THIRRJE PËR AVOKAT/GRUP AVOKATËSH/EKSPERT/GRUP EKSPERTËSH

THIRRJE PËR AVOKAT/GRUP AVOKATËSH/EKSPERT/GRUP EKSPERTËSH

FONDI I AVOKATISË NË INTERESIN PUBLIK 2019

Afati i për të aplikuar: Nga data 19.04.2019 deri në 19.05.2019

Përshkrimi i Thirrjes: 

Fondi i Avokatisë në Interes Publik përmes Rrjetit të Avokatëve dhe Ekspertëve të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, synon edukimin dhe fuqizimin ligjor të qytetarëve.

Në kuadër të zbatimit të strategjisë 2017-2020, programit ‘Fuqizimi ligjor i qytetarëve dhe komuniteteve’, synohet forcimi i elementit të litigimit/avokatisë së çështjeve me interes publik, duke kontribuar në krijimin dhe konsolidimin e një rrjeti me organizata dhe avokatë, të cilët ndjekin çështje gjyqësore dhe strategjike, më qëllim garantimin e aksesit në drejtësi si edhe edukimin dhe forcimin e konceptit të avokatisë në interesin publik.    

Ftojmë avokatët/ekspertët e orientuar në fushën e të drejtave social-ekonomike dhe me prioritet në fushat e së drejtës së konsumatorit, mjedisit, shëndetësisë, punës dhe strehimit, të paraqesin propozime për ndjekjen gjyqësisht të çështjeve strategjike ose për propozime për kryerjen e studimeve të kuadrit ligjor në fuqi në fushat e sipërcituara[1].

Nëpërmjet kësaj thirrje synojmë të identifikojmë edhe më shumë avokatë të orientuar drejt mbrojtjes së të drejtave social-ekonomike, të angazhuar në Tiranë apo rrethe, për t’i ftuar t’i bashkohen kësaj nisme.

Për inkurajimin e avokatëve/ekspertëve të interesuar, Fondacioni do të ofrojë:

  • mbështetje financiare për të identifikuar, trajtuar dhe përfaqësuar raste të shkeljes së të drejtave social ekonomike, kur këto vijnë si rezultat i shkeljes së ligjit, akteve nënligjore apo moszbatimit të tyre, praktikave administrative të paligjshme si dhe nga  miratimi i ligjeve dhe akteve nënligjore që pretendohet se vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, ose standardet ndërkombëtare në fushat e sipërcituara,
  • mbështetje financiare për kryerjen e studimeve të kuadrit ligjor në fuqi në fushat e sipërcituara, me objektiva të qarta për të sjellë reforma ligjore ose rregullatore.

Natyra e shkeljeve mund të jetë civile, penale, administrative dhe/ose kushtetuese.

Profili i Avokatëve/ekspertëve
Arsimi / Eksperiencat Profesionale:

  • Të ketë përfunduar Fakultetin e Drejtësisë ose fakultetin përkatës sipas fushës së ekspertizës së ekspertit aplikues.
  • Të ketë fituar Licencën e Avokatit lëshuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë (nr. Licence dhe nr. NIPTI) ose të ketë certifikimin përkatës në fushën e ekspertizës ku ushtron veprimtarinë.
  • Në lidhje me studimet, është e mundur të aplikohet dhe nga jurist me diplomë të integruar të nivelit të dytë.
  • Të ketë përvojë në përfaqësimin në rrugë administrative dhe gjyqësore të çështjeve.
  • Të ketë njohuri shumë të mira të legjislacionit kombëtar. Preferohet gjithashtu të ketë njohuri të legjislacionit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
  • Të ketë aftësi të mira hulumtuese dhe analitike, komunikuese, bashkëpunimi dhe punë në grup.

 

Dorëzimi i Aplikimit:
Materialet që çdo aplikant duhet paraqesë:

  • CV në shqip (profilizimi administrativ/civil/ penal/):
  • Një përmbledhje të shkurtër (maksimumi 2 faqe) të çështjes/studimit me të cilin aplikon në projekt. (Identifikimi i fazës në të cilën ndodhet çështja: në fazën e shqyrtimit, apelit, penal/administrativ/civil):
  • Identifikimi i qartë i veprimeve ligjore që do ndërmerren për të çuar në zgjidhjen e çështjes si dhe një shpjegim bindës të potencialit strategjik të saj dhe impaktit përtej rastit individual.
  • Një buxhet të përafërt me zërat kryesorë për trajtimin dhe përfaqësimin e çështjes në gjitha shkallët administrative dhe gjyqësore. Buxheti do të vlerësohet rast pas rasti në varësi të kompleksitetit dhe fazës në të cilën ndodhet çështja konkrete. Buxheti mund të përfshijë shpenzimet gjyqësore dhe ato noteriale, shpenzime hulumtimi, shpërblim për punën e avokatit, etj.

 

Paketa  e  mësipërme e aplikimit  duhet të dorëzohet në  adresën elektronike litigation@osfa.al .

Për më tepër informacion mbi Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, lutemi vizitoni faqen zyrtare www.osfa.al .


[1] Do të trajtohen me prioritet cështjet me një komponent/potencial strategjik, të cilat mund të gjenerojnë ndryshime social-juridike përtej interesave të rastit invidual në fjalë.