- Shqip
- English
Instrumenti i Padisë Kolektive - Një risi në mbrojtjen e të drejtave të individëve
21 Tetor 2020
Zyra Ligjore CR Partners në bashkëpunim me Qendrën për Nisma Ligjore dhe Qytetare dhe Qendrën Eden me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë kanë ndërmarrë nismën për hartimin dhe propozimin e projektligjit “Për paditë kolektive”’. Padia kolektive është një mjet ligjor nëpërmjet së cilit një subjekt (organizatë jo-fitimprurëse apo përfaqësues ligjor) mund të ngrejë një padi në Gjykatë në emër të një grupi personash të dëmtuar, për të përfituar dëmshpërblim për veprimet e paligjshme të një ndërmarrje të caktuar.
Dobitë e padisë kolektive janë:
- Shmang ngritjen e disa padive individuale për të njëjtin veprim të paligjshëm të një ndërmarrje;
- Realizon interesat e një grupi të madh individësh, pa shpenzime monetare dhe kohore për ta;
- Mundëson që të gjithë individët e dëmtuar nga një sjellje e paligjshme e një ndërmarrje që ofron mallra ose shërbime, ose nga punëdhënësit, të dëmshpërblehen pa pasur nevojë që të ngrejnë personalisht një padi në Gjykatë;
- Ndihmon në uljen e ngarkesës së Gjykatave, duke mundësuar afate më të shkurtra kohore për përfundimin e procesit gjyqësor.