Thirrje për projekte Sfidimi i Kulturës së Pandëshkueshmërisë

Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë ka ndërmarrë një nismë për sfidimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend, në kuadër të strategjisë 2014-2017. Ekzistojnë shumë shkaqe që lidhen me kulturën shqiptare të pandëshkueshmërisë. Disa kanë të bëjnë me mekanizmat e duhur të kontrollit dhe balancës midis pushteteve, të tjerat lidhen me korrupsionin në gjyqësor dhe polici, kuadrin ligjor të mangët dhe të papërditësuar, teknikat e papërshtatshme për të hetuar shkeljet, krimin e organizuar dhe pamjaftueshmërinë e kërkesës së llogarisë nga ana e opinionit publik për zbatimin e shtetit të së drejtës. OSFA do të punojë intensivisht me avokatë, gazetarë dhe komunitetin në bazë në mënyrë që ata kolektivisht t’i kundërvihen shkeljeve dhe rasteve të abuzimeve me detyrën.

OSFA beson se kjo nismë do të inkurajojë shoqërinë për të mbajtur një qëndrim kundërshtues ndaj kulturës së pandëshkueshmërisë, duke dëshmuar njëkohësisht se shkeljet e ligjit mund, dhe do të ekspozohen e më pas ndëshkohen.

Thirrja

Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë fton organizatat jo fitimprurëse, grupime qytetarësh dhe/apo aktivistësh, shoqatat mediatike, gazetarë të qarqeve Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Tiranë që të aplikojnë për Programin e Granteve të Vogla për të mbështetur

Fuqizimin e aktivizmit social dhe mobilizimit qytetar në mbrojtje të interesit publik, të të drejtave te njeriut dhe/ose mbrojtjes se interesave të grupimeve apo komuniteteve të disavantazhuara

Iniciativa mediatike nga gazetarë lokalë apo organizata lokale mediatike lidhur me identifikim, investigim, ekspozim dhe/ose advokim me raste të pandëshkueshmërisë në nivel lokal ( si psh: fushata mediatike, prodhim artikujsh apo reportazhesh investigative dhe publikim/transmetim i tyre me mediat lokale; etj)

Gjenerim të dhënash lidhur me raste specifike të pandëshkueshmërise qe sjellin si pasojë: shkeljen e të drejtave të njeriut, cënimin i interesit publik, nxitjen e politikave diskriminuese, shkeljen e konkurrencës së lirë për fonde publike, mungesën e aksesit në drejtësi, por jo vetëm.

Aktivitete të sugjeruara

Marrjen e informacionit dhe vlerësim-monitorimin e kontratave të ndryshme të pushtetit vendor apo institucioneve të tjera me kompani të ndryshme biznesi

Monitorimin e zbatimit të planeve urbane pjesore ose të plota

Monitorimin e zbatimit të normave dhe rregullave të përcaktuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e tregjeve të ndryshëm (ushqimorë, industrialë etj)

Monitorimin e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit

Zbatimin e legjislacioneve përkatëse dhe rregulloreve në spitale, qendra shëndetsore apo shkolla, etj

Iniciativa të perbashkëta mes organizatave të shoqërise civile me gazetarë dhe/ose juristë lokalë lidhur me çështje/tematika me interes të përbashkët në nivel lokal

Këto aktivitete do të sjellin si rezultat:

Identifikimin e rasteve të pandëshkueshmërisë në nivel lokal

Bashkëpunimi me juristë dhe gazetarë

Mobilizimin e qytetarëve për më tepër informim, ndërgjegjësim dhe advokim lidhur me rastin konkret

Vini re: Aktivitetet e sugjeruara shërbejnë si një udhërrëfyes për aktivitetet e mundshme. Organizatat dhe grupimet e aktivistëve mund të realizojnë aktivitete të tjera për të arritur rezultatet e përmendura më sipër.

Shënim:

Projekt propozimi së bashku me dokumentacionin e plotë si dhe një kopje elektronike e projekt propozimit, duhen dorëzuar deri më datë 15 tetor 2014, ora 17:00 pranë zyrave të Fondacionit ose me e-mail ne adresat e mëposhtme.

Limiti maksimal i grantit është 9.000 USD

Formularin e aplikimit dhe listën e dokumentave të kërkuara mund ta shkarkoni nga faqja zyrtare www.soros.al apo ta tërhiqni edhe pranë recepsionit të Fondacionit në adresën:

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros)

Rruga "Qemal Stafa", Nr. 120/2

Tel: 04234621; Fax: 04235855, Tiranë

Bashkengjitur me kete njoftim gjeni materialet e nevojshme.

Për aktivistët, gazetarët apo grupet e aktivistëve dokumntacioni i kërkuar është formulari i aplikimit dhe Curriculum Vitae e aktivistit, gazetarit apo antarëve të grupit të aktivistëve.

Për më shumë informacion, mund të na ndiqni në Facebook në adresën:

Fondacioni Shoqeria e Hapur per Shqiperine - Soros

Për pyetje në lidhje me këtë Thirrje, ju lutemi kontaktoni:

impunity@osfa.al