- Shqip
- English
Soros mbështeti financiarisht reformën në drejtësi | GAZETA SHQIPTARE
Tematika:
Darina Tanushi
Fondacioni SOROS pranoi dje, përmes drejtorit ekzekutiv Andi Dobrushi, se ka financuar reformën në drejtësi. I pranishëm në prezantimin e një studimi kombëtar mbi pandëshkueshmërinë, Dobrushi sqaroi se “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” është krenar që ka marrë pjesë në reformën në drejtësi. “E gjej të udhës të sqaroj dy gjëra, duke pasur parasysh tymnajën e krijuar muajt e fundit lidhur me rolin e fondacionit në reformën në drejtësi. Ka dokumente të mjaftueshme që dëshmojnë përfshirjen e fondacionit, dhe ne jemi krenarë që jemi përfshirë në krye të shoqërisë civile, si pjesëmarrës në reformën në drejtësi. Është një reformë që mbështetet nga 96% e popullsisë. Nuk e shoh të gabuar rolin e fondacionit për t’iu përgjigjur 96% të popullsisë dhe për të marrë një rol që nuk e kanë marrë të tjerët”, – u shpreh kreu i fondacionit. “Në këtë pikë kemi bërë gjënë e duhur; nëse ka dikush që mendon se kemi bërë gabim, le të dalë e ne jemi gati të përballemi me të. Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë. Mbështetja që fondacioni i jep procesit, e ritheksoj, procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë”, – nënvizoi drejtori ekzekutiv i fondacionit në Shqipëri. “Të gjitha ‘telenovelat’ që shohim këto kohë u shtohen argumenteve për të krijuar një fasadë të re përpara zgjedhjeve për të gjetur armikun e jashtëm. Ne në fakt nuk jemi të jashtëm, jemi të brendshëm, stafi është shqiptar, kemi pasur bashkëpunim me ekspertët më të mirë të vendit, kemi pasur një ekspert, ish-gjyqtar i Strasburgut që ka qenë pjesë direkte e procesit (Kristaq Traja), ndërkohë që pjesa tjetër thjesht i jemi përgjigjur Komisionit parlamentar të Reformës”, – sqaroi Dobrushi. “Në këtë pikë, më vjen keq të dëgjosh lloj-lloj shpifjesh dhe situatash sikur ne kemi mbështetur reformën. Unë e kam shpjeguar shumë herë se cili është roli i fondacionit në këtë proces, çfarë kemi bërë dhe pse po e bëjmë këtë gjë. Ne p.sh. u kemi dhënë mbështetje për përfaqësimin ligjor viktimave të ’21 janarit’, mbështetje prej 8 vitesh për familjarët e viktimave të ‘Gërdecit’; janë gjëra që i kemi bërë me koshiencë, sepse kemi parë se ky sistem drejtësie nuk ka funksionuar, nuk jep drejtësi”, u shpreh kreu i fondacionit SOROS në Shqipëri. Përgjigjja e kreut të fondacionit vjen pas akuzave të fundit, që kanë ardhur veçanërisht nga opozita drejt mazhorancës e veçanërisht kryeministrit Edi Rama si një njeri të lidhur me George Soros. Në studimin me 1.200 persona të titulluar “Pandëshkueshmëria”, Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe IDRA, gjetën se interesi i shqiptarëve për problematikat me të cilat po përballet vendi ka pësuar rritje. Ekonomia dhe korrupsioni si dhe keqqeverisja janë fushat më problematike në Shqipëri. Sipas të anketuarve, Policia e Shtetit ka bërë një punë të mirë, megjithëse zbatimi i ligjit nga ky institucion nuk është i njëjtë për të gjithë, ndërsa prokuroria vazhdon të mbetet e vlerësuar negativisht. Gjyqësori është institucioni më pak i besuar nga shqiptarët, me 24% të të anketuarve.
Artikull marrë nga GAZETA SHQIPTARE.