Rekomandime për përmirësimin e politikës së “Altertekstit”

16 Mars 2011

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, pas një procesi monitorimi të zbatimit të politikës së Altertekstit gjatë vitit 2010 dhe konsultimit me grupet e interesit, lidhur me nevojat për përmirësime të mëtejshme të reformës, hartoi një sërë rekomandimesh të cilat i janë dërguar zyrtarisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për të parë raportin e monitorimit “Alterteskt 2011”, klikoni këtu.
Më poshtë gjenden rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të politikës së Altertekstit.

Vlerësimi i teksteve dhe KVT
Transparenca e procesit mbetet një prej parakushteve më të rëndësishëm në garantimin e një procesi korrekt dhe cilësor të vlerësimit të teksteve. Shqetësimi i shprehur se publikimi i emrave të anëtarëve të komisionit të vlerësimit të teksteve rrit gjasat e kompromentimit nuk konsiderohet si argument i mjaftueshëm nga grupet e interesit pasi anëtarëve të KPT-ve u është ngarkuar një proces po aq i rëndësishëm ndërkohë që ata nuk rezultojnë anonim.
Mekanizmi parësor dhe më i shëndetshëm në sigurimin e një procesi të drejtë dhe cilësor do të ishte realizimi i mbledhjeve të KVT-ve në prani të grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. Përzgjedhja e kujdesshme dhe integriteti profesional i anëtarëve të KVT-ve, shoqëruar me procedurën e mbrojtjes verbale të teksteve nga autorët e tyre do të zvogëlonte mjaft mundësinë e ndikimit të anëtarëve të komisioneve nga interesa informal të shtëpive botuese apo autorëve të teksteve. Anonimati dhe fshehtësia nuk përbën kusht të mjaftueshme për të siguruar pandikushmërinë e anëtarëve të KVT-ve përkundrazi errësimi i këtij procesi rrit shkallën e mosbesimit të publikut dhe mundësinë e ndikimeve informale. Disa prej përfaqësuesve të grupeve të interesit shprehën shqetësimin se tekstet hartohen nga autorë të caktuar, dhe për të ndikuar në favor të tyre vendosen emra autorësh të njohur të cilët nuk kanë për tekstin.

Rekomandim 1
Anëtarët e KVT-ve, të jenë të deklaruar dhe të mbajnë përgjegjësi profesionale, morale dhe institucionale për vlerësimin e tyre përballë botuesve, grupeve të interesit por dhe opinionit publik. Anëtarët duhet të ekspozohen përballë mundësisë për vlerësim/promovim në karrierë (në rastet kur plotësojnë standardet e kërkuara), ashtu sikurse edhe ndaj “ndëshkimit” profesional/administrativ dhe uljes në shkallët e karrierës (në rast se nuk paraqitet në lartësinë e standardeve të kërkuara).

Rekomandim 2
Sugjerohet praktikimi i rregullt i procedurës së mbrojtjes së teksteve përpara komisionit (në prani të të interesuarve) nga autori/autorët e teksteve. Kjo mund të rrisë disi (the kryesisht në kohë) kostot e filtrimit të teksteve por do të shtonte gjithashtu cilësinë e filtrave përgjatë procesit të vlerësimit të teksteve.

Rekomandim 3
Të rritet lloji i kritereve të vlerësimit të teksteve: Të shtohet kriteri psikologjik/social dhe estetik. Grupi i mësuesve që vlerësojnë tekstin duhet të jenë të pavarur nga njëri- tjetri pasi ndikohen në vlerësimin e tyre. Mësuesit duhet të kenë instrumente të gatshme dhe të detajuara për vlerësim. Mësuesit mund të marrin nga një rol të veçantë gjatë vlerësimit: p.sh. një mësues vlerëson anën metodike, një mësues vlerëson përputhjen me programin, dhe mësuesi i tretë probleme të lidhura me mesazhe diskriminuese.

Rekomandim 4
Të shtohet anëtarësia e KVT-ve me një prind me status konsultativ. Prindërit të përzgjidhen nga Konfederata Kombëtare e Prindërve me propozim të këshillave të prindërve në nivel shkolle dhe bordit të institucionit arsimor. Prindi duhet të ketë formim të përshtatshëm në raport me tekstin që gjendet në procesin e vlerësimit.

Rekomandim 5
KMT harton kritere për përzgjedhjen e mësuesve të vlerësimit të teksteve, të cilat monitorohen gjatë zbatimit të tyre nga DAR/ZA të cilat realizojnë edhe përzgjedhjen e mësuesve.

Komisioni i Miratimit të Teksteve (KMT)
Komisioni i Miratimit të Teksteve është një aktor qendror në mbarëvajtjen e procesit. Bazuar në rezultatet e monitorimit puna e komisionit vlerësohet e mirë por sidoqoftë sfidat me të cilat përballet ky organ janë mjaft të mëdha dhe shpesh të ndërlikuara.

Rekomandim 1
Të shqyrtohet mundësia e rishikimit të përshkrimit të punës dhe ngarkesës faktike të anëtareve të KMT në raport me angazhimet e tjera brenda institucionit të MASH. Një rishikim i kujdesshëm i ngarkesës së punës do të krijonte më tepër mundësi fizike për t’u përqendruar në problematikat e larmishme shpesh herë të natyrës koordinuese dhe administrative. Duke marrë në konsideratë faktin që procesi i zbatimit të Altertekstit shtrihet përgjatë të gjithë vitit, nëse marrim në konsideratë edhe procesin e vjeljes dhe përpunimit të përshtypjeve të mbledhura nga përdoruesit e teksteve, ndoshta do të ishte me vlerë që disa prej anëtarëve të KMT të angazhoheshin me kohë të plotë.

Rekomandim 2
Sugjerojmë shqyrtimin e mundësisë së ngritjes së një skuadre teknike pranë KMT e cila do të ndihmonte punën e komisionit lidhur me procese të natyrës administrative, përpunim të dhënash, mbajtje kontaktesh me aktorë të përfshirë drejtpërdrejtë në zbatimin e politikës së “Altertekstit”.

Rekomandim 3
Të funksionojë një komision ad hoc lidhur me ankesat që depozitohen nga shtëpitë botuese. Shqyrtimi i ankesave përfaqëson një mekanizëm mjaft të rëndësishëm për garantimin e drejtësisë përgjatë procesit. Ankimimi i tanishëm pranë KMT për vendimet e vetë KMT nuk vlerësohet si formulë plotësisht efikase.

Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve (KPT)
Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve është një mekanizëm mjaft i rëndësishëm, i cili siguron thelbin e filozofisë së “Altertekstit”, sikundër dhe përfshirjen e një prej përdoruesve kryesorë të tekstit. Natyra, përbërja dhe funksionimi i KPT-ve ka pësuar përmirësim ndër vite ndërkohë që ky instrument gjendet përballë sfidës së terrenit shqiptar i cili jo në çdo rast, i përgjigjet kërkesave për mirëfunksionimin e tij. Nevojitet që përbërja si dhe funksionimi i KPT-ve të marrë në konsideratë nevojën për një transparencë më të madhe, zgjerimin e gamës së aktorëve të përfshirë në vendimmarrje, krijimin e kushteve për një diskutim të plotë dhe profesional lidhur me tekstet konkurrues, si dhe konsiderimin e konteksteve lokale sikundër janë zonat rurale dhe lëndë të caktuara me tipare të veçanta.

Rekomandim 1
Nevojitet që të mundësohet më tepër kohë në dispozicion për shqyrtimin dhe diskutimin e teksteve midis anëtarëve të KPT-ve. Koha në dispozicion në paketën informuese mund të duket e bollshme ndërkohë që afatet përkatëse zbatohen rrallë në praktikë. Në shumë raste kampionet e teksteve konkurrues mbërrijnë me vonesë ose në sasi të pamjaftueshme gjë që cënon rëndë periudhën kohore që ka në dispozicion KPT për të shqyrtuar tekstet. Gjithashtu jo të gjitha bibliotekat e shkollës janë të pajisura me tekstet alternativë. E gjithë kjo vështirësi rrjedhimisht cënon cilësinë e vendimmarrjes.

Rekomandim 2
Anëtarët e komisioneve si rregull (duke përjashtuar raste të veçantë) të mos marrin pjesë në më shumë se dy KPT.

Rekomandim 3
Prindërit janë dhe mbeten grupi me interes të drejtpërdrejtë lidhur me cilësinë e tekstit shkollor. Nisur nga kjo, prindërit duhet të jenë të përfshirë në gjithë piramidën e procesit të altertekstit. Propozohet që të shihet mundësia e shtimit të pjesëmarrjes së prindërve në realizimin e funksioneve të KPT-së. Raporti mund të jetë 30% prindër dhe 70% mësues. Roli i tyre mund të jetë i dobishëm në:
1. Shmangien e abuzimit apo korrupsionit
2. Realizimin e trysnisë së nevojshme për një vendimmarrje cilësore
3. Rritjen e transparencës dhe pasqyrimin e pikëpamjes së një pjese të munguar të përdoruesve të tekstit në vendimmarrjen e KPT
Prindi pjesëmarrës në komision duhet të plotësojë disa kritere si: arsimi i lartë (mundësisht i afërt me tekstin që merret në shqyrtim), profili i tij si prind në shkollë, niveli i aktivizimit të tij në problemet/veprimtaritë e shkollës.
Prindërit e përfshirë në komisione të propozohen nga këshilli i prindërve të shkollës dhe të miratohen nga bordi i institucionit arsimor.
Propozojmë që të shqyrtohet mundësia e pajisjes së prindërve me të drejtë vote sikundër anëtarët e tjerë të KPT.

Rekomandimi 4
Gjatë diskutimeve me grupet e interesit është shfaqur shqetësimi i klasave kolektive në zonat rurale. Në lëndë të tilla si informatika, numri i mësuesve në disa raste është zero, rrjedhimisht teksti i kësaj lënde është zgjedhur nga mësuesit e matematikës. Propozohet që numri i anëtarëve në komisione të tillë të jetë fleksibël ndërkohë që shkalla e komisionit të rritet në nivel rrethi me qëllim sigurimin e mësuesve me njohuri në lëndët përkatëse. Lëndë të ngjashme janë muzika dhe vizatimi.

Tekstet dhe Autorësia e tyre
Sipas diskutimeve të realizuara ekziston shqetësimi që jo në të gjitha rastet sa i përket teksteve me bashkautor evidentohet kontributi specifik i autorëve në raport me kapitujt/seksionet e tekstit. Teksti paraqet grupin e autorëve pa specifikuar punën individuale të secilit autor lidhur me përmbajtjen e materialit. Kjo situatë nuk ndihmon kriterin e transparencës por edhe atë të përgjegjësisë individuale lidhur me cilësinë e punës pedagogjike dhe shkencore.

Përgjatë diskutimeve të grupeve të punës u propozua që sasia e teksteve të reja që mbërrijnë në duart e nxënësve dhe mësuesve duhet të jetë e kontrolluar, pasi ndërrimi i shpeshtë i teksteve krijon çoroditje dhe rrit ngarkesën e mësuesit. Tekstet më të arrira mund të përmirësohen nëpërmjet mekanizmit të vjeljes së përvojës së përdoruesve të teksteve apo dhe reflektimit të vetë autorëve dhe botuesve. Gjithashtu vlerësohet se tekstet duhet të karakterizohen nga një përmasë më praktike lidhur me përvetësimin dhe përdorimin e tyre. Tekstet nuk duhet të orientohen thjeshtë ndaj fakteve dhe ngjarjeve por gjithashtu drejt arsyetimit, të menduarit kritik dhe ndërtimit të kompetencave tek nxënësi.
Një nga problemet që ndikon dukshëm në cilësinë dhe ngarkesën e teksteve është dhe cilësia e programeve. Në procesin aktual të reformave kjo hallkë duket se ka mbetur jashtë reformimit. Procesi i hartimit të programeve nuk kalon nëpërmjet një mekanizmi të strukturuar mirë ashtu si dhe tekstet. Sugjerohet që reforma e teksteve të plotësohet dhe me reformën e programeve.

Rekomandim 1
Në rastet e teksteve me bashkautorësi, autorët duhet të deklarojnë autorësinë e kapitujve brenda tekstit.

Rekomandim 2
Programet e lëndëve të caktuara sikundër dhe filtrat/kriteret e përfaqësuara nga KVT-të të marrin seriozisht në konsideratë një paraqitje sa më realiste të kulturës, historisë dhe traditave të minoriteteve që gjenden në Shqipëri duke përfshirë komunitetin Rom. Disa prej premisave të qëndrimeve dhe veprimeve diskriminuese ndaj komunitetit Rom, i kanë themelet në njohjen e pjesshme apo të deformuar të universit kulturor dhe historik të këtij komuniteti.

Rekomandim 3
Sugjerohet që të gjitha tekstet duhet të paraqesin në fillim një pasqyrë të qartë të përmbajtjes së tekstit në mënyrë që të ndiqet sa më lehtësisht nga nxënësit.
Ne fund të çdo teksti duhet të ketë një test formues, i cili të mbulojë të gjithë lëndën.
Vëllimi i njohurive të çdo teksti shkollor duhet të përshtatet me moshën e nxënësve, të cilët do të përdorin tekstin. Këtu përmasa psikologjike e tekstit vlerësohet me rëndësi të veçantë.
Pjesët e ilustruara të teksteve, duhet të jenë me ngjyra dhe jo fotokopje.
T’i kushtohet me shumë rëndësi në të ardhmen lidhjes mes anës shkencore, gjuhësore dhe metodike

Rekomandim 4
Të krijohen mekanizma dhe kushte që në të ardhmen tekstet të eksperimentohen përpara se të depozitohen në KMT. Shtëpitë botuese dhe autorët testojnë për një periudhë të caktuar efektivitetin e tekstit, dhe më pas kërkojnë miratimin e tij.

Rekomandim 5
Të hartohet baza ligjore për të krijuar mundësinë e liberalizimit të programeve mësimore. Pra hartimi i tyre të bëhet nëpërmjet konkurrimit, por të mos miratohet më shumë se një program mësimor.

Rekomandim 6
Sugjerohet që tekstet pasi të dorëzohen në KMT ti nënshtrohen dy oponencave të pavarura dhe më pas të kalojnë në komisionin e shqyrtimit.

Shpërndarja e teksteve
Duke u mbështetur në gjetjet e monitorimit si dhe diskutimet e grupeve të punës vihet re se edhe pse janë bërë hapa përpara, shpërndarja e teksteve paraqet probleme pasi tekstet nuk mbërrijnë në kohë në dorën e nxënësit. Kjo është edhe më e theksuar në zonat rurale ku në shumë raste teksti nuk mbërrin në shkollë, por janë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të cilët me sforcime sigurojnë mundësinë e tërheqjes së teksteve. Prindërit shprehen se nuk kanë informacionin e duhur për çdo etapë të tërheqjes së teksteve dhe për rrjedhojë humbasin mjaft kohë duke e vizituar shkollën disa herë për sigurimin e të gjitha teksteve.
Pjesëtarët e grupeve të punës janë të mendimit se kjo hallkë mund të zgjidhet duke krijuar mekanizma për ta lehtësuar procesin. Gjithashtu evazioni fiskal që konsumohet përgjatë këtij procesi për shkak të mos pajisjes së blerësve me faturën tatimore vlerësohet si një problem tjetër shqetësues.

Rekomandim 1
Të shihet mundësia e nxitjes së nismave për krijimin e agjencive të shpërndarjes së teksteve. Kjo do të funksiononte në kushtet e tregut duke siguruar një shpërndarje më të mirë dhe në kohën e duhur. Paketa informuese mund të parashikojë ose nxisë një instrument të tillë. Gjithashtu një organizim dhe koordinim më i mirë i midis, KMT, DAR/ZA, drejtorive të shkollave dhe Shtëpive Botuese vlerësohet si i nevojshëm. Ndoshta shtimi i një departamenti teknik pranë KMT, i cili do të siguronte mbledhjen e informacionit në kohë reale sikundër dhe koordinimin e procesit mund të ishte një ndërhyrje me vlerë.
Sugjerojmë eksplorimin e përdorimit të teknologjive të komunikimit dhe informacionit të cilat do të lehtësonin mjaft vështirësitë fizike të lidhura me procesin e administrimit të politikës së “Altertekstit”.

Rekomandim 2
Shkolla mund të marrë një rol më të madh në procesin e shpërndarje dhe tregtimit të teksteve. Kjo mund të nisë gradualisht duke e përfshirë atë në transaksionin e rimbursimit të teksteve për kategori të caktuara sociale.

Rimbursimi i teksteve
Pjesa dërrmuese e grupeve të punës ndajnë mendimin se skema e tanishme e rimbursimit nuk është efikase. Shumë prej prindërve me probleme ekonomike nuk kanë mundësi financiare për të blerë tekstet të cilët gjithësesi për shkak të burokracisë rimbursohen në një masë mjaft të vogël. Shkolla dhe njësitë e pushtetit vendor në koordinim me njëri tjetrin mund të luajnë një rol pozitiv në përmirësimin e gjendjes.

Rekomandim 1
Propozojmë që të zhvendoset segmenti i rimbursimit tek Shtëpitë Botuese, të cilat rimbursohen për tekstet e tërhequra nga prindërit dhe nxënësit e përcaktuar më parë nga pushteti vendor bazuar në informacionin zyrtar të dërguar nga shkolla. Prindërit dhe nxënësit të cilët përfitojnë tekstet falas të mos përfshihen në transaksion monetar për t’u rimbursuar më pas.

Shkolla i dërgon informacion zyrtar së bashku me dokumente mbështetës pushtetit vendor, përfshirë listën emërore të prindërve ose nxënësve në rastin e shkollës së mesme, si dhe sasinë, vlerën monetare dhe shtëpitë botuese për tekstet që planifikohen për t’u tërhequr nga individët që përfitojnë nga skema, më pas pushteti vendor zyrtarizon listën, e cila i dërgohet shkollës dhe është shkolla e cila shpërndan tekstet përkatëse sipas listës kundrejt firmës së personit emri i të cilit gjendet në listë. Lista firmoset në 3 kopje prej të cilave një i kopje i dërgohet pushtetit vendor, një kopje i dorëzohet shpërndarësit të teksteve, dhe tjera mbetet në arkivën e shkollës. Pushteti vendor rimburson Shtëpinë Botuese, ose Agjencinë Shpërndarëse bazuar në listën zyrtare të dërguar nga shkolla.

Është me rëndësi të veçantë që kategoritë të përcaktuara për të përfituar tekste falas të përfitojë realisht nga kjo lehtësi. Dështimi i skemës do të ishte një dëm i madh për këto kategori sociale. Studimet tregojnë se një nga shkaqet e braktisjes së fshehtë të shkollës është edhe mungesa e teksteve për nxënësit me prejardhje nga familje në vështirësi ekonomike.

Mekanizmi i Përmirësimit të Tekstit

Vënia në përdorim e mekanizmit të tregut konsiderohet faktor pozitiv dhe arritje e reformës së “Altertekstit” sa i për ketë zhvillimit të vazhdueshëm të teksteve, por sidoqoftë ai mbetet i pamjaftueshëm duke patur parasysh natyrën e sektorit të arsimit si dhe ndërlikimin e politikës së tekstit shkollor. Të gjithë të pranishmit përgjatë takimeve të realizuara nga Fondacioni mbështesin idenë se nevojitet një mekanizëm periodik dhe i strukturuar për vjeljen e përshtypjeve dhe përvojës së përdoruesve të teksteve lidhur me lehtësinë e përdorimit, cilësinë e tekstit si dhe nevojën për përmirësime të mëtejshme. Një mekanizëm i kësaj natyre vlerësohet me rëndësi jetike për të përmbyllur ciklin e procesit i cili fillon me hartimin, vlerësimin, miratimin dhe si përfundim me përzgjedhjen e tekstit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të kishte një rol qendror në nxitjen dhe mbështetjen e këtij mekanizmi, i cili do të siguronte të dhëna të vlefshme lidhur me ndërhyrjet e nevojshme për të përmirësuar formën si dhe përmbajtjen e teksteve. Kush më mirë se përdoruesit e teksteve, mësues, nxënës dhe prindër mund ta ushqejnë bollshëm këtë proces.

Rekomandim 1
Në përfundim të çdo viti shkollor (ose në fund të çdo semestri) të kryhet konsultimi i përdoruesve të tekstit lidhur me përvojën e tyre me tekstin përkatës. Kjo mund të realizohet nëpërmjet instrumenteve të tillë si anketat, fokus grupet si dhe intervistat e thelluara në raste të veçanta.

Rekomandim 2
Procesi mund të administrohet nga Drejtoria Arsimore Rajonale dhe të monitorohet nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Për përpunimin e mëtejshëm të të dhënave si dhe për interpretimin e tyre mund të ngrihet një strukturë teknike pranë KMT-së. Raporti bëhet publik në faqen zyrtare të MASH. Gjithashtu, një mekanizëm i tillë mund të nxisë nisma periodike të konsultimit të përdoruesve të teksteve nga shtëpitë botuese dhe autorët e teksteve.