Prezantohet Raporti i Monitorimit Qytetar të Zbatimit të Planit të Veprimit për Luftën kundër Korrupsionit për vitin 2011-2012

28 Mars 2014

Vetëm 59% e masave të parashikuara janë realizuar në vitin 2010 nga MD, METE, MSh dhe Policia e Shtetit 

Nga një monitorim i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) ndaj Planit të Veprimit Anti-Korrupsion për vitin 2010 në katër institucione – Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Ministria e Shëndetësisë (MSh), Ministria e Drejtësisë (MD), dhe Policia e Shtetit – rezulton se nga një total prej 73 masash specifike të parashikuara për tu adresuar nga këto institucione, vetëm 59% prej tyre janë realizuar plotësisht. Ministria e Drejtësisë shënon performancën më të dobët, me vetëm 40% të masave të adresuara plotësisht, ndërsa Policia e Shtetit raporton performancën më të kënaqshme me 80% të masave të adresuara.

Sipas raportit të monitorimit, 27% e totalit të masave për këto institucione janë adresuar pjesërisht, 7% e masave rezultojnë të parealizuara dhe për 7% të masave vlerësimi ka qenë i pamundur të kryhet ose për shkak të mungesës së informacionit, ose për shkak të natyrës së përgjithshme të masave që nuk mundëson matshmërinë e tyre. 

Përgjithësisht, institucionet e monitoruara i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për bashkëpunim në kuadër të këtij monitorimit, ndonëse në praktikë grupi i ekspertëve është përballuar edhe me politikën e “dyerve të mbyllura”. Tendenca për të raportuar vetëm “suksese” në kuadër të adresimit të masave dhe objektivave të Plan-veprimit, ka dominuar informacionin e marrë në rrugë zyrtare ndërkohë që verifikimi i informacionit të marrë në një pjesë të mirë të rasteve ka qenë i vështirë edhe për shkak të natyrës së përgjithshme të masave dhe mungesës së indikatorëve. Çështje të tjera problematike të identifikuara nga raporti i monitorimit të OSFAs kanë të bëjnë me: mungesën e afateve të qarta kohore për zbatimin e masave; shoqërimin e tyre me detaje mbi burimet financiare, njerëzore e institucionale; bashkëpunimi ndërinstitucional në adresimin e masave për të cilat ndajnë përgjegjësi disa institucione etj.

Procesi i monitorimit është kryer nga ekspertë të organizatave të shoqërisë civile përgjatë vitit 2011, nën drejtimin e OSFAs dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM). Në përputhje me përqasjen dhe strukturën e re të Plan Veprimit afatmesëm në luftën kundër korrupsionit, kjo iniciativë në vitin e dytë të saj do të zgjerojë fokusin e vet edhe në sektorë të tjerë.

Raportet e plota i gjeni në faqet www.soros.al dhe www.idmalbania.org

Për më shumë informacion:

OSFA: AHalo@osfa.soros.al

IDM: info@idmalbania.org