Thirrje për artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë

Thirrja organizohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros.

Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë, në bashkpunim me shoqërinë civile. 

Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e shëndetësisë.

Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD ($1,020 + $180 taksë të ardhurash personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta (javore) me redaktorin, publikimin e tekstit në faqen e BIRN Albania dhe gjithashtu në Balkan Insight, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, pandëshkueshmërisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në këtë fushë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në fushën e shëndetësisë të organizuar nga BIRN Albania:

 

-Korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës në sektorin e shëndetësisë;

-Importi, kontrolli dhe monitorimi i barnave;

-Menaxhimi i mbetjeve spitalore dhe asgjesimi i barnave të dala jashtë përdorimi;

-Keqmenaxhimi i fondeve në sektorin e shëndetësisë nga institucionet lokale dhe ato qendrore;

-Mosfunksionimi i mekanizmave publik të monitorimit dhe kontrollit të cilësisë së shërbimeve  shëndetësore në nivele të ndryshme të tij;

-Problematike e burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë (specializimet dhe edukimi në vazhdim i personelit shëndetësor, shpërndarja gjeografike dhe mënyra e përzgjedhjes);

-Mosbarazia në akses/cilësi në marrjen e shërbimeve për grupe të ndryshme vulnerabël (aftësi e kufizuar, komuniteti rom, familje në nevojë);

-Keqmenaxhimi i buxhetit në shërbime shëndetësore për infrastrukturë, materiale mjekësore dhe barna.

 

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve i kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit të dërgojnë një CV, dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: office.albania@birn.eu.com 

Afati i Aplikimit: 7 Qershor 2015

Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 15 Qershor 2015