Njohja dhe zbatimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët

14 Dhjetor 2013

Studimi “Njohja dhe zbatimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët” synon rrijen e ndërgjegjësimit për njohjen dhe zbatimin më të mirë të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNj) dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), si pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm. Botimi vjen si një vlerësim sasior dhe cilësor që i bëhet për herë të parë shkallës së njohurive mbi KEDNj dhe jurisprudencën e GjEDNj nga ana e komunitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, por njëkohësisht evidentimit të nevojave dhe problematikave që hasen në këtë fushë. 

Ndër çështjet kryesore që ky studim synon të adresojë janë:

  1. Niveli i ulët i informimit dhe ndërgjegjësimit të sistemit gjyqësor, gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve lidhur me KEDNj dhe jurisprudencën e GjEDNj,
  2. Mungesa e një progresi të ndjeshëm në zbatimin e masave me karakter të përgjithshëm të caktuara nga kjo Gjykatë ndaj shtetit shqiptar si rezultat i mosnjohjes së vendimeve të saj si dhe
  3. Mungesa e literaturës së nevojshme në shfrytëzim dhe opinioneve profesionale të ekspertëve në këtë fushë.

 

Në përfundim të këtij studimi, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros ka propozuar disa rekomandime konkrete për institucionet shtetërore, Shkollën e Magjistraturës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, për adresimin e politikave specifike që duhen ndërmarrë për përmirësimin e situatës në të ardhmen si dhe me qëllim që njohja me KEDNj dhe jurisprudencën e GjEDNj të mos bëhet në mënyrë sporadike, por në mënyrë të vazhdueshme e të thelluar.