Thirrje pjesmarrje në “Forumin e Aktivizmit Rinor”

Tematika: 

Në Shqipëri, ashtu si dhe në shumë vende të tjera në zhvillim, është me rëndësi që qytetari të jetë aktiv në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit, duke krijuar në këtë mënyrë kushtet për një demokraci funksionale. Natyrisht që në këtë proces është me rëndësi që të rinjtë të kultivojnë prirjen për të qenë pjesëmarrës, në mënyrë që të ndryshojnë pozitivisht realitetin në të cilin jetojnë.

Në këtë kuadër Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, fton çdo të ri gjimnazist të moshës 15-17 vjeç, që të aplikojë për të marrë pjesë në forumin e “Aktivizmit Rinor”, i cili mbahet në dy ditë gjatë një fundjave të çdo muaji (8 fundjava, të shtrira në 8 muaj) dhe do të bazohet në dy linja kryesore: ligjërim mbi aktivizmin dhe trajnim mbi disa aftësi bazë që i nevojiten një  qytetari aktiv.

Disa prej temave që do të trajtohen në këtë forum:

  • Problemet me të cilat përballet arsimi parauniversitar në Shqipëri
  • Rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarit në demokraci
  • Shkaqet apo faktoret qe kane ndikuar në krijimin e një kulture pasiviteti në shoqërinë shqiptare
  • Aktivizmi në Shqipëri dhe në Perëndim e ilustruar me raste konkrete
  • Ndërtimi dhe mbrojtja e kauzave të përbashkëta
  • Aktivizimi i të rinjve si faktor ndryshimi

 

Në  kuadrin e lëvrimit të  disa aftësive praktike do të zhvillohen seanca trajnimi mbi:

  • Komunikimi publik dhe aftësitë argumentuese
  • Marrëdhënia me mediat sociale dhe mediat klasike
  • Ndërtimi i ligjërimit publik

 

Lektorët do të jenë pedagogë të Universitetit të Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë  të  fushave të  caktuara. Në fund pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë. Seancat e forumit zhvillohen ne Tiranë dhe për pjesmarrësit nga rrethet do të mbulohet shpenzimi i transportit, ushqimi dhe akomodimi. Pjesëmarrësit, do të shoqërohen nga prindi apo një kujdestar i miratuar nga prindi.

Për të aplikuar ju lutem klikoni këtu, afati i aplikimit është deri në datën 9 Prill 2017.

Për pyetje të mundshme shkruani në aktivizmirinor@osfa.al