia e shkollës së suksesshme, mbështetur në performancën e nxënësve PISA 2015/Shqipëri 
  • Pabarazia e shanseve midis nxënësve sipas ndarjes rurale/urbane, gjinore dhe rajoneve, mbështetur në performancën e nxënësve PISA 2015/Shqipëri 
  • Arritjet e Shqipërisë në PISA 2015 krahasuar me vendet e rajonit.
  • Arritjet e nxënësve shqiptarë në të tri fushat sipas niveleve të kompetencave, përcaktuar në PISA 2015 dhe krahasuar këto edhe me pjesëmarrjet e mëparshme të Shqipërisë në PISA.

 

Për një gamë më të gjerë çështjesh studimore vizitoni linkun e programit të fellowshipit, Thomas J. Alexander, organizuar nga OECD dhe rrjeti i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur http://www.oecd.org/edu/thomasjalexanderfellows.htm si dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e arsimit, Kombet e Bashkuara http://www.un.org/sustainabledevelopment/education/

Kërkuesit e përzgjedhur do të mbështeten financiarisht për të zbatuar studimin e propozuar.

Afati i dorëzimi 6 Tetor 2017, ora 17:00, në adresën e e-mailit: pisaresearch@osfa.al