Manual për Qytetarët: “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian”

16 Qershor 2017

Forumi i Politikave të Integrimit / EU Policy HUB (shkurt EUPH) është krijuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) – Zyra për Shqipërinë. EUPH synon angazhimin e profesionistëve të rinj në promovimin, monitorimin e ecurisë dhe ushtrimin e ndikimit mbi procesin e integrimit të vendit në strukuturat evropiane.

EUPH synon të luaj një rol kyç në ndikimin mbi ritmin dhe cilësinë e procesit të integrimit, si dhe garantimin e mbështetjes publike në zbatimin e reformave dhe prioriteteve të BE. Në realizimin e objektivave të tij, EUPH ka përgatitur në vitin 2016 Manualin për qytetarët, mbi “Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian” që mund ta gjeni duke klikuar në këtë link.

Manuali për qytetarët, i përgatitur nga anëtarët e EUPH, është një udhërrëfyes për qytetarët i cili shërben për të përshkruar në mënyrë të përmbledhur dhe më të thjeshtëzuar procesin e integrimit evropian dhe rëndësinë e tij për Shqipërinë. Në faqet e këtij manuali, ju do të njiheni me procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane si dhe të gjitha fushat e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik të cilat ndërthuren ngushtë me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Është fakt që procesi i aderimit në Bashkimin Evropian është teknik dhe kompleks për pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare. Ja pse edhe ideja e një manuali që i jep lexuesit edhe atij që është më pak i familjarizuar me proceset integruese, mundësinë për të njohur të drejtat dhe detyrimet e çdo qytetari shqiptar në raport me institucionet evropiane, kuptimin e legjislacionit dhe marrëveshjeve të BE-së; kjo nuk është vetëm një ide e mirë, por mbi të gjitha një informacion praktik dhe konkret.

Shqipëria, ashtu si të gjitha shtetet që dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të plotësojë një sërë kushtesh të përmbledhura në bazën e përbashkët ligjore dhe tërësinë e rregullave, të njohura ndryshe si acquis e BE-së. Baza ligjore e BE-së është e ndarë në kapituj sipas fushave të veçanta, ku për secilin kapitull do të zhvillohen bisedime dypaleshe në lidhje me mënyrën dhe kohën kur Shqipëria do të mund të miratojë dhe zbatojë reformat për secilin prej kapitujve. Në këtë manual ju do të njiheni me të gjithë këto kapituj, ecurinë e deritanishme të Shqipërisë si dhe procesin e bisedimeve për anëtarësim.

Për sa më lart, në bashkëpunim me Delegacionin Evropian në Tiranë / Rrjetin për Informim të Bashkimit Evropian (EUIC), prezantuam publikimin e Manualit gjatë Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve më datë 11 Nëntor 2016, në Shkodër më datë 22 nëntor 2016 dhe në Vlorë më datë 24 nëntor 2016.

EUPH ka për qëllim të informoj qytetarët edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë e mirë-informuar mbi procesin e integrimit evropian. Për të ndjekur aktivitetet dhe bashkëpunuar me EUPH vizitoni faqen e tyre të Facebook, Twitter, Academia ose eupolicyhub.eu.

Duke shpresuar që ky botim do të jetë me vlerë, do të mirëprisnim çdo koment për përmirësimin e botimeve të tjera të tij në adresën e e-mailit: info@eupolicyhub.eu.

Përfshirja e gjerë e qytetarëve, të rinjvë, politikëbërsve dhe aktorëve të shoqërisë civile në këtë proces përbën një rol thelbësor në përmirësimin e aspekteve të caktuara të informimit dhe qasjes ndaj publikut mbi çështjet e Integrimit Evropian të Shqipërisë.       

Disa prej fotove nga aktivitetet.