- Shqip
- English
Prezantohet analiza e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Kosovës
Tematika:
Shqipëria dhe Kosova e konsiderojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik të shoqërive të tyre. Pavarësisht stadit të ndryshëm në të cilin janë në këtë proces, dy vendet kanë një potencial të madh për bashkëpunim në rrugëtimin e tyre respektiv drejt anëtarësimit të plotë. Bashkëpunimi i tillë nuk është vetëm detyrim ligjor i cili buron nga marrëveshjet dypalëshe dhe MSA-të e tyre respektive, por edhe domosdoshmëri praktike me përfitime të dyanshme. Nga ana tjetër, prej disa vitesh, dimensioni dhe ekulibrat politikë brenda BE-së po ndryshojnë. Tashmë vihet re qartë mungesa e dëshirës për zgjerim tek mëtejshëm tek disa vende anëtare te BE-së, si dhe zhvendosja e gravitetit të ndjekjes së procesit të Ballkanit Perëndimor nga Komisioni drejt Këshillit. Kjo e ka bërë procesin më të paparashikueshëm dhe ka ngritur pikëpyetje të reja. Në këtë kontekst, lind nevoja që Shqipëria dhe Kosova të ri-konceptojnë mënyrën e komunikimit dhe shkëmbimit me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare.
Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT) dhe Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë analizuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Kosovës. Krahas ecurisë së procesit, fokusi i studimit ka qenë tek bashkëpunimi i dy vendeve në këtë rrugëtim, si dhe ndryshimet politike dhe institucionale në politikën e zgjerimit të BE.
Gjetjeve dhe rekomandimet e studimit u diskutuan në dy aktivitete publike në 1 Tetor në Prishtinë dhe 23 Tetor në Tiranë publik me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë të përfshirë në procesin e integrimit evropian, përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve, dhe akademisë, etj.
Studimi i plotë ‘Europa e zgjeruar - Analiza e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Kosovës: bashkëpunimi në rrugën përpara’ në versionin shqip mund të shkarkohet duke klikuar këtu dhe në versionin anglisht duke shkarkuar këtu.