- Shqip
- English
Gjetje paraprake të Sondazhit Social Europian
Tematika:
Gjetjet paraprake të Sondazhit Social Evropian të kryer për herë të parë në Shqipëri nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros)japin pamjen e një shoqërie shqiptare mjaft mosbesuese ndaj institucioneve vendase,mjaft të pakënaqur me gjendjen e demokracisë, ekonomisë dhe performancën e qeverisë, të papërfaqësuar nga alternativat politke aktuale,me gjysmën e demokracisë që dëshirojnë, dhe kërkues për barazi para ligjit, për masa që luftojnë varfërinë, për një media që ofron informacion të besueshëm mbi punën e qeverisë, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Të pyetur për përkatësinë e tyre ideologjike majtas apo djathtas në një shkallë nga 0 deri në 10, ku 0 nënkupton të majtën ekstreme dhe 10 të djathtën ekstreme, në shkallë kombëtare shqiptarët janë të qendrës, me tendencë djathtas, në nivelin 5.3. Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, rreth 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU dhe po kaq me LSI, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektorateve potenciale sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste. Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas nuk ndihen afër me asnjë parti. Ndërkohë, nga qytetarët që identifikohen me Qendrën, pjesa dërrmuese, 73.3% nuk ndjehen afër me asnjë parti. Në nivele të ngjashme të ulëta janë qytetarët e Qëndrës që ndihen më afër me PD dhe PS – rreth 7% me secilën.
Një pamje e kryqëzuar e gjetjeve paraprake mbi partinë e votuar në vitin 2009, dhe partinë që ndjejnë më afër sot, sugjeron se Partia Socialiste ruan dy te tretat e elektoratit të 2009-ës dhe gjen të alienuar (jo afër me asnjë parti) 30.6% të atyre që e votuan në 2009-ën. Ndërsa Partia Demokratike ruan 54.5% të zgjedhësve të saj në 2009-ën, dhe gjen të alienuar 36.7% të këtyre zgjedhësve në 2009-ën. Partia që ka pësuar distancimin më të lartë nga elektorati i vitit 2009 është Lëvizja Socialiste për Integrim, me 60% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që sot nuk ndihen afër me asnjë parti. Partitë që i ruajnë më bindshëm elektoratet e tyre të 2009-ës janë PBDNJ, me 80% që ende sot ndihen afër me këtë parti, dhe PDIU me 75% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që ndjehen më afër me të sot. Nga ata që nuk kanë votuar në 2009-ën dhe që janë potencialisht zgjedhës të rinj sivjet, 9.6% shprehen afër me PS, 16.4% me PD.
Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë, rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë, dhe rreth 48% shprehen që janë duke punuar pa kontratë. Të pyetur për besimin fetar dhe praktikimin e tij, gjetjet paraprake sugjerojnë një shoqëri që e sheh veten si besimtare në masën 7.8 në një shkallë nga 0 në 10, ku 0 nënkupton jo besimtar dhe 10 tejet besimtar. Nga ana tjetër shumë pak prej tyre duket se e kanë të lidhur besimin e tyre me institucionet dhe ritet fetare të rregullta, me vetëm 12% të qytetërave që pohojnë se ndjekin shërbesa fetare të paktën një herë në javë. Të krahasuara me gjetjet përfundimtare të të njëjtit sondazh në 27 vende të tjera në vitet 2010-2011, gjetjet paraprake për Shqipërinë sugjerojnë se shoqëria shqiptare është më homofobe se 27 të tjerat. Të pyetur nëse mendojnë se gejt dhe lezbiket duhet të jenë të lirë të jetojnë si të dëshirojnë, 53% thonë “Jo”, përqindje më e lartë edhe se disa vende fqinje si Kroacia dhe Greqia.
Tashmë në raundin e tij të gjashtë, Hulumtimi Social Evropian kryhet sot në mbi 30 vende të Evropës dhe më tej, për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme.Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre.
Në fjalën e tij hapëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe të krahasueshme për politika publike të bazuara në të dhëna dhe debat publik sa më konkret dhe sa më pak spekullativ, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare 2013. Ai vuri në dukje se të dhënat e nxjerra sot janë paraprake dhe të pjesshme, pasi Ekipi Qëndror Shkencor i Sondazhit Social Evropian i bën publike të gjitha të dhënat dhe bazën e plotë të tyre në përfundim të procesit të validimit, në vjeshtë 2013.
Realizimi i Sondazhit Social Evropian koordinohet nga zyrat qëndrore nëCity University London. Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1.208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave komjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor në kalimin e tyre nga letra në kompjuter, por edhe problematikat e njohura me ndershmërinë në intervistim.
Per te pare grafiket klikoni ketu
For the graphs in English, please click here
Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni:
Adela Halo
Menaxhere e Programit të Mirëqeverisjes dhe Integrimi Evropian
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros
Rr. Qemal Stafa, Pallati 120/2, Tirana
T: +355 4 22 34 621/ 22 34 223/ 22 35 856
ahalo@osfa.soros.al
www.soros.al
SHPJEGIM I RËNDËSISHËM I STANDARDEVE TË EKIPIT QËNDROR SHKENCOR: Këto janëgjetje paraprake dhe jo përfundimtare. Një pjesë e gjetjeve paraprake po prezantohen nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në respekt të interesit publik, por në respekt të politikave dhe procedurave të Sondazhit Social Evropian, gardiani i të cilave është Ekipi Qëndror Shkencor, Fondacioni nuk mund të prezantojë më shumë sesa këtë pamje paraprake dhe të pjesshme pa përfunduar procesi normal i validimit të të dhënave nga Ekipi Qëndror Shkencor i Sondazhit. Këto gjetje paraprake janë të paçertifikuara ende nga Ekipi Qëndror Shkencor, një proces që për të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë sondazh pritet të përfundojë në vjeshtë 2013. Në shtator-tetor 2013, vetëm pas validimit, Ekipi Qëndror Shkencor vendos për publikimin e gjithë bazës së të dhënave përfundimtare, të cilat bëhen atëherë të përdorshme lirisht dhe të citueshme nga studjuesit dhe të interesuarit e tjerë.