Fondacioni prezanton Analizën e Projektbuxhetit 2014, Rolin e Kuvendit në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të tij dhe buxhetimin e prioriteteve të integrimit në Projektbuxhetin 2014

28 Dhjetor 2013

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të programit të “Monitorimit te Financave Publike” ka përgatitur tre raporte e mëposhtme:

1.Analiza e Projektbuxhetit 2014

2.Buxhetimi i prioriteteve të integrimit në Projektbuxhetin 2014

3.Roli i Kuvendit në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të tij

 

1.Analiza e Projektbuxhetit 2014

Raporti shqyrton projekt-buxhetin e vitit 2014 dhe paraqet një analizë më të detajuar të:

i)treguesve kryesor të projekt-buxhetit të vitit 2013; 

ii)financimin e sektorëve prioritarë në projekt-buxhetin e vitit 2013.

Analiza e kryer në këtë dokument është e bazuar kryesisht në dokumentin e relacionit të projekt-buxhetit të vitit 2014, projektligjit të buxhetit të vitit 2014 dhe tabelat shoqëruese të tij të publikuara në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë. 

Raporti është vënë në dispozicion të Kuvendit për të ushqyer debatin e tij mbi Projektbuxhetin 2014, si edhe të publikut të gjerë.

 

2.Buxhetimi i prioriteteve të integrimit në Projektbuxhetin 2014

Ekipi i ekspertëve ka shqyrtuar projekt-buxhetin e vitit 2014 për të monitoruar mbështetjen financiare që ky  buxhet siguron për plotësimin e prioriteteve të integrimit të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Monitorimi përqëndrohet në financimin e disa prej prioriteteve kryesore nga projekt-buxheti i vitit 2014 dhe konkretisht: 

Prioritetit 6 – mbi administratën publike dhe mbështetjen buxhetore për Ministrinë e Integrimit Europian (MIE) për të parë në shifra konkrete mbështetjen institucionale për procesin e integrimit, 

Prioritetit 7 – mbi drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; 

Prioritetit 10 – mbi pronat; 

Prioritetit 11 – mbi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut; 

Prioritetit 12 – mbi burgjet.

 

3.Roli i Kuvendit në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të tij

Ky është një raport që vjen për të tretin vit radhazi, si një përpjekje për të analizuar diskutimin e projektbuxhetit në komisionet parlamentare dhe seancat plenare të Kuvendit, si dhe ndikimin që arriti të ketë ky institucion në miratimin e një prej dokumentave më të rëndësishëm operativ të Qeverisë. Fokusi i tij kanë qënë diskutimet e bëra nga deputetët, parashtrimi i kërkesave të tyre për ndryshime në projektbuxhet në komisione apo seanca plenare, përfshirja e këtyre kërkesave në raportet që hartohen nga komisionet përkatëse për Komisionin për Ekonominë dhe Financave (KEF) dhe së fundmi, miratimi apo jo i tyre nga KEF.