Deklaratë për shtyp e shoqatës së familjarëve të viktimave të Gërdecit

25 Shkurt 2011

Në kuadër të ndihmës ligjore falas ndaj grupeve identitare dhe individëve në nevojë, Qendra Res Publica mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e nisur nga kërkuesit R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër të akuzuarit Fatmir Mediu për veprën penale të plagosjes së rëndë nga pakujdesia.

Më datë 18 nëntor 2009, dy kërkuesit i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me cilësinë e të dëmtuarve akuzues me kërkesën për procedimin penal në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu. Pas zhvillimit të seancës së pajtimit dhe pas mosarritjes së një kompromisi mes palëve, ndërsa pritej që gykata, bazuar në nenin 338 të Kodit të Procedurës Penale (KPrP), të vazhdonte me gjykimin e çështjes, pikërisht në momentin kur duhej të artikulohej kërkesa drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për autorizimin e procedimit penal, Gjykata me Vendimin nr. 5, datë 01.03.2010 vendosi mosfillimin e procedimit penal.

Vendimi i sipërpërmendur, si dhe procesi i zhvilluar deri në arritjen e tij, u shoqërua me parregullsi të shumta, të cilat kanë cënuar të drejtën e kërkuesve për një proces të rregullt ligjor të garantuar në nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), Kodin e Procedurës Penale, vendimet e Gjykatës Kushtetuese (GJK) që trajtojnë parimin në fjalë, parimet e përgjithshme të së drejtës, praktikat ligjore më të mira si edhe logjikën e shëndoshë juridike.

Në momentet kur drejtësia shqiptare po kalon një sprovë mjaft të vështirë, atë të zbardhjes së një prej krimeve më të rënda dhe më komplekse të këtyre 20 viteve të fundit, familjarët e viktimave të Gërdecit dhe të plagosurit nga shpërthimi i 15 marsit 2008, së bashku edhe me opinionin publik të tronditur nga kjo tragjedi, prisnin me interes të veçantë gjykimin e kësaj çështje nga Gjykata e Lartë. Por Gjykata e Lartë, në pak seanca dhe në pak rrjeshta, arriti të ngrinte shumë pikëpyetje duke demonstruar para opinionit publik një prej standardeve më të diskutueshme të gjykimit.

Nisur nga sa më sipër, një ndër argumentat kryesor të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese është se Gjykata e Lartë ka ushtruar pa të drejtë atributet e akuzës duke cënuar në këtë mënyrë parimin e paanësisë, duke mos respektuar ndarjen kushtetuese mes gjyqësorit dhe akuzës, duke mos marrë parasysh mungesën e fazës së hetimeve paraprake si edhe duke keqinterpretuar Vendimin nr. 39, datë 23.06.2000 të Gjykatës Kushtetuese. Qendra Res Publica beson se Gjykata e Lartë ka cënuar parimet që burojnë nga legjislacioni shqiptar dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut për një proces të rregullt ligjor pasi baza ligjore e përdorur nuk i përgjigjet arsyetimit dhe realitetit të konstatuar.

Për më tepër që Gjykata e Lartë nuk argumentoi se cilën nga situatat e nenit 291 të KPrP konstatoi për mosfillimin e procedimit duke arritur në konkluzione pa zhvilluar hetime dhe duke shmangur pa të drejtë akuzën publike (prokurorin) në proces. Mungesa e zhvillimit të një hetimi të plotë dhe efektiv veçanërisht për rrezikimin e humbjes së paligjshme të jetës, mos dëgjimi i dëshmitarëve, mos vënia në dispozicion e provave të kërkuara si edhe deklarimi në mënyrë të gabuar i moskompetencës së saj për shqyrtimin e çështjes përbëjnë disa shkelje të tjera të procesit të rregullt ligjor.

Nga ana tjetër shtysa kryesore që ka nxitur Res Publikën për investimin e Gjykatës Kushtuese qëndron në faktin se evidentohen shkelje dhe mangësi të shumta në hetimin e kryer nga Gjykata e Lartë, mangësi që në mënyrë objektive ngrejnë dyshime lidhur me efikasitetin dhe përshtatshmërinë e hetimit gjyqësor. Ndër shkeljet më të rënda ishte se gjykata arriti në konkluzionin se veprimet ose mosveprimet e të akuzuarit mund të klasifikoheshin si shpërdorim detyre dhe nuk hetoi më tej duke shpallur moskompetencën e saj. Njëkohësisht dhe fakti që gjykata shmangu prokurorinë duke mos e bërë atë pjesë të hetimit gjyqësor e në fund vendosi në bazë të një parashikimi ligjor të dizenjuar për prokurorin dhe jo për gjykatën.

Këto mangësi nuk janë vetëm shkelje të ligjit shqiptar, por edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, besojmë se një hetim i mëtejshëm dhe i thelluar i çështjes është i domosdoshëm dhe i një rëndësie të veçantë, si për arsye të rrezikshmërisë së veprës penale (kërkuesit rrezikuan seriozisht jetën), dhe nevojës së dhënies së një shpërblimi të drejtë dhe të përshtatshëm për dëmet e pësuara ashtu dhe për zbardhjen e së vërtetës dhe korregjimin e të gjitha masave që do të duhet të merren në të ardhmen me synim shmangien e tragjedive të ngjashme.

Nisma për ngritjen e akuzës në fjalë përfshin edhe të gjithë të akuzuarit e tjerë të tragjedisë, për të cilët juridiksioni fillestar i takon Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke dhënë kështu një tablo të plotë se kërkuesit janë të interesuar për zbardhjen e ngjarjes dhe jo për aksione politike kundër individëve të caktuar.

Qendra Res Publica, përveç interesit që ka në dhënien e ndihmesës për zbardhjen e ngjarjes dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve, synon në rradhë të parë të rivendosë në vend parimin që ligji është i barabartë për të gjithë.

Qendra Res Publika shpreh bindjen se Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë këtë çështje me prioritet duke i dhënë përgjigje argumentave tonë të pretenduar, por njëkohësisht për të shmangur vendosjen e një precedenti negativ për të ardhmen.