- Shqip
- English
Fondacioni “Së Bashku” përkthen dhe boton në shqip tre libërtha të Rrjetit Evropian për Jetesë të Pavarur
Tematika:
Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, “Së Bashku” zbatoi me sukses përgjatë vitit 2019 projektin: “Jetesa e Pavarur: Mbështetja e kauzës duke sjellë Shqipërinë më pranë standardeve të Bashkimit Evropian”. Kjo nismë synonte promovimin e të drejtës për Jetesë të Pavarur për personat me aftësi të kufizuar në tre qytete dhe advokimin për masat që duhet të ndërmerren në mënyrë që Jetesa e Pavarur të bëhet realitet për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri.
Një ndër komponentët e rëndësishëm të kësaj nisme ishte përkthimi dhe botimi në gjuhën shqipe i disa materialeve të rëndësishme udhëzuese të Rrjetit Evropian për Jetesë të Pavarur (ENIL) mbi Jetesën e Pavarur; Ndihmësin Personal; dhe Mite dhe Fakte mbi Jetesën e Pavarur.
Qëllimi i përkthimit dhe botimit në gjuhën shqipe të këtyre libërthave është që organizatat e personave me aftësi të kufizuar, të kenë informacion të disponueshëm për të kuptuar sa më mirë Jetesën e Pavarur si koncept/filozofi dhe si e drejtë, e cila gjendet në Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në ligjin 93/2014 “Për përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”.
Libërthi “Jetesa e Pavarur” shpjegon në mënyrë të thjeshtë se çfarë është jetesa e pavarur për personat me aftësi të kufizuar. Ky libërth ndan perspektivën e vetë themeluesve të Lëvizjes por gjithashtu bazohet në shpjegimet të cilat lidhen me Konventën e OKB-së.
Libërthi “Ndihmësi Personal” shpjegon në mënyrë shumë të qartë se çfarë mund të konsiderohet shërbim i ndihmësit personal dhe çfarë jo. Si paguhet ndihmësi? Si realizohet kontrolli dhe fleksibiliteti i shërbimit nga vetë personat me aftësi të kufizuar? etj.
Ndërsa libërthi “Mite dhe Fakte” mbi jetesën e pavarur qartëson konceptet e gabuara që vetë individët me aftësi të kufizuar, organizatat apo shoqëria kanë mbi të drejtën për jetesë të pavarur. Libërthi e bën të qartë që në kopertinë se personat me aftësi të kufizuar nuk duan të jetojnë të veçuar, përkundrazi jetesa e pavarur nënkupton garantimin e disa shërbimeve që mundësojnë personat me aftësi të kufizuar të kenë kontroll të plotë mbi jetët e tyre dhe të përmbushin aspiratat e tyre në komunitetet ku ata jetojnë si të gjithë qytetarët e tjerë.
Ne ju nxisim t´i lexoni këto libërtha dhe për çdo koment të na shkruani në adresën e emailit fondacionisebashku@gmail.com në mënyrë që t´ju dërgojmë kopje të printuara.