Thirrje për artikuj investigativë në fushën e Mbrojtjes së Konsumatorëve

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Thirrja organizohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shipërinë.
Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve.

Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD (minus taksën të ardhurave personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.
Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta me redaktorin, publikimin e tekstit në faqen e BIRN Albania www.Reporter.al dhe gjithashtu në www.BalkanInsight.com, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.
Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e rasteve konkrete të mungesës së zbatimit të ligjit në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve.
Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të organizuar nga BIRN Albania:
-    Mungesa e etiketimit të produkteve për fëmijë, si dhe përkthimi i pasaktë i etiketave në gjuhë të huaj
-    Përgjegjësitë dhe detyrimet e kompanive që ofrojnë shërbime publike (të tilla si transporti publik)
-    Të drejtat e konsumatorëve të energjisë elektrike dhe ujit
-    Shkelja e të drejtave të konsumatorëve në industrinë e turizmit
-    Shkelja e të dretjave të konsumatorëve nëpërmjet kredive ‘konsumatore,’ në banka
-    Problemet dhe abuzimet me konsumatorët nga bankat dhe kompanitë celulare
-    Abuzimet me të drejtat e pacientëve nga spitalet publike dhe ato private
-    Raste të dështimit të mbrojtjes së konsumatorëve nga institucionet kombëtare dhe vendore të ngarkuara me këtë detyrë
-    Përgjegjësitë e Bankës së Shqipërisë në mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet e bankave të nivelit të dytë
-    Dështimi i ndjekjes penale në rastet e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë mediave të tjera apo në profesion të lirë.

Kandidatëve u kërkohet të dërgojnë propozimet e tyre në formularin e aplikimeve (Kliko këtu për formularin), një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: office.albania@birn.eu.com  

Afati i Aplikimit: 15 Tetor, 2017
Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 20 Tetor, 2017