Litigim

Litigimi vjen si tjetër komponent i rëndësishëm i “Konceptit të Pandëshkueshmërisë” të Strategjisë 2014-2017, me objektiv kryesor: Forcimin e Rrjetit të Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, gjetjen e mekanizmave të përshtatshëm për funksionimin në mënyrë efikase të tij, nxitjen dhe mbështetjen e çështjeve në interesin publik dhe aksioneve ligjore të ndërmarra sidomos kundër kulturës së pandëshkueshmërisë.
Në kuadër të këtij komponenti, Fondacioni ka mbështetur: Qendrën “Res Publica”, organizatë jofitimprurëse, e cila ka për qëllim të mundësojë aksesin në drejtësi, nëpërmjet dhënies së ndihmës juridike pa pagesë, në interesin publik e që ofron shërbime këshillimi dhe përfaqësimi në proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit me veçantinë e përfaqësimit edhe në Gjykatën e Strasburgut si edhe Qendrën për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP institut jo-qeveritar, i tipit think-tank, me mision promovimin dhe Transparencën në Vendimmarrje, Mirëqeverisjen dhe Sundimin e Ligjit.
Gjithashtu, në kuadër të Fondit të Avokatisë në interesin publik në vitin 2014 është ofruar mentorim i specializuar dhe mbështetje financiare për avokatë dhe dy organizata që ofrojnë ndihmën ligjore falas. Aktualisht janë duke u ndjekur tetë çështje gjyqësore me objekt shkeljen e të drejtave të njeriut, që vijnë si rezultat i abuzimit me pushtetin, për të cilat është garantuar ndihma ligjore falas në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Fondi i avokatisë në interesin publik do të çelë thirrje të përvitshme me synim zgjerimin dhe forcimin e rrjetit të avokatëve dhe organizatave që ofrojnë këto shërbime.
Aktivitete
Regjistrohuni që të merrni njoftime
Regjistrohuni për të marrë njoftime nga Fondacioni