Raportin Vjetor 2010 të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

12 Dhjetor 2010

Miq dhe kolegë,Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, nëpërmjet këtij raporti takohet sërish me ju për të ndarë disa nga veprimtaritë më të spikatura të vitit 2010, të cilat dhanë ndihmesën e tyre në zhvillimet problematike shqiptare. Pikërisht gjatë këtij viti fondacioni përcaktoi tri fusha kryesore ndërhyrjeje: të qeverisjes dhe reformave të integrimit në Bashkimin Europian; të forcimit të përfshirjes sociale dhe të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.Për të kontribuar në secilën prej tri fushave parësore të sipërpërmendura fondacioni vijoi punën me një numër programesh që tashmë kanë hyrë në traditë, si: programet e mirëqeverisjes dhe integrimit europian, të shoqërisë civile, programi “Lindje – Lindje, bashkëpunim përtej kufijve”, i bursave dhe i fondit të emergjencës, por edhe me rihapjen e programeve të tjera, si ato të arsimit, të shëndetit publik, të barazisë gjinore, të romëve, të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut etj. Duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet shqiptare, fondacioni dha ndihmesën e vet në përmbushjen e detyrimeve aktuale që ka Shqipëria për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Përmes një procesi të gjerë monitorimi, inkurajimi të debatit publik, forcimi të zërit të shoqërisë civile dhe sensibilizimi mediatik, u tërhoq vëmendja për disa fusha që janë problematike për integrimin në BE, përfshirë demokracinë dhe sundimin e ligjit, të drejtat dhe liritë themelore, harmonizimin institucional me organizmat drejtues dhe monitorues europianë.Fondacioni inkurajoi komunikimin e hapur për integrimin në Bashkimin Europian midis autoriteteve të qeverisë shqiptare dhe publikut të gjerë, duke mos e konsideruar këtë proces si thjesht teknik, si pronë të elitave dhe të ekspertëve, por duke e sjellë atë pranë qytetarëve nëpërmjet monitorimeve sistematike, forumeve, diskutimeve të hapura, inkurajimit të proceseve të pjesëmarrjes së gjerë, përdorimit të teknologjisë etj. Rëndësi të veçantë gjatë vitit 2010 fondacioni i
dha forcimit të pushtetit gjyqësor përmes trajnimit të gjyqtarëve e prokurorëve, përmirësimit e menaxhimit të gjykatave si dhe duke u fokusuar në aksesin në drejtësi, ndihmën ligjore falas, në
mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në luftën kundër diskriminimit. Fondacioni ofroi më shumë mbështetje dhe u dha rëndësi organizatave jofitimprurëse, sidomos atyre të komunitetit rom dhe atij egjiptian, shoqatave vullnetare, iniciativave të qytetarëve, medias, grupeve të interesit dhe shoqatave të bazës, si protagonistë të rëndësishëm në luftën kundër përjashtimit social.Fondacioni iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme zhvillimeve politike, reformave të ndryshme që zunë vend gjatë 2010-ës, por edhe krizës ekonomike dhe përmbytjeve në Veri duke kontribuar me shumën prej 636 429 dollarë amerikanë dhe ka qenë protagonist kryesor në apele ndërkombëtare ku do të veçonim peticionin e madh me fondacionet homologe në Europën Juglindore për liberalizimin e vizave apo ato kombëtare për zgjidhjen e krizës së gjatë politike në vend. Për më shumë për iniciativat e fondacionit Soros gjatë vitit 2010, ju ftoj të lexoni në faqet në vijim.